​Linja nëpër Shkodër, më e volitshmja për hekurudhën Prishtinë-Durrës

Ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës është marrë seriozisht nga qeveritë shqiptare.

Të dyja, e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë ndarë nga rreth 1 milion euro për studimin e fizibilitetit, për çka edhe u takuan para një jave.

Linja që po përkrahet ka tjetër trase nga ajo më e përfolura, skaj Rrugës së Kombit. Në pjesën shqiptare, hekurudha do të kalojë nëpër Shkodër, për të arritur në Portin e Durrësit. Ndryshime pritet të ketë edhe në Kosovë.

“Klinë-Prizren, dhe të shkojë pranë Aeroportit të Gjakovës, pastaj do ta përcjellë rrugën ekzistuese për fshatin Ponashec dhe do të shkojë në Qafë të Morinës”, shpjegon Xhevat Ramosaj nga komisioni ndërshtetëror për hekurudhën Prishtinë-Durrës.

Kjo hekurudhë që bashkon Portin e Durrësit me atë të Tivarit në Mal të Zi, sipas Xhevat Ramosajt nga komisioni ndërshtetëror për këtë projekt, është mundësi e mirë për tërheqje të kredive të buta dhe granteve, pasi ka ndikim rajonal.

“Do të kërkojmë fonde nga Bashkimi Evropian që ndahen në formë të granteve”, thotë Ramosaj.

Projekti që parasheh kosto rreth 700 milionë euro, e fuqizon Portin e Durrësit. Kjo mund t’i prekë interesat e shteteve e tjera në rajon, e që mund të dalin kundër.

“Greqia sepse fuqizimi i portit të Durrësit do ta eliminonte, ose i bën konkurrencë portit të Selanikut, pastaj i prekë interesat e Italisë, Kroacisë”, thotë Gëzim Qerimi, ish-anëtar i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Për këtë arsye, Qerimi sugjeron që për hekurudhën është më mirë të kërkohet mbështetje financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kushte optimale, studimi i fizibilitetit përfundon kah fundi i vitit 2023. Tek pas kësaj kohe mund të fillohet me gjetjen e fondeve për ndërtim e projektit gjigant.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Analisti zbardh sondazhin: Kjo është bashkia që do të fitojë Berisha në zgjedhjet e 6 marsit

Story i radhës

Në Maqedoni, 140 mijë objekte pa leje janë në pritje të legalizimit

Të fundit nga