Masat e pasinkronizuara të Qeverisë hipokrite

Masat e sotme të qeverisë Hoti zbulojnë natyrën hipokrite të kësaj qeverie. Pse? Ja pse!

Gastronomisë i bëhen lëshime, ndonëse gjasat janë që ajo është burimi kryesor i përhapjes së infeksionit. Fjala vjen, gastronomia lejohet të punojë në pikun e klientëve, (11-16), ndërsa mbyllet kur njerëzit zakonisht shkojnë në shtëpi (21-05.) (Realisht, kjo masë ndalimi mes orës 21- 05 do të duhej të ishte si masë e veçantë për klubet e natës.)

E dyta, nuk janë njësoj të gjitha ambientet e punës. Fjala vjen, në universitete, po edhe në kompani të ndryshme, punonjësit kanë zyra më vete, pra, kanë jo vetëm distancë po edhe mure mes vete, ndaj nuk mund të futen në një thes me ambientet ku punojnë më shumë persona. Pra, diferencimi dhe specifikat nuk janë marrë para sysh, gjë që është e palogjikshme dhe dëmtuese e cilësisë së punës në universitete dhe në shumë kompani të tjera.

E treta, me masat e sotme ndalohet që të bëhen bashkë më shumë se pesë persona në sheshe e parqe, ndërsa në orarin e lejuar të kafeneve, nuk ka kësi kufizimi. Rreziku në parqe është minimal në raport me rrezikun në një ambient të mbyllur (e të tymosur) kafeneje. Pra, penalizohen ata që kërkojnë ajër të pastër në parqe, ndërsa favorizohen ata që kontaminojnë ambientet e mbyllura. (Ama, këta të fundit paguajnë para!)

E katërta, ndalohen tregjet e kafshëve (pika 6) ndërsa lejohet therja e kafshëve (7) , gjë që nuk ka kurrfarë lidhshmërie logjike. E pesta, kush duhet t’ua matë temperaturën njerëzve që shkojnë në objekte fetare, ekipe nga shërbimi primar shëndetësor, apo vetë hoxhallarët e priftërinjtë?! (Qeveria Hoti duhet ta kuptojë se nuk mjafton të shkruhet diçka në letër, ajo duhet të tregojë se si zbatohet ajo masë, kush janë bartësit e zbatimit të saj!)

E gjashta, lejohen (demek pjesërisht) aktivitetet kulturore, sportive, fitneset dhe pishinat e mbyllura, transporti publik, (11, 12, 13, 14) por nuk lejohen të dalin as në ajër të pastër njerëzit e moshës mbi 65 vjeç. Nga përvoja e deriatshme, duket se ky është grupi shoqëror më i kujdesshëm, sa i përket respektimit të masave antikovid. Por bash ky grup penalizohet. Pse

Sepse të moshuarit nuk kanë asnjë formë ndikimi a pushteti, për ç’arsye qeveria Hoti ka vendosur t’ua shkelë të drejtat elementare dhe t’i shpall grup non grata në shoqëri. Ky është turp i madh dhe duhet t’i mbahet mend! Konkluzion: qeveria Kurti u tregua shumë arrogante, me mënyrën e aplikimit të masave kundër pandemisë. Synoi ta bënte vendin një lloj Alkatrazi. I pati penalizuar e poshtëruar edhe studentët, duke i dëbuar nga konviktet e duke ua bërë dhomat karantina, ku ua vodhën edhe gjërat personale. Ishte gabim i tmerrshëm i saj. Ndoshta sot mund të thuhet se ishte fillimi i pandemisë, ndaj edhe reagimi u bë në panik.

Ndërsa, Qeveria Hoti po tregon se me program është hipokrite dhe e padrejtë. (E padenjë është kaherë.) Po i favorizon grupet që realisht paraqesin burimin e përhapjes së infeksionit (kafenetë, fitneset, pishinat e mbyllura, transporti publik) ndërsa po i penalizon ata që nuk paraqesin asnjë rrezik, të moshuarit, që edhe kur dalin, dalin kryesisht të vetmuar.

Ngjarja paraprake

​Isteri: Biznesi nuk e përballon mbylljen e dytë në Shqipëri, gati për protestë

Ngjarja e ardhëshme

Guardiola po e ndjek modelin e Messit në strategjitë me Ferran Torresin

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian