Amendamentet kushtetuese që duhet të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë kushti i vetëm për hapjen e kapitujve, sqaroi zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se në konkluzionet e Këshillit Evropian është bërë e qartë se sapo të bëhen ndryshimet kushtetuese, pa vonesë të mëtejshme dhe pa një vendim të ri politik, do të mbahet një konferencë e dytë ndërqeveritare, në të cilën grupi i parë do të hapet.
Me këtë Mariçiq ka komentuar deklaratën e shefes së diplomacisë bullgare, Maria Gabriel, e cila sot deklaroi se kusht për Shkupin nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe dy protokollet.
Mariçiq sqaroi se kuptohet se në një kuptim më të gjerë marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe marrëveshja e Prespës janë vendosur në kornizën e negociatave si pjesë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Nuk kemi thënë që nuk do të respektohet. Do të jetë një çështje deri në fund të negociatave me BE-në. Protokollet që janë nënshkruar janë zbatuar dhe duhet të zbatohen, por ky nuk është kusht për hapjen e klasterit të parë. Kushti i vetëm për hapje janë amendamentet kushtetuese dhe kjo është e shkruar qartë në konkluzionet e Këshillit Evropian dhe çdo deklaratë tjetër e shoh vetëm si qëndrim politik”, tha Mariçiq.