Me masa dhe protokolle të veçanta, me sukses filloi viti i ri shkollor

Shkup, 2 tetor 2020 (MIA) – Me respektimin e gë gjitha protokolleve, dje me sukses filloi viti i ri shkollor në shtet. Në mbi gjashtëqind shkolla fillore dhe të mesme nxënësit me maska dhe me mbajtjen  e distancës saktë pas shtatë muajve, përfundimisht u ulën në bankat shkollore. Nxënësit e tjerë megjithatë, mësimin do ta ndjekin onlajn, derisa gjendja epidemiologjike këtë e imponon.

Me prani fizike në pjesën më të madhe marrin pjesë më të rinjtë, më saktë nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën. Sa i përket atyre të klasave më të larta, shumica e tyre mësojnë në distancë, përmes platformës onlajn dhe me emetimin e orëve në televizionin kombëtar.

Sipas kompetentëve, të gjitha shkollat dje të përgatitura e filluan vitin shkollor dhe të gjitha masat dhe protokollet për mësim me prani fizike janë përmbushur. Janë furnizuar termometra, mjete për dezinfektim dhe të gjithë janë të njoftuar me kushtet e reja për mbajtjen e mësimit.

Nëse të gjithë u përmbahemi masave, më lehtë do ta kalojmë këtë vit shkollor dhe në këtë mënyrë do të kujdesemi ky të jetë viti i vetëm dhe i fundit, porositi në ditën e parë shkollore kryeministri Zaev.

Lidhur me platformën, Zaevi theksoi se janë testuar dhe zbuluar të gjitha punët që duhej të korrigjohen që të tejkalohen të gjitha sfidat. Sqari se për herë të parë në shtet vendoset një sistem i këtillë onlajn dhe do të bëhen përpjekje maksimale që të zbatohet pa apo me probleme sa më të vogla të mundshme të cilat do të tejkalohen në vazhdimësi.

Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, në pjesën më të madhe të shkollave, mësimi nga distanca me sukses ka filluar në ditën e parë shkollore. Ajo thotë se probleme edhe më tej do të ketë, por ato do të zgjidhen në mënyrë të vazhdueshme.

Për digjitalizimin e mësimit, ministrja shtoi se vetëm për një muaj është bërë një hap i madh dhjetëvjeçar në sistem, janë trajnuar mësimdhënësit, ndërsa edhe nxënësit janë të interesuar për mësim onlajn sepse, siç tha, ky është mjedisi i tyre natyror.

“Sfida është përpara të gjithë neve dhe ne duhet të tregojmë se sistemi arsimor mund të kryhet edhe në rrethana kaq të jashtëzakonshme. Do të kemi shumë sfida, ky vit do të jetë ndryshe dhe duhet të jemi fleksibil. Ne nuk jemi këtu sepse duam, por sepse duhet”, tha Carovska, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit publik dhe sigurimi i vazhdimësisë së procesit arsimor janë të rëndësishme.

Përveç mësimit me prani fizike dhe mësimit në distancë, nga sot mësim do të ketë edhe në Radio Televizionin e Maqedonisë në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase. Oraret e klasave nga klasa e parë deri në të nëntën janë publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Prej atje theksojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin nga FSHKIK dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit që punon në platformën dhe që nga ky mëngjes, shtojnë ata, nuk ka pengesa më serioze për mbajtjen e mësimit onlajn.

“Për realizim të suksesshëm të mësimit onlajn më e rëndësishme është pjesa e platformës e cila është bazuar në Majkrosoft tims. Testet e fundit që u zhvilluan dje, pa ndonjë problem u kyçën në Majkrosoft tims të gjithë nxënësit që i kanë marrë fjalëkalimet gjatë javës së fundit. Gjithashtu, për momentin FSHKIK po punon për optimizimin e pjesës tjetër të platformës, theksojnë nga MASH.

Apelojnë të gjithë të mbesin të përkushtuar dhe të qëndrueshëm në përgjegjësinë e cila, siç thonë, secili prej nesh e mban  në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, por edhe të shëndetit publik.

Respektimi i protokolleve shëndetësore nuk është i thjeshtë, veçanërisht për më të vegjlit për të cilët mbajtja e maskave tetë orë në shkollë mund të paraqesë sfidë të vërtetë. Megjithatë, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe konsideron se kjo nuk do të paraqesë kurrfarë rreziku për fëmijët, dhe se kjo është mënyra e vetme të parandalohet bartja e virusit. ar/

 

 

Ngjarja paraprake

K-15 dhe marrëveshjet kolektive – tema të Shkollës sindikale në Ohër

Ngjarja e ardhëshme

Ahmeti do të merret në pyetje në PPTH

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian