Maqedonia e Veriut dhe Turqia shqyrtojnë avancimin e marrëdhënieve në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Arianit Hoxha, u takua me homologun e tij turk, Bekir Pakdemirli, i cili gjendet në vend në kuadër të një vizite zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit mes delegacioneve, të dy ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Ministri Hoxha në fjalën e tij theksoi se tregtia midis vendit të tij dhe Turqisë zhvillohet në vazhdimësi në bazë të marrëveshjes së tregtisë së lirë të vendosur që nga viti 1999. Ai shtoi se me takimin e sotëm me homologun e tij turk treguan se janë të vendosur “për të ndërtuar dhe avancuar në vazhdimësi marrëdhëniet e mira me Turqinë si një vend mik”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj gjithmonë ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga Republika e Turqisë në të gjitha sektorët, për të cilët unë jam shumë mirënjohës dhe jam i sigurt se në periudhën e ardhshme mbështetja dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej”, tha Hoxha.

Sipas ministrit Hoxha, ky thellim i bashkëpunimit konfirmohet me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes qeverive të të dy vendeve për bashkëpunim në fushën e ujit, pylltarisë, sigurisë ushqimore dhe politikës veterinare, që dy vendet e nënshkruan në janar të këtij viti në Ankara.

Ndërsa ministri Pakdemirli, i cili tregoi se është me origjinë nga qyteti i Velesit, tha se Turqia është e vendosur të mbështesë Maqedoninë e Veriut aq sa është e mundur, duke shtuar se Turqia është gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut.

Pakdemirli tha se gjatë takimit të sotshëm kanë vlerësuar se si mund t’i përparojnë në nivel më të avancuar marrëdhëniet në fushat e bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave.

“Pas kësaj, duhet të jetë zgjerimi i bashkëpunimit. Shpresoj që takimi i sotëm të rezulton shumë pozitiv. Gjithashtu mendoj që rezultatet do t’i marrim sa më shpejt”, u shpreh ministri turk.

Ai gjithashtu tha se Turqia ka pasur një kërkesë në drejtim të eksportit të produkteve të qumështit si dhe produkteve të shpendëve. Ndërsa gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut ka nevojë për çeltik, duke potencuar se do të bëhen investime në këtë drejtim.

Ai më tej gjatë fjalës tha se kanë filluar punimet për zbatimin e projektit të sigurimit bujqësor, një projekt që është duke u zbatuar në Turqi dhe është një ndër më të suksesshmit në botë.

Pakdemirli theksoi se Turqia është një vend shumë i zhvilluar në fushat e ushqimit, bujqësisë, blegtorisë, pylltarisë dhe ujërave.

“Në aspektin e produktit të brendshëm bruto në bujqësi jemi në vendin e parë në Evropë, ndërsa në botë jemi në mesin e 10 vendeve”, tha ai duke shtuar se do të ndajnë me Maqedoninë e Veriut përvojën e tyre.



.. .

Ngjarja paraprake

Bielsa: Preferoj që më të mirët të luajnë kundër nesh

Ngjarja e ardhëshme

Rita Ora ishte ndier muzikalisht e izoluar gjatë karantinës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian