Mbështetja financiare për bujqësinë, Teliti i kundërpërgjigjet Ramës

Eksperti i ekonomisë dhe drejtori i kabinetit në Partinë Demokratike, Dorian Teliti i përgjigjet kryeministrit Edi Rama për investimet në bujqësi, duke e akuziar se “shkatërroi me taksa”.

Siç shkruan Teliti në një postim në rrjetet sociale, “fondet e qeverisë i marrin grosistët pranë qeverisë. Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda”.

Teliti reagon pasi Rama e nisi ditën me një grafik për mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë, ku ndër të tjera, kryeministri shkruante në facebook: “me këtë krahasim të thjeshtë, që tregon se ndryshimi në bujqësi, zgjerimi i sipërfaqes së tokës së punuar, rritja e eksporteve, ulja e importeve bujqësore, janë rezultate të politikave të reja orientuese dhe mbështetjes financiare gati trefish nga qeveria të punës në fshat, ju uroj një ditë të mbarë”.

Por Teliti thekson se Rama “pasi ka dështuar të japë llogari për premtimet e pambajtura për bujqësinë, orvatet t’u hedhë hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta dhe mungesa e mbështetjes konkrete për to”.

“Në 2013 premtoi naftë pa akcizë për fermerët, por u shtoi edhe taksën e qarkullimit 24 lek/litër. Vetëm nga kjo taksë absurde që s’ka asnjë lidhje me bujqësinë, fermerët kanë paguar rreth 100 milion euro në 7 vitet e qeverisjes së tij.

U premtoi fermerëve 40 milion euro investime në vit, por nuk ka financuar as gjysmën e tyre. Ndërsa 70% e fondeve të akorduara janë dhuratë nga Bashkimi Europian.

Bilanci i vërtetë i ER në bujqësi është ky:
•rreth 100 milion euro taksë qarkullimi paguar nga fermerët në shtatë vite;
•70% të fondeve për bujqësinë i përfitojnë 50-60 grosistë;
•2% e fermerëve kanë marrë mbështetje, ndërsa 98% e tyre nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti;
•30-40% më e lartë është kosto e prodhimit krahasuar me rajonin;
•30% më i ulët është rendimenti i prodhimit bujqësor e blegtoral, krahasuar me rajonin;
•2/3 e tokës nuk kanë akses në ujitje e kullim;
•Vetem 2,8% e fermave kane traktore apo mjete te mekanizuara.

Fermeri shqiptar nuk lexon grafikët e vizatuar nga propaganda.
Fermeri shqiptar lexon xhepat e tij të shpuar nga taksat e larta, kostot e larta, kalbja e prodhimeve të pashitura dhe mungesa e plotë e mbështetjes nga shteti”, shkruan Teliti.

Ngjarja paraprake

Edhe sot një pjesë e kësaj rruge në Prishtinë e mbyllur për qarkullim

Ngjarja e ardhëshme

Sanksionohen 509 shoferë në Shkup, 75 për tejkalim të shpejtësisë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian