Masat e reja për mbrojtje nga Kovid-19, ngecin në Kuvend

Miratimi i masave të reja ligjore për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona do të marrë më shumë kohë se sa pritej. Në Kuvend, u vendos dhe më vonë u hoq pa asnjë sqarim nga rendi i ditës propozim/ndryshimi i Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse. Pika nuk u diskutua aspak në seancën plenare. Shumica parlamentare sqaroi për Alsat se VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar kohë për shqyrtimin e ligjit sepse ka pasur dilema për disa dispozita. Nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk u përgjigjën megjithatë më herët kishin njoftuar se do të dorëzojnë amendamente për vërejtjet që kanë, pasi të konsultonin ekspertë të fushës. Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se vlerësimin për efikasitetin e masave të reja që propozon pushteti duhet ta japin ekspertët por, sipas tyre, Komisioni për sëmundje ngjitëse që i propozon këto masa duhet të shkarkohet sepse punon me diktat politik.

Për këtë duhet të flasin ekspertët, duhet të ndiqen trendet botërore dhe përvojat e tyre në menaxhimin e pandemisë. Shohim se në shumë shtete veçmë është mundur pandemia dhe numrat ulen. Vetëm te ne merr gjithmonë e më shumë hov alarmant – tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Propozim/ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse parashikojnë përdorimin e detyrueshëm të maskës edhe në ambiente të hapura, kufizim të grupimeve pas orës 22 si dhe kufizimin e takimeve familjare. Pa miratimin e ndryshimeve ligjore nga ligjvënësi, institucionet nuk kanë mekanizma për të kontrolluar zbatimin e tyre ose të sanksionojnë moszbatimin. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se këto masa, në paketë me masa të tjera plotësuese të cilat do të hynë në fuqi pas miratimit në Qeveri dhe që nuk kanë nevojë për miratim në Kuvend, pritet të japin rezultate në uljen e ritmit të infektimeve të reja.

Fatlume Dervishi

Ngjarja paraprake

Rama kollare me flamurin shqiptar në takimin me Nikos Dendias

Ngjarja e ardhëshme

Arsenali e përjashton Ozilin

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian