Lipovski – Osmani: Mbështetje e vazhdueshme çeke për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE

7 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot pati takim dhe konferencë për media me homologun e tij çek, Jan Lipavski, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend. Në takim ishte theksuar mbështetja e vazhdueshme nga Republika Çeke për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ishin konfirmuar edhe marrëdhëniet e forcuara dypalëshe, si dhe bashkëpunimi ekonomik.

“Aspekt i rëndësishëm i vizitës së sotme është gjithsesi procesi i zgjerimit të BE-së dhe më vjen mirë që pas konferencës së parë ndërqeveritare filluan bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në korrik të vitit të kaluar nën kryesimin tonë me BE-në. Shpresoj se vendi do të vazhdojë me reformat dhe do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese. E sigurova homologun tim se mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme çeke në rrugën drejt BE-së”, theksoi Lipavski në konferencën për media, pas takimit me Osmanin.

Ai potencoi se Maqedonia e Veriut është mike dhe aleate e NATO-s e Çekisë dhe se gjithçka harmonizohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, siç vlerësohet dhe vërehet në të gjitha raportet.

“Presim që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së në ndërkohë edhe më tutje do të ofrojmë ndihmën tonë dhe bashkëpunimin në atë rrugë”, theksoi Lipavski.

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë theksoi se në shenjë të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Republikës së Çekisë dhe Maqedonisë së Veriut sot në Shkup janë edhe kryesuesi i Komisionit për Çështje Evropiane dhe Komisionit të Çështjeve të Jashtme nga Parlamenti i tyre.

Lipavski i dërgoi ftesë Osmanit për pjesëmarrje në forumin e OSBE-së për mjedisin jetësor i cili tradicionalisht mbahet në shtator në Pragë.

Osmani, pas takimit theksoi se ai dhe homologu i tij çek kanë biseduar për marrëdhëniet dypalëshe që shënojnë trend të rritjes, duke tejkaluar 250 milionë euro shkëmbim tregtar në vitin 2022.

“E informova ministrin për këshilltarin tonë ekonomik që është përgjegjës për vendet e Grupit të Vishegradit dhe pres që t’i përforcojmë marrëdhëniet ekonomike mes të dy shteteve, jo vetëm nga aspekti i shkëmbimit tregtar por edhe përmes shfrytëzimit të investimeve të mundshme direkte çeke”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, në takim e ka hapur edhe temën për shkeljen serioze të arkitekturës evropiane të sigurisë e nxitur nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.

“E paraqita prioritetin tonë më të lartë si kryesues, e ai është ndalimi i vuajtjeve të mëtejshme njerëzore, vendosja në funksion e organizatës me misione në terren për të zbutur pasojat e luftës, por edhe për të parandaluar krizat e reja dhe për të ofruar mbështetje për rajonet e ndjeshme, sipas sloganit të kryesimit tonë, i cili tingëllon ‘fjalë është për njerëzit’”, ka theksuar Osmani.

Duke iu referuar skriningut dypalësh, ai theksoi në konferencën për media se sipas informacioneve paraprake, vendi dhe institucionet tregojnë një nivel të lartë gatishmërie për ta zbatuar atë proces, gjë që, siç theksoi, vjen si pasojë e vullnetit të fortë politik në Maqedoninë e Veriut, natyrisht edhe përvoja shumëvjeçare që kemi.

Në lidhje me ngjarjet e fundit me Bullgarinë, gjegjësisht tensionet e krijuara mes të dyja vendeve, Osmani porositi që të ndërpritet ai cikël i marrëdhënieve të përkeqësuara dhe të kthehemi në agjendën pozitive me qëllim të vazhdojmë aty ku mbetëm.

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Subvencione për faturat e energjisë elektrike, Bekteshi tregon cilat familje do të përfitojnë

Story i radhës

“Humba virgjërinë me një të moshuar”/ Rrëfehet vajza që shkoi me princ Harry: Ishte diçka pasionante, pastaj…

Të fundit nga