Më përplasi një kamion – Ja çfarë mësova teksa për pak do të vdisja

Prindërit e mi më thoshin gjithmonë se nuk ishte mirë të mburresha për diçka nëse nuk isha vërtet e jashtëzakonshme në të. Këshillat më mbajtën të përulur dhe me këmbë në tokë, dhe që prej asaj kohe, kjo ka qenë mënyra se si e kam jetuar jetën. Kështu që kur ta them këtë, shpresoj të më besosh: Unë jam një eksperte për t’u kthyer nga vdekja – sepse kur isha 24 vjeç, më kaluan sipër 8 rrota të një kamioni me 18 rrota.

Ndodhi herët në një mëngjes vjeshte. Kisha hipur në biçikletë për të djegur disa kalori nga një fundjavë gjatë së cilës e kisha tepruar me ushqimin. Ishte një mëngjes i bukur, i ndritshëm dhe i freskët. Gjethet në lagjen time në Brooklyn sapo kishin filluar të zverdheshin. Isha duke përfunduar udhëtimin kur pashë diellin që fillonte të ngrihej mbi ndërtesat industriale me tulla në një rrugë pranë banesës sime. Mendova se kapja e agimit do ta bënte mëngjesin tepër të përsosur.

Unë po shihja drejt tij kur ndalova në një dritë të kuqe dhe nuk i kushtova shumë vëmendje kamionit pranë meje. Shoferi nuk e kishte shtypur sinjalin e kthimit dhe unë kisha sinjalizuar që po kthehesha. Isha e sigurt se ai ishte i vetëdijshëm për mua.

E mora kthesën të gjerë dhe me ngadalë dhe pastaj vura re që kamioni nuk po shkonte drejt. Ai po merrte kthesën dhe rrugët tona do të përplaseshin. Para se të regjistroja atë që po ndodhte, u ndjeva sikur po rrëzohesha dhe e gjeta veten të mbështetur nën katër rrotat e para të kamionit. Dëgjova kockat e mia duke u thyer dhe pashë se si gomat rrotulloheshin mbi trupin tim. I mbaja sytë hapur teksa grupi tjetër i rrotave kalonte te mesi im, tashmë i grimcuar. Isha shumë e tmerruar për të mbyllur sytë.

Mendja është një organ mrekulli. Mendja ime hyri në modalitetin e triazhit të plotë psikologjik. Mendova se nuk mund t’i mbyll sytë, sepse nëse do ta bëja, atëherë disi do të bija në një errësirë të thellë ku nuk do të kisha kontroll. Kështu që i mbaja hapur. Gjithashtu, kujtova mrekullisht numrin e telefonit celular të mamasë time dhe numrin e shtëpisë sime, kështu që kalimtarët e rastit që kishin qenë dëshmitarë të aksidentit mund të telefononin prindërit e mi.

Por gjëja më e pabesueshme që bëri mendja ime ishte të kujtoja diçka që shoqja ime e ngushtë, e cila është infermiere, më kishte thënë: se nëse do të kisha nevojë ndonjëherë për një ambulancë dhe spitali më i afërt nuk ishte shumë i specializuar, unë kisha të drejtat e pacientit dhe mund të kërkoja që të më çonin diku tjetër.

Kur njerëzit e ndihmës së shpejtë arritën, ata e gjetën veten duke biseduar me një grua me gjurmë të gomave në bark duke kërkuar që të mos shkonte në spitalin më të afër, por në vend të kësaj në spitalin më të mirë. Unë shihja teksa ata vështronin njëri-tjetrin të shushatur, të sigurt se do të vdisja para se të shkoja në ndonjë spital. Por unë isha këmbëngulëse. Truri im donte që trupi im të jetonte dhe ishte i gatshëm të bënte presion për ta realizuar këtë gjë.

Duke i kundërshtuar, unë mbeta e vetëdijshme gjatë udhëtimit me ambulancë në spitalin “më të mirë”. Pyeta mjeken më të afërt nëse do të vdisja. Ajo më pa me trishtim dhe tha se situata nuk dukej mirë, por ajo do të provonte.

Nuk jam e sigurt pse trupi im nuk u dorëzua në atë moment. Ose në të gjitha momentet që pasuan gjatë operacionit 10 orësh që kalova. Çuditërisht, nuk e bëri. Megjithëse ishte shumë afër dorëzimit.

Më dhanë 8 qese me gjak, por gjaku im nuk mpiksej, kështu që vazhdonte gjakderdhja. Mjekët i thanë familjes time se nëse nuk fillone mpiksja e gjakut brenda orës tjetër, ata do të duhet të më linin të vdisja. Në mënyrë të mahnitshme me 15 minuta të mbetura deri në “afatin tim” të vërtetë, filloi mpiksja e gjakut.

Kur u zgjova nga operacioni, jeta ishte e panjohur për mua. Kisha thyer të gjitha brinjët, kisha thyer legenin në pesë vende, kisha dëmtim të mushkërive dhe një vrimë në fshikëz. Nuk mund ta ndjeja nga kraharori dhe biçikleta më kishte krijuar një vrimë në anën e barkut.

Qëndrova dy muaj në spital, duke punuar për të shëruar trupin e thyer. Kur u largova nga spitali nën kujdesin e prindërve, qëndrova në dhomën ku u rrita duke fjetur në shtratin e spitalit të marrë me qira për katër muaj të tjerë. Bëja terapi fizike intensive çdo ditë. Pas një stërviteje të pabesueshme dhe falë durimit të pafundëm nga miqtë dhe familjarët, më në fund eca vetë tetë muaj pas aksidentit.

Në fazat e hershme të shërimit, e kalova pjesën më të madhe të kohës duke u kapur tek personi që kisha qenë para përplasjes, duke u përpjekur kaq shumë që të bëhesha përsëri ajo. Por në një moment, e kuptova që ajo nuk ekzistonte më.

Ky ishte momenti kur ndalova së përqendruari te pjesët e jetës sime që kisha humbur dhe fillova të përqendrohesha në atë që kisha fituar: një mirënjohje e thellë për një jetë që gati sa nuk e pata rastin të jetoja. Fillova të ndiej momente gëzimi, për shembull kur mamaja më shoqëroi në karrige me rrota në oborrin e shtëpisë, kështu që mund të ndjeja flokët e para të dëborës të më binin në trup; ose ditën që këmbët e mia prekën dyshemenë për herë të parë pas javësh. Bukuria e këtyre momenteve të vogla do të më kishte humbur vetëm disa muaj më parë.

Unë nuk e quaj veten eksperte për të mbijetuar vetëm sepse trupi im gjeti një mënyrë për ta mbajtur veten gjallë – por edhe sepse luftova për ta sjellë jetën time nga një vend i thyer në një vend gëzimi. Për mua, të mbijetosh nuk është thjesht të mos vdesësh. Është gjthashtu t’i japësh vetes dhuratën e të jetuarit me të vërtetë.

– Shkruar nga Katie McKenna, autore e librit “How to Get Run Over By a Truck”.

Ngjarja paraprake

Erdoğan: Turqia, qendra më e madhe prodhuese e automjeteve elektrike komerciale në të ardhmen

Ngjarja e ardhëshme

Vrau gruan dhe vjehrrën e tij, pastaj 61 vjeçari gjendet i varur – detajet e ngjarjes tragjike në Itali

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian