Macron zbulon planin për të luftuar “separatizmin islamik”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar një plan të diskutueshëm, duke filluar një luftë kundër të ashtuquajturës “separatizëm islamik” në Francë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në adresimin e tij në qytetin Les Mureaux, Macron tha se Islami është një fe që “po përjeton krizë në të gjithë botën”, si dhe shtoi se “separatizmi islamik” është problematik.

“Problemi është një ideologji që pretendon se ligjet e veta duhet të jenë më të larta se ato të republikës”, tha Macron. 

Fjalimi i tij u kritikua gjerësisht nga muslimanët francezë për shkak të frikës se projektligji, i cili do të paraqitet në parlament në muajin dhjetor, mund të shkaktojë abuzime ndaj tyre

Sipas planit të ri, disa organizata joqeveritare dhe disa që veprojnë “kundër ligjit dhe vlerave të vendit” mund të mbyllen ose të përballen me auditime të shtrënguara financiare.

Macron tha se disa prindër muslimanë nuk i lejojnë fëmijët e tyre në shkollë të ndjekin orë mësimi të muzikës apo të shkojnë në pishina. Ai shtoi se hixhabi ose shamia nuk duhet të mbahen brenda shkollave. 

Macron tha se shkollat do të jenë nën kontroll të shtrënguar dhe se, siç tha ai, “ndikimi i huaj” nuk do të tolerohet në Francë. 

Duke theksuar se do të punojnë ngushtë me Këshillin Francez të Besimit Musliman (CFCM), Macron tha se plani synon të “çlirojë Islamin në Francë nga ndikimet e huaja”. 

Përveç kësaj, Franca nuk do të lejojë që hoxhallarë nga Turqia, Maroku, Algjeria apo vende të tjera të punojnë në këtë vend që nga viti 2024. Në vend të kësaj, hoxhallarët e komuniteteve muslimane do të jenë të detyruar të trajnohen në Francë dhe të marrin çertifikatë. 

Macron argumentoi se plani synon të “mbrojë republikën dhe vlerat e saj” duke e mbajtur fenë jashtë arsimit dhe sektorit publik. 

Por plani i diskutueshëm ka shkaktuar kritika që kur u propozua për herë të parë, me disa përfaqësues të komuntetit musliman që e përshkruan masën si “islamofobike”.

Kreu i Këshillit Musliman, Mohammed Moussaoui, më parë paralajmëroi se ata do të kundërshtojnë çdo shënjestrim të muslimanëve të cilët e praktikojnë fenë e tyre duke respektuar ligjet.

Rreth 6 milionë muslimanë jetojnë në Francë, respektivisht 8 për qind e popullsisë së vendit. Në këtë vend është asambleja më e madhe muslimane se në çdo vend tjetër musliman. 

Fjalimi i diskutueshëm i presidentit Macron u kritikua edhe në mediat sociale. Yasser Louati, një aktivist francez për të drejtat e njeriut, shkroi në rrjetet sociale se shtypja e muslimanëve ka qenë një “kërcënim”, ndërsa tani është një “premtim”. 

“Në një fjalim një-orësh, Macron varrosi laicizmin, forcoi të djathtit ekstremë, të majtit anti-muslimanë dhe kërcënoi jetën e studentëve muslimanë duke bërë thirrje për kufizime drastike në shkollimin shtëpiak, pavarësisht pandemisë globale”, shkroi ai.

Ndërkaq Bruno Macaes, një shkencëtar politik portugez, shkroi se: “Macron nuk i fsheh më ndjenjat e tij për Islamin. Nuk është më problemi Islami radikal, tani është vetëm Islami. Nuk mendoj se ndonjë udhëheqës perëndimor ka folur ndonjëherë për Islamin në këtë mënyrë. Gjithmonë ekzistonte një dallim i kujdesshëm midis Islamit dhe lëvizjeve fondamentaliste”.



. .

Ngjarja paraprake

Mbrojtësi i Real Madridit, Carvajal jashtë fushave për një kohë të gjatë

Ngjarja e ardhëshme

Mejku i Shtëpisë së Bardhë zbulon gjendjen e Trump pas infektimit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian