Lista e kandidatëve për deputetë, Celibashi thirrje partive 9 ditë para afatit

Partitë kanë edhe 9 ditë kohë për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën me emrat e kandidatëve për deputetë. Janë 12 qarqe të vendit, ku partitë do të garojnë për të fituar 140 mandate që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje forcave politike që të përzgjedhin emra që plotësojnë kriteret ligjore.

‘Mbeten dhe pak ditë nga data 8 Mars, që është edhe afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet për çdo qark. Inkurajoj partitë politike të zgjedhin kandidatura me integritet dhe që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë përfaqësues të shqiptarëve”, shkruan Celibashi.

Që prej ndryshimit të sistemit zgjedhor në vitin 2009, partitë politike e kanë kthyer në “traditë negative” faktin që i publikojnë emrat vetëm pasi dorëzojnë listën në KQZ.

Ndërkombëtarët kanë përsëritur ditët e fundit apelin drejtuar partive në vend që të mos përfshijnë në listat e tyre persona të inkriminuar duke theksuar se në të kundërt do të jetë përgjegjësi e liderëve.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Partia Socialiste do të garojë e vetme ashtu si edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndërsa Partia Demokratike do të jetë në koalicion bashkë me 12 parti të tjera.

Një ditë më parë, KQZ miratoi specifikat teknike të fletës së votimit, por ende nuk është miratuar se si do të jetë formati që do të përdoret. Diskutimi do të jetë nëse në fletë do të kemi emra të kandidatëve për deputetë apo vetëm numra.

Në këto zgjedhje do të votohet për herë të parë me lista të hapura, ku zgjedhësit përveç partisë do të kenë mundësi që të përzgjedhin dhe emrin e një kandidati për deputet.

Ngjarja paraprake

Nigeri, ushtria mobilizohet për të shpëtuar 317 vajza të rrëmbyera në një shkollë

Ngjarja e ardhëshme

Daja: Donim më shumë se 1 pikë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian