Liria ka emrin e Bill Clinton dhe Madeleine Albright e jo të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

23 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, që shënon edhe fillimin e lirisë së Kosovës, vendin tonë e gjen me një mik më pak, pa ish Sekretaren Amerikane të Shtetit Madeleine Albright.

Pikërisht për këtë ngjarje, Kosova ka shpallur ditën e premte ditë zi, në nderim të veprës së ish sekretares së shtetit.

Më kujtohet se si fëmijë pata fatin e madh ta shoh nga afër zonjës Albright, te e cila sintetizohet liria dhe pavarësia e sotme e vendin tonë. Madeline Albright u bë zë i fuqishëm ndërkombëtar në rrugëtimin e Kosovës si vend demokratik. Pikërisht për kontributin për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj. Zonja Albright ka qenë ndër shtysat kryesore të bombardimeve të NATO-s, dhe ne vazhdimësi e ka mbrojtur ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, duke e vlerësuar se ishte gjëja e duhur “në emër të lirisë”.

Pikërisht liria që sot e gëzojmë ne mbart emrin e saj, po Liria ka emrin e Madeline Albright, Bill Clinton, Wesley Clark, dhe shumë burrështetsave të tjerë të cilët bënë të mundur që sot të jemi të lirë.

Kosova me zemër të thyer mësoi lajmin për ikjen nga kjo botë të zonjës Albright, respekti dhe nderimi për të do të jenë të pavdekshme. Për kontributin e saj të madh, Kosova e dekoroi ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë, megjithëse asnjë çmim dhe mirënjohje nuk mund të jetë i mjaftueshëm që zonja Albright ka bërë për vendin tonë.

Në vendin tonë, ka qarkulluar slogani “Liria ka emër”, duke iu referuar disa nga ish komandantët që momentalisht ndodhën në Hagë. Pa dashur t’i futem asaj pjesë të atyre që janë në Hagë, për të cilët kemi shkruar disa herë, duhet potencuar edhe njëherë, dhe aq sa të jetë nevoja, pa këmbënguljen e presidentit Clinton, mbështetjen e Tony Blairit, pa vendosmërinë e Clarkut dhe pa anën njerëzore të zonjës Albright, Kosova sot e 1000 vjet s’do të ishte çliruar.

Ishte fat i madh për Kosovën që në krye të politikës kishte njeriun e madh, Ibrahim Rugova, pesha e fjalës së tij bëri të mundur që Kosova të jetë temë në zyrat më të rëndësishme të botës, shto këtu fatin e saj që në krye të SHBA-ve ishte Bill Clinton, ish sekretarja Madeline Albright, të cilët ndryshuan fatin e Kosovës për tërë jetën. Pa ata, sot s’do ta kishim këtë liri, për këtë të jenë të sigurt të gjithë ata që paraqesin veten shpëtimtarë.

Jo vetëm se e çliruan Kosovën, por presidenti Clinton dhe zonja Albright në vazhdimësi kanë mbështetur dhe siguruar qytetarët e Kosovës që ‘Të mos gabojë askush. Për sa kohë që kjo është dëshira juaj, Kosova do të mbetet shtëpia juaj’, kështu në qendër të Prishtinës më 29 qershor të vitit 1999, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeline Albright i siguroi qytetarët e Kosovës se vendi i tyre është i lirë.

Madeline Albright iku fizikisht nga kjo botë, Kosova dhe shqiptarët kurrë s’do ta harrojnë, Liria e Kosovës mbart edhe emrin e saj.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pse duhet të hekurosni rrobat nga ana tjetër?

Story i radhës

Apasiev mysafir special në kongresin e ASH?!

Të fundit nga