Mehmetaj: Jo më portale për propagandë, do të rriten me 60% pagat për mësueset dhe edukatoret

Pas prezantimit të planit për ekonominë dhe shëndetësinë, Partia Demokratike prezantoi këtë të mërkurë programin për arsimin. Eksperti i arsimit në Partinë Demokratike, Ndriçim Mehmetaj, zbuloi disa nga pikat e këtij programi.

Mehmetaj theksoi se do të rriten me 60% pagat për mësueset dhe edukatoret e arsimit parauniversitar, e këtu përfitojmë sipas tij 35 mijë familje. Gjithashtu ai shtoi se në programin e tyre kanë menduar një heqje të portalit, që shërben për integrimin e mësuesve të rinj nëpër shkollat e ndryshme të vendit. Ndër të tjera eksperti citoi se do të zhbëhet diskriminimi mes nxënësve dhe do të implementohet një arsim i barabartë dhe gjithëpërfshirës.

“Javën e kaluar ne pamë që Shqipëria ka një plan në ekonomi dhe sot Basha zbuloi se ka një plan edhe në arsim.
Dua të shpjegoj shkurtimisht së bashku me ju disa nga pikat kryesore të këtij plani duke filluar së pari me dyfishimin e buxhetit për arsimin parauniversitar në nivelet e vendeve të Bashkimit Europian.

Do të trajtojmë me respekt dhe dinjitetin e merituar mësuesit. Rritja e pagave me 60% deri në fund të mandatit të parë duke sjellë më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 mijë familje të mësuesve dhe edukatorëve në arsimin parauniversitar.

Ne kemi parë se sa shumë dhe sa thellë është futur politizimi në arsim. Ne angazhohemi për depolitizim të plotë të tij jo me një arsim shtetëror, por një arsim publik i aksesueshëm nga të gjithë. Jo më portale për propagandë por standarde dhe transparencë në rekrutimin e mësuesve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore në të gjitha nivelet.

Arsimi i barabartë dhe gjithëpërfshirës, jo më një propagandë, një fjalë boshe, një premtim i pambajtur. Asnjë nxënës nuk do të lihet pas e diskiminohet. Pas 8 vitesh dështime, pas 8 vitesh rrënimi të çdo hallke të arsimit, është koha ta largojmë Ramën”, tha Mehmetaj.

Ngjarja paraprake

Mutacioni britanik, preket një 22 vjeçare shqiptare

Ngjarja e ardhëshme

Napoli – Atalanta, formacionet e mundshme

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian