Merita Bakiu kërkon largimin e Bashës: Ja kemi borxh demokratëve bashkimin

Shtohen zërat brenda radhëve të deputetëve të PD-së që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë.

Reagimi i radhës erdhi nga demokratja Merita Bakiu e zgjedhur në Krujë që i bën apel Bashës që të japë dorëheqjen, duke e bërë atë përgjegjës për gjendjen e partisë dhe humbjen e gjashtë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

“Ndodhemi në një situatë të vështirë, ndofta më keq se vitin 1997 , për arsye se përveç humbjes së tmerrshme kemi dhe një PD të përçarë. Në këtë moment po nuk morëm përgjegjësitë do të jemi  dhe dëshmitarë të shkatërrimit përfundimtar. Nuk mund të fshihemi me pas siglës, anëtarësia dhe për më tepër votat popullore na treguan realitetin. Përgjegjësia fillon së pari tek ju kryetar e më poshtë. PD shpëton duke u bashkuar dhe ky bashkim fillon me dorëheqjen tuaj dhe çuarjen në zgjedhje të reja brenda PD ku bëjnë pjesë edhe anëtarët, miqtë e bashkëpunëtorët që sot i janë bashkuar foltores. Nuk bëhet fjalë për të gjetur fajtorë , por për të marrë përgjegjësi e për të bërë zgjidhje. Ja kemi borxh demokrateve bashkimin”, reagon deputetja.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pronari i New York Jets dëshiron Chelsea

Story i radhës

Moti në dy ditët e ardhshme, borë e temperature të ulëta

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish