Me komplot e tradhëti nuk përmirësohen “situatat e vështira”

Raporti i sivjemë i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, sidomos fjalia që flet për “liritë fetare”, më la një ndiesi shumë të hidhur, sikur më krijoi bindjen se është një raport i sponsorizuar nga qarqet sorosoide të ulur këmbëkryq nëpër kolltuqet e pushtetit aktual.

Në faqen 28 të këtij raporti, veç të tjerash shkruan: “KRYETARI I SAPOZGJEDHUR I BASHKËSISË FETARE ISLAME KA LUAJTUR NJË ROL POZITIV NË PËRMIRËSIMIN E DIALOGUT NDËRFETAR NË VEND.”

Si e para, ky farë “kryetari” nuk është i “sapozgjedhur”, por, është instalacion nga qarqet qeveritare të pushtetit aktual!

Po, ka qenë bashkëpunëtorservil i imi për dekada me radhë dhe, përkrahës i pakompromis në qëndrimet e mia të gjithanshme, edhe në përkeqësimin eventual të dialogut ndërfetar si pasojë e qëndrimeve të mia “kryeneçe”!

Meqë me këtë “kryetar” na qenka “përmirësuar dialogu ndërfetar”, shtrohet pyetja: cili paska qenë ky “dialog” në kohën e paraardhësit të këtij farë “kryetari”, pra, në kohën time?

Pse, në mënyrë indirekte, “sorosoidët” e Komisionit Evropian zbulohen se paskan qenë pjesë e komplotit dhe tradhëtisë që m’u bë mua; pse këta sorosoidë e përkrahin lojën e ndyrë politike për ta uzurpuar BFI-në dhe për ta partizuar e politizuar deri në rrënim total?

Pse këta sorosoidë evropianë pa pagesë vihen në shërbim të propagandës qeveritare e cila mundohet t’ia përmirësojë imazhin “kryetarit aktual” i cili na paska pasur edhe begraund të spiunit të UDB-së!

Më duhet të dal përtej modestisë dhe të nënvizoj fuqishëm se në këtë shtet, personalisht unë kam qenë ARKITEKT i dialogut dhe harmonisë ndërfetare dhe, për këtë fakt, kam mirënjohje të larta pothuajse nga tërë kori diplomatik në vend dhe nga organizata të ndryshme botërore! Mbi tridhjetë vite kam qenë pjesëmarrës nëpër konferenca të ndryshme ndërkombëtare, madje edhe drejtues i tyre, në të cilat është kontribuar për një dialog ndërfetarë anekënd botës.

Ta ruash harmoninë fetare në kohën kur Bashkësisë Fetare Islame i vinin shigjeta më helmuese nga kampusi ortodoks politik, duhet mjeshtri dhe shpirtgjërësi unikale!

Historia më e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut dëshmon katërcipërisht edhe për lojërat e ndyta që pushtetet politike janë munduar t’i luajnë mbi kurriz të BFI-së.

Të gjitha këto lojëra i kam refuzuar, të gjitha i kam denoncuar publikisht, të gjitha i kam shpjeguar nëçdo takim me faktorin ndërkombëtar në vend.

Këmbëngulja ime për t’i refuzuar të gjitha tendencat politike për t’u futur brenda BFI-së nuk kanë qenë kontribut i imi në përkeqësimin e dialogut ndërfetar!

Në të tilla raste, asnjëherë nuk kam qenë i vetëm, por, gjithnjë i shoqëruar me të gjithë anëtarët e Rijasetit, të cilët, qendrimeve të mia publike u kanë duartrokitur publikisht, pra, edhe ky “kryetari” juaj që ju paska lënë mbresa në “përmirësimin e dialogut ndërfetar”!

Ju ftoj publikisht, të dilni e të na e tregoni vetëm një “levizje” të tij, vetëm një gjest, vetëm një kontribut në drejtim të “përmirësimit të dialogut ndërfetar”!

Është më se e qartë se, qarqet sorosoide të mbështetura edhe nga qeveria aktuale, ju kanë kërkuar që ta shprehni një fjali inkurajuese për “kyetarin” sorosoid, sepse i duhet një përmirësim imazhi!

Ju, “përmirësim të dialogut ndërfetar” e konsideroni heshtjen e tij para shndërrimit në VC publike të Xhamisë së djegur në Prilep!

Ju, “përmirësim të dialogut ndërfetar” e konsideroni lejimin e “kryetarit” të juaj sorosoid që të regjistrohen sa më shumë “bashkësi fetare”, dhe me këtë të lejohet sektarizimi dhe defaktorizimi i BFI-së deri në filiale të shërbimeve të huaja intelegjente?

Ju, “përmirësim të dialogut ndërfetar” e konsideroni lejimin e “kryetarit” të juaj që të zhvatet, të vidhet dhe të keqpërdoret vakëfi i BFI-së nga qarqe të ndryshme politike të pushtetit aktual!

Ju, “përmirësim të dialogut ndërfetar” e llogarisni edhe gatishmërinë e “kryetarit” të juaj sorosoid për t’u takuar me spiunët e Putinit dhe për t’i shëtitur ata nëpër “odat politike” të institucioneve tona shtetërore?

Lukuninë kameleonike të “kryetarit” të juaj sorosoid për ta partizuar me çdo kusht BFI-në, duke u krijuar hapësirë, gati të gjitha forcave politike të pushtetit aktual, për të lejuar që përbrenda Institucionit të lulëzojnë fraksione, sekte e ideologji që e zbehin orientimin puro-proevropian të popullit tonë, ju e konsideroni “kontribut në përmirësimin e dialogut ndërfetar”, kurse ne shqiptarët por edhe myslimanët në përgjithësi, e konsiderojmë TRADHËTI, sepse del nga po ai brum i skenarit që e parasheh rrënimin e Institucionit gjashtëshekullor – Bashkësinë Fetare Islame në RMV!

Fare në fund, e kam shumë të qartë se në cilin moment bazoheni ju që të konstatoni se dikur na qenkan prishur dialogjet ndërfetare dhe se me ardhjen e “kryetarit” të juaj sorosoid na qenka “përmirësuar” ky dialog!

Opinioni i gjërë e di fare mirë se unë, si Reisul Ulema dhe të gjithë anëtarët e Rijasetit, pra, përfshirë edhe “kryetarin” e juaj, i pata “ngrirë” përkohësisht marëdhëniet me Komisionin për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, me Ministrinë e punëve të Brendshm si dhe pata hedhur dyshime në sinqeritetin e gjykatësve tanë! Ky reagim imi ishte publik dhe i duartrokitur edhe nga ky farë “kryetari” (që ju përpiqeni t’ia rregulloni imazhin e pandreqsshëm) me rastin e përpjekjes së parë të pushtetit aktual për të organizuar puç klasik në BFI, me dokumente të falcifikuar, e me përkrahje policore! Për këtë lojë të poshtër natyrisht që BFI-ja pat ngritur procese gjyqësore kundër të gjithë akterëve të përfshirë në këtë puç klasik! Natyrisht, ky proces gjyqësor do t’i lakuriqësonte disa struktura qeveritare, dotë zbardhej projekti i defaktorizimit dhe rrënimit të BFI-së si dhe do të dilnin në tapet personat politikë përkrahës të këtyre lojërave të poshtra! Për t’i stopuar këto procese gjyqësore që shtyheshin me gjoks e me argumenta nga unë, pushteti aktual, me shantazha e me frikësime, me elementë nga shërbimet intelegjente, ia arritën që të më “eliminojnë” dhe në vendin tim ta sjellin elementin e tyre më tëdëgjushëm, i cili, çuditërisht, nga ju vlerësohet si “kryetar i sapozgjedhur e që paska luajtur rolnë përmirësimin e dialogut ndërfetar”! Mua më shkarkuan duke shkelur 17 nene të Kushtetutës së BFI-së, kurse “kryetarin” e juaj sorosoid e instaluan në krye të BFI-së duke i shkelur plot 33 nene të po kësaj Kushtetute.

Meqë ra fjala – në raportin e juaj nuk ka asnjë fjali për këtë ndërhyrje politike të pushtetit aktual për ta kapur BFI-në!

Ju nuk mund të na e impononi për “kryetar” një vegël prej letre, kapacitetet “intelektuale” të të cilit i njohim të gjithë ne, teologët myslimanë të vendit, për të cilin ekziston një mendim i përbashkët se, karriera e tij deri këtu nuk është shtyrë për shkak të afinteteve të tij intelektuale, por është i shtyre nga shërbimet e ndryshme, për lojalitetin që e ka treguar ndaj tyre. Për ne, emri i kësaj “karriere” është tradhëti!

Me tradhëti nuk ka përmirësim të dialogut ndërfetar, ka vetëm spostim të këtij problemi, i cili, herët a vonë, do të shpërthejë shumë keq. Ku do të ngelë atëherë “vlerësimi” ei këshilltarëve evropianë që lejojnë të manipulohen nga sorosoidët e vendit që kanë metastazuar nëçdo pore të jetës!

Sinqerisht, unë pres një kërkim falje nga Këshilli i Evropës, i cili, të kaluarën tonë ndërfetare e paraqet të zezë dhe se, “me ardhjen e krytarit të sapozgjedhur qenka përmirësuar dialogu ndërfetar”! Kjo nuk mund të dëshmohet në asnjë moment dhe me asnjë fakt! “Kryetari i sapozgjedhur” është lehtësisht i manipulueshëm, ai nuk ka përgatitje të duhur për dialog, sepse nuk ka personalitet, Uni i tij është anemik, e kaluara e tij e zymtë ia mbyll gojën para çdo situate! Këshilli i Evropës nuk mund ta dijë këtë fakt, por, e dimë ne, teologët myslimanë të vendit!Këshilli i Evropës në raportet e veta nuk guxon të ketë konstatime paushalle!

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Adele jep lajmin e bukur

Ngjarja e ardhëshme

Muça: Me një këshilltar nuk fitohet drejtoria “Parqe dhe gjelbërime”!

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian