Masat që duhet t’i marrë Qeveria për krizën ekonomike/ Profesori tregon a duhet tërhequr paratë e Trustit

Kriza që ka kapluar Ukrainën nga Rusia, ka arritur të prekë ekonominë e gjitha vendeve, duke mos lënë anash as atë të Kosovës.

Shteti ynë që nga pandemia ka pësuar rënie të ekonomisë mirëpo tani lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë në sektorin ekonomik të tij.

Gjendja është bërë edhe më alarmante kur javëve të fundit rritja e çmimeve është bërë edhe e përballueshme për qytetarët.

Në lidhje me situatën ekonomike në vend në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur Prof.Dr. Musa Limani.

Ai për “Bota sot” foli për temat aktuale ekonomike, ku sipas tij ekonomia e Kosovës është në fazën e recesionit që karakterizohet me nivel të ulët të forcave prodhuese dhe sugjeron që qeveria duhet t’i japë rëndësi të veçantë zhvillimit ekonomik.

Profesori shton që ngritja e çmimeve natyrisht që ka efekte negative dhe normalisht prek shtresën më të ulët të popullsisë.

Sipas Limanit, shteti duhet të intervenojë me instrumente të politikës fiskale, për zbutjen e situatës së krijuar ekonomike, duke mbështetur konsumatorët. Si masë më kryesore do të ishte hartimi i Programit anti inflator, ku do të përfshihej një pako masash në favor të prodhuesve të të mirave materiale dhe të konsumatorëve.

Ndërsa sa i përket tërheqjes së Trustit profesori thotë që është pro tërheqjes, sepse ato janë mjete personale të kursimtarëve, por vetëm për kohën deri të stabilizohet situata ekonomike, përkatësisht të normalizohen çmimet.

Gjithashtu Limani thotë që duhet të ketë rritje të inspektorëve të tregut kjo sepse vazhdimisht po kemi të bëjmë me keqpërdorim të situatave dhe një prani e inspektorëve do të minimizonte këto shkelje.

Në fund sa i përket ligjit për pagat që aktualisht është duke u bërë gati për procedim të mëtejshëm, thotë se është nevojë urgjenti aprovimi i këtij ligji, derisa sipas tij, paga minimale duhet të jetë 350 euro.

Intervista e plotë

“Bota sot”:  Si e shihni situatën ekonomike në vend?

Prof. Dr. Musa Limani: Për kah niveli i zhvillimit ekonomik, Kosova hyn në radhën e vendeve më të pa zhvilluara në Ballkan dhe Evropë. Ekonomia e Kosovës gjendet në fazën e recesionit, që karakterizohet me: nivel të ulët të forcave prodhuese, me deficit të lartë të bilancit të tregtisë së jashtme, me mungesë të prodhimeve vendore, me normë të lartë të papunësisë e me normë të ulët të punësimit, me strukturë të pa volitshme ekonomike, ku dominon bujqësia dhe degët ekstraktive në formimin e Bruto Produktit Vendor, me probleme të mëdha sociale, me varfëri e standard të ulët të popullsisë. Kur kësaj i shtojmë, efektet negative të pandemisë dhe tani të ngritjes së çmimeve, del se ekonomia e Kosovës aktualisht po përballet me sfida dhe probleme të shumta. Andaj, për të dalë nga kjo situatë e rëndë ekonomike e sociale, Qeveria duhet t’i jap përparësi zhvillimit ekonomik, sepse nga ai varet mirëqenia e popullatës, sepse baza materiale e përcakton superstrukturën dhe stabilizimin politik, uljen e varfërisë dhe ngritjen e standardit jetësor. Për të realizuar këto synime, Qeveria duhet të bëjë reforma rrënjësore ekonomike, përkatësisht të hartojë një politikë konsekuente të zbatuar ekonomike, duke përfshirë instrumentet e tri nënsistemeve të saja: të politikës fiskale, të politikës së tregtisë së jashtme dhe të politikës kreditore. Kjo nuk arrihet me qasje ad hoc, parciale, pa vizion dhe pa strategji të zhvillimit afatgjatë ekonomiko-shoqëror, të cilat i mungojnë Qeverisë së Kosovës.

“Bota sot”: Rritja e çmimeve të produkteve po vazhdon, si e komentoni këtë ndryshim? A duhet institucionet e vendit të jenë edhe më strikte në këto situata?

Prof. Dr. Musa Limani: Inflacioni, përkatësisht ngritja e çmimeve paraqet çrregullim në mes ofertës dhe kërkesës, si në tregun e brendshëm, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Andaj, ndryshimi i cilitdo faktor të prodhimit, automatikisht reflektohet edhe në ndryshimin e çmimit kushtues, e që drejtpërdrejt ndikon në ngritjen edhe të çmimit shitës. Siç dihet, jo vetëm te ne, por edhe në përmasa ndërkombëtare erdhi deri te ngritja enorme e çmimit të naftës dhe derivateve të naftës. Ngritja e çmimeve të derivateve të naftës, ka efekte negative multiplikative, sepse shumë degë prodhuese si faktorë të prodhimit dhe shërbimeve përdorin naftën,  veçmas gastronomia, komunikacioni automobilistik, furrtarët etj. Që në mënyrë direkte godasin artikujt ushqimor dhe biletat e udhëtarëve dhe përdoruesit e automobilave, që ngarkojnë buxhetin familjar, zvogëlojnë fuqinë blerëse dhe zbrazin “shportën” e jetesës së konsumatorëve, si dhe rrisin varfërinë dhe ulin standardin jetësor të popullatës. Veçmas ngritja e çmimeve erdhi te artikujt kryesor ushqimor, ku 70% e buxhetit familjar harxhohet në këto artikuj. Tani me ngritjen e çmimeve edhe në energjinë elektrike, ka vështirësuar edhe më buxhetin familjar.

Ngritja e çmimeve më së shumti godet shtresën e popullatës me të ardhura të ulëta, sepse zvogëlon fuqinë blerëse, që edhe ashtu është e ulët. Kur kësaj i shtojmë se në Kosovë niveli i pagave është i ulët dhe papunësia dhe problemet sociale të mëdha, del konstatimi se pjesa dërmuese e popullatës së vendit tonë aktualisht përballet me luftën për sigurimin e gjërave ushqimore ekzistenciale. Një përqindje e inflacionit importohet, sepse Kosova importon mbi 80% të të mirave materiale për nevoja të tregut vendor, nga vendet ku edhe kemi inflacion. Kështu, në mungesë të prodhimeve vendore, Kosova është e shtrënguar të importojë, dhe në ketë mënyrë vendi jonë është shndërruar në vend konsumues. Kjo do të duhet të jetë sinjal për Qeverinë se duhet dhënë, edhe përreth problemeve politike me të cilat ballafaqohet Kosova, prioritet zhvillimit ekonomik. Me këtë rast, shteti duhet të intervenojë me instrumente të politikës fiskale, për zbutjen e situatës së krijuar ekonomike, duke mbështetur konsumatorët. Si masë më kryesore do të ishte hartimi i Programit anti inflator, ku do të përfshihej një pako masash në favor të prodhuesve të të mirave materiale dhe të konsumatorëve. Andaj, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ndihma nga Qeveria për të kaluar këtë krizë aktuale dhe mjaft të rëndë. 

“Bota sot”: Ndër temat e përfolura është edhe tërheqja e mjeteve nga trusti si lehtësim për krizën ekonomike me të cilën po përballen qytetarët. Ju si e shihni, a mendoni që duhet të ketë tërheqje?

Prof. Dr. Musa Limani: Trusti i pensionistëve paraqet Shtyllën III pensionale në Kosovë dhe është i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Për kah përmbajtja, Trusti paraqet institucion financiar të kursimeve individuale, por jo pensionale. Mjetet e Trustit janë mjete të të punësuarve, por jo nga kontributet pensional. Unë plotësisht pajtohem me qëllimin e formimit të Trustit, por assesi nuk pajtohem me formën dhe mënyrën e menaxhimit të tyre. Këto mjete, kursimtarët nuk mund t’i shfrytëzojnë para pensionit, kurse pas pensionit mund t’i tërheqin vetëm një pjesë, aq sa lejon Trusti. Unë zhvilloj tezën e kthimit të këtyre mjeteve në sistemin bankar të Kosovës, në formë deponimi pa ia ndryshuar destinimin e tyre, me ç’rast rritet tregu i kapitalit dhe mundësit më të mëdha për të akorduar kredi me kushte më të volitshme. Më këtë rast, mjetet e fondit nga efektet eksterritoriale, do të shndërrojmë në funksion të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Kosovës. Kjo aq më parë kur dihet se ato në fondet e deponuara jashtë Kosovës, me masat që i kanë marrë SHBA, BE e vendet e tjera ndaj Rusisë, do të rrezikohen dhe do të devalvohet me rënien e vlerës së aksioneve. Ato, sipas përfaqësuesve të Trustit që tani janë devalvuar 4,%, apo 90 milionë euro. Ndërkaq, sa i përket mundësisë për tërheqje unë jam pro, sepse ato janë mjete personale të kursimtarëve, por vetëm për kohën deri të stabilizohet situata ekonomike, përkatësisht të normalizohen çmimet. Kjo e ka arsyen e vet, sidomos për ata që kanë paga të ulëta. Nëse nuk i lejohet që të marrin një përqindje të këtyre mjeteve, sa do të jetë ajo, është çështje e marrëveshjes në mes Qeverisë dhe Trustit, atëherë ata që me pagën aktuale nuk mund të mbulohen me artikuj ekzistencial, do të jenë të shtrënguar të hynë borxh, të marrin kredi, apo të marrin para me fajde. Atëherë, cila mënyrë do të jetë më e mirë për këta kursimtar, tu lejohet të marrin një pjesë të mjeteve të tyre të kursyera, apo të veprojnë si cekëm më sipër.  Me pagat ekzistuese, që në sektorin privat paga mesatare sillet diku mbi 300 euro e në atë publike mbi 400 euro, është vështirë që t’i përballet qytetari jonë rritjes enorme të çmimeve të “shportës” së jetesës dhe të komunalive. Parja e mirë në ditë të vështirë.

“Bota sot”: A duhet të rritet numri i inspektorëve të tregut, pas mashtrimeve të fundit në rritjen e çmimeve nga kompanitë e ndryshme tregtare?

Prof. Dr. Musa Limani: Normalisht, në këso situatash si prodhuesit ashtu dhe tregtarët mund të bëjnë abuzime dhe keqpërdorime, duke i rritur çmimet pa bazë të ndryshimeve të faktorëve të prodhimet. Ne patëm këtë rast me qumështin. Kjo mund të ndodhë edhe te abuzimi me litër të naftës, me peshën e bukës, etj. Andaj, shteti ka mekanizmat e vet me të cilët intervenon në ndalimin dhe evitimin e këtyre manipulimeve në sistemin e çmimeve. Njëri ndër këto mekanizma është edhe inspektorati i tregut, i cili ka kompetenca të plotë ligjore, që të kontrollojë çdo subjekt ekonomik, qoftë prodhues apo tregtar, edhe atë pa e paralajmëruar paraprakisht. Nëse konstatohet se ka keqpërdorime, atëherë pasojnë gjobat sipas ligjeve në fuqi. Mirëpo, e keqja është se numri i inspektorëve të tregut është i vogël për të mbuluar tërë territorin e Kosovës. Andaj, situata e krijuar tani, na jep të kuptojmë se numri i inspektorëve të tregut duhet të rritet, deri në atë masë që do të jetë adekuat me krye detyrën e tyre në mënyrën më efikase të mundshme.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga ligji për pagat që aktualisht është duke u bërë gati për procedim të mëtejshëm, sa është i nevojshëm një ligj i tillë sipas jush?

Prof. Dr. Musa Limani: Me sa dihet, ekziston drafti i ligjit për paga, por ende nuk është aprovuar. Është nevojë urgjenti aprovimi i këtij ligji. Kjo është çështje e Qeverisë, por mendoj se sa më parë duhet të bëhet nivelizimi i pagave në Kosovë, në sektorin publik. Është për të konstatuar se në Kosovë kemi një disproporcion marramendës në mes pagës më të ulët dhe pagës më të lartë. Kemi paga edhe mbi 5.000 euro, por kemi edhe paga nën 150 euro. Nivelizimi i pagave nuk nënkupton paga lineare. Për të bërë nivelizimin e pagave, nevojitet të caktohet paga minimale, e cila do të shërbejë bazë krahasuese, në të cilën bazë caktohen koeficientet. P.sh. nëse paga minimale do të ishte 350 euro, atëherë me marrëveshje do të caktohet koeficienti sipas pozitave institucionale. Andaj, për Presidentit do të jetë, fjala bie 10, atëherë paga e Presidentit do të jetë 3.500 euro. Kështu, në mes pagës minimale dhe asaj maksimale do të caktohen koeficientët për Kryeparlamentarin, Kryeministrin e strukturat e tjera shtetërore. Në kuadër të sektorëve dhe shërbimeve, po ashtu do të caktohen koeficientet sipas elementeve, siç janë: niveli arsimor, përvoja e punës, përgjegjësia në punë e kështu me radhë.

Ndërkaq, sa i përket pagës minimale, ajo duhet të caktohet në bazë të “shportës” jetësore, e jo sipas dëshirës së sindikatave apo të Qeverisë. Kjo, për arsye se paga minimale në vete nënkupton që një familje me atë nivel të pagës mbulon “shportën” e jetesës, përkatësisht siguron jetën ekzistenciale. Unë, në bazë të metodologjisë ndërkombëtare për llogaritjen e “shportës” jetësore, për analiza të mia, kam llogaritur këtë shportë për disa vite në bazë të çmimeve mesatare publike për artikuj ekzistencial të marra për çdo vit nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, ku për vitin 2020 më ka dalë se do të duhej të ishte 350 euro. Personalisht mendoj, duke u bazuar në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe situatës aktuale ekonomike, e duke pasur parasysh se paga minimale ka dhe koston e vet, paga minimale prej 350 euro, është optimale për momentin. Unë vetëm sugjerova mendimin tim personal e profesional, përcaktimi i pagës minimale varet nga marrëveshja në mes sindikatave (të cilat janë të përçara) dhe të Qeverisë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pensionet e marsit do të dalin me rritje

Story i radhës

Beniada tregon a është prishur miqësia me Einxhelin

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish