Lufta kundër korrupsionit tani ka filluar në krye me një ekip hetuesish nga Uashingtoni, kush duhet të frikësohet?

Shkup, 7 dhjetor –  Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Por, korrupsioni si shqetësim nuk përmendet vetëm nga qytetarët, ambasadat e huaja kanë qenë çdoherë me zë kritik ndaj këtij fenomeni, e së fundmi këto kritika edhe janë shpeshtuar sidomos nga ambasada amerikane në Shkup, e përpos kësaj janë përkthyer edhe me veprime konkrete. Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, e porsaardhur ka përmend një ndër temat që janë të vjetruara në RMV, korrupsionin, e së fundmi ka informuar që ka arritur një ekip nga Uashingtoni që do të merret me këtë çështje. Kush duhet t’i frikësohet këtij lajmi që tani më lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm deklarative por ndërmerren edhe veprime praktike, shkruan Zhurnal.

 

“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin.

Çfarë tha ambasadorja amerikane në takimin e saj të parë me kryeministrin dhe cili është veprimi i fundit nga ambasada amerikane për korrupsionin në RMV?

Angela Price Aggeler është konfirmuar si ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, ajo zëvendëson Kate Marie Byrnes, e cila ka shërbyer si ambasadore e SHBA-së në Shkup që nga viti 2019. Edhe pse ambasadore e re në vendin tonë, në paraqitjen e saj të parë është shprehur në atë formë që bëri të qartë që e njeh mirë vendin, i dinë arsyet e regresit dhe problematikat kryesore të vendit. Ajo tha se patjetër duhet të ndryshojë kultura, e për këtë duhet edhe vullnet politik, lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin.

Ndërkaq, lajmi i fundit ka bëjë me atë që një ekip i posaçëm sanksionesh nga Uashingtoni ka mbërritur në vend për të kryer një hetim më agresiv ndaj ish-aktorëve të korruptuar dhe aktualë dhe për të shqyrtuar të gjitha përgjigjet e mundshme, këtë e publikoi sot në Twiter ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler.

“Sektori gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale, për të treguar se askush nuk është mbi ligjin, ka theksuar Ageler.

Ambasadorja amerikane tha pak ditë më parë se edhe pse vendi është në rrugën drejt BE-së, korrupsioni vazhdon të pengojë përparimin e Maqedonisë së Veriut.

“Reduktimi i korrupsionit është i rëndësishëm sepse korrupsioni në çdo formë e bën të pamundur përparimin ekonomik, social, arsimor dhe strukturor të këtij vendi, të cilin e dimë se mund dhe duhet të vazhdojë ta arrijë. Megjithëse hapat janë në rrugën drejt BE-së, korrupsioni vazhdon të pengojë përparimin e Maqedonisë së Veriut duke ngadalësuar rritjen ekonomike dhe duke inkurajuar të rinjtë më të talentuar nga vendi që të kërkojnë mundësi jashtë vendit, ka thënë ambasadorja Ageler në takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Ambasadorja amerikane në disa raste ka theksuar se qytetarët e vendit meritojnë një sektor të pavarur të drejtësisë dhe se ndërhyrja politike nuk ka vend në këto procese. Ajo tha se luftën kundër korrupsionit në vend do ta bëjë prioritet të Ambasadës Amerikane sepse korrupsioni po e pengon këtë vend nga sukseset e shumta që mund të arrijë.

Zëvendësndihmës Sekretari shtetëror amerikan, Gabriel Eskobar tha pak ditë më parë se sanksionet amerikane ndaj politikanëve të korruptuar nga Ballkani po japin efekt dhe se Uashingtoni do të vazhdojë të sanksionojë zyrtarët e korruptuar nga rajoni.

Kush duhet të frikësohet nga ky angazhim i ambasadores amerikane që të luftojë korrupsionin në vend?

Frika nga hetimi i korrupsionit deri më tani nuk ka ekzistuar fare, sepse kemi pasur të bëjmë me hetime me “hapa breshke” apo “symbyllur”. Por, tani që këtë çështje e ka marr përsipër ambasadorja e re amerikane në Shkup duhet të frikësohen të gjithë ata që janë të përzier në raste korruptive. Ka marrë fund epoka që sikur je i korruptuar sikur nuk je është njësoj, tani me këtë ekip hetuesish nga Uashingtoni nuk do të jenë njësoj ata që janë të korruptuar dhe ata që nuk janë, sepse vendi i atyre që janë të korruptuar do të jenë Gjykatat për tu dënuar dhe burgjet për të mbajtur dënimet e caktuara.

Prandaj, secili bartës institucioni publik që është korruptuar apo ka korruptuar duhet të frikësohet e të shqetësohet sepse ka ardhur fundi i tyre. Ndërkaq, ky sensibilizim dhe interesim direkt i ambasadës amerikane në Shkup që ta luftojë korrupsionin në vend në mënyrë që t’i hap rrugë Maqedonisë së Veriut për progres të gjithanshëm, duhet të jetë edhe mesazh për kujdes të shtuar për të gjithë që kanë qasje në buxhetin e shtetit që mos të bien pre e provokimeve, manipulimeve dhe lakmive të ndryshme që të përzihen në raste korrupsioni, sepse vendi i tyre do të jetë në burgjet e këtij vendi. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Bleks dhe D-Tone prezantojnë super bashkëpunimin quhet “Hustle me shok”

Story i radhës

Shporta minimale është 51.714 denarë, për një vit është rritur për 16.490 denarë

Të fundit nga