Mbi 100 mijë bjellorusë demonstrojnë para skadimit të ultimatumit për Lukashenkon

Më shumë se 100.000
qytetarë dolën në një demonstratë të re sot kundër presidentit autoritar, Alexander
Lukashenko, pak para skadimit të afatit të dhënë nga opozita për të dhënë
dorëheqjen.

Protestuesit u përleshën me policinë në Minsk dhe shërbimet e sigurisë
hodhën të paktën 10 bomba shoku ndaj tyre, raporton Reuters, transmeton Gazeta
Sinjali.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bjellorusisë po kontrollon pretendimet
se municione të gjalla janë përdorur gjatë konfliktit.

Autoritetet mbyllën 12 stacione metro dhe kufizuan qasjen në internet
përmes telefonave mobilë.

Mediat lokale raportuan se disa nga gazetarët që mbulonin protestën ishin
arrestuar.

Policia arrestoi disa demonstrues në qytetin Lida në perëndim të
Bjellorusisë, ndërsa pamjet nga Minsk tregojnë një karvan autobusësh që sjellin
anëtarë të forcave të sigurisë në qendër të qytetit.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet
presidenciale të 9 gushtit, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të
gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të një votimi që Lukashenko
fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos
pretendojnë se zgjedhjet u vodhën.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke
arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u
shuan as pas dy muaj e gjysmë.

Protestat më masive ndodhin të dielave kur dhjetëra-mijëra demonstrues
dalin në rrugë.

Liderja e opozitës Svetlana Tikhanovska, e cila u arratis në Lituani
menjëherë pas zgjedhjeve për të shmangur arrestimin, i dha ultimatum
Lukashenkos javën e kaluar për të dhënë dorëheqjen deri sonte në mesnatë, duke
njoftuar se përndryshe do të thërriste të gjithë qytetarët të hynin në grevë të
përgjithshme.

Tikhanovska, e cila papritur u bë rivali kryesor i Lukashenkos në
zgjedhjet presidenciale pas arrestimit të figurave të tjera të shquara të
opozitës, tha se sot ishte një “ditë e veçantë”.

Lukashenko, 66-vjeç, një aleat i liderit rus Vladimir Putin, ka drejtuar Bjellorusinë me një dorë të vendosur që nga korriku 1994. /Gazeta Sinjali/

Ngjarja paraprake

Zaev: Nuk ka nevojë për marrëveshje të re me Bullgarinë, nuk kemi pretendime territoriale

Ngjarja e ardhëshme

Turqia raporton 2.017 raste të reja dhe 1.297 të shëruar nga COVID-19

të fundit nga