Disa orë pas raportimeve për një sulm të Ukrainës në një bazë ajrore të Rusisë, në Krimenë e okupuar, Rusia ka sulmuar me raketa qytetin verior të Ukrainës, Çernihiv, ku ka goditur një ndërtesë banimi e disa nga raketat kanë rënë pothuajse në qendër të qytetit.
Ushtria ruse ka sulmuar me raketa qytetin Chernihiv të Ukrainës, ku mbetën të vdekur e të plagosur dhjetëra persona. Qyteti Chernihiv ndodhet në veri të Ukrainës. Raketat kanë goditur një ndërtesë tetëkatëshe në një zonë të dendur banimi.
Oleksandr Lomako, kryebashkiaku në detyrë i këtij qyteti, ka thënë se një nga ndërtesat është goditur drejtpërdrejt me raketë, ku janë dëmtuar disa kate të saj.
Ekipet emergjente në Chernihiv po vazhdojnë kërkimet nëpër gërmadha, ndërsa zyrtarët e qytetit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.
Ky sulm i Rusisë ka ndodhur disa orë pas raportimeve për një sulm të Ukrainës në një bazë ushtarake ajrore të Rusisë në veri të Krimesë së okupuar.
Qyteti Chernihiv është vetëm rreth 100 km larg kufirit me Rusinë, ndërsa pjesë të rajonit Chernihiv ishin të okupuara nga forcat ruse për disa javë në fillim të luftës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia në shkurt të 2022-ës. Qyteti ishte mbajtur nën rrethim për më shumë se një muaj, 70% e tij ishte shkatërruar, ndërsa qindra qytetarë ishin vrarë.
Ukraina po përballet me mungesë të municioneve, ndërsa tash e sa muaj po e pret ndihmën amerikane në vlerë 60 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, e cila nuk po kalon në Kongres për shkak të kundërshtimit të republikanëve.