Lija e Majmunit ishte shfaqur për herë të parë te njerëzit në vitin 1970

Zyrtarët shëndetësorë po gjurmojnë më shumë se 100 raste të lisë së majmunit të konfirmuar ose të dyshuar që janë shfaqur në vendet ku sëmundja nuk shfaqet zakonisht, duke përfshirë Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Portugalinë, Spanjën, Suedinë, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar.

Presidenti Joe Biden, në një deklaratë për shtyp tha se situata duhet të përbënte një shqetësim për këdo, sepse mund të përhapej.

Pse nuk është aq shqetësues sa Covid?

Pas më shumë se dy vitesh duke jetuar në një pandemi, është e kuptueshme që lajmi për një virus të ri që përhapet në të gjithë globin mund të shkaktojë alarm, por ekspertët e shëndetit thonë se lija e majmunëve nuk ka gjasa të krijojë një skenar të ngjashëm me atë të koronavirusit, edhe nëse janë gjetur më shumë raste.

“Me zgjerimin e mbikëqyrjes, ne presim që të shihen më shumë raste. Por duhet ta sqarojmë këtë pjesë që nuk është Covid”, tha Dr. Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Covid-19.

Lija e majmunëve nuk është një virus i ri dhe nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronavirusi.

Sa ngjitëse është lija e majmunit?

“Njerëzit zakonisht infektohen me linë e majmunit duke rënë në kontakt të ngushtë me kafshët e infektuara. Kjo mund të jetë përmes një kafshimi të kafshëve, gërvishtjeve, lëngjeve trupore, jashtëqitjeve ose duke konsumuar mish që nuk është gatuar mjaftueshëm”, tha Ellen Carlin, një studiuese në Universitetin Georgetoën që studion sëmundjet zoonotike që transmetohen nga kafshët te njerëzit.

Origjina

Megjithëse u zbulua për herë të parë te majmunët laboratorikë në vitin 1958, gjë që i jep virusit edhe emrin, shkencëtarët mendojnë se brejtësit janë bartësit kryesorë të lisë së majmunëve në natyrë. Gjendet kryesisht në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, veçanërisht në zonat afër pyjeve tropikale. Gjendet tek ketrat dhe minjtë gjithashtu.

‘Virusi ndoshta ka qarkulluar në këto kafshë për një kohë shumë të gjatë. Dhe në pjesën më të madhe, ka qëndruar në popullatat e kafshëve”, thotë një mjek.

Rasti i parë tek njerëzit

Rasti i parë i lisë së majmunëve tek njerëzit u zbulua në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. Që atëherë, virusi ka shkaktuar periodikisht shpërthime të vogla, megjithëse shumica janë kufizuar në disa qindra raste në 11 vende afrikane.

Një pjesë e vogël e rasteve kanë arritur në kontinente të tjera, të sjella nga udhëtarët ose importimi i kafshëve ekzotike që e kaluan virusin tek kafshët shtëpiake dhe më pas tek pronarët e tyre.

Transmetimi nga njeriu tek njeriu

“Transmetimi nga njeriu te njeriu i virusit të lisë së majmunit është mjaft i rrallë”, tha Dr. Van Kerkhove. Transmetimi ndodh vërtet nga kontakti i ngushtë fizik, kontakti lëkurë me lëkurë. Pra, është krejt ndryshe nga Covid në këtë kuptim.

Virusi gjithashtu mund të përhapet duke prekur ose duke ndarë sendet e infektuara si veshjet dhe shtratin, ose nga spërklat e frymëmarrjes të prodhuara nga teshtitja ose kollitja, sipas OBSH.

Kjo mund të tingëllojë çuditërisht e njohur sepse në ditët e para të pandemisë, shumë ekspertë thanë se koronavirusi gjithashtu kishte pak transmetim nga njeriu te njeriu përtej pikave të frymëmarrjes dhe sipërfaqeve të kontaminuara. Hulumtimet e mëvonshme treguan se koronavirusi mund të përhapet përmes grimcave shumë më të vogla të quajtura aerosole me aftësinë për të udhëtuar në distancë. Por kjo nuk do të thotë se e njëjta gjë do të jetë e vërtetë për virusin e lisë së majmunit. Të paktën kështu shprehen ekspertët e shëndetit. Koronavirusi është një virus i vogël ARN me një fije, i cili mund të ketë ndihmuar aftësinë e tij për t’u transmetuar në ajër. “Megjithatë, virusi i lisë së majmunit është bërë nga ADN me dy fije, që do të thotë se virusi në vetvete është shumë më i madh dhe më i rëndë dhe i paaftë për të udhëtuar aq larg”, tha Dr. Sigal.

Rrugë të tjera të transmetimit

Rrugë të tjera të transmetimit të lisë së majmunit përfshijnë nga nëna tek fetusi nëpërmjet placentës ose gjatë kontaktit të ngushtë gjatë dhe pas lindjes.

Shumica e rasteve këtë vit kanë qenë te meshkujt e rinj, shumë prej të cilëve vetë-identifikohen si meshkuj që bëjnë seks me meshkuj. Ndaj dyshohet se lëngjet trupore janë një mundësi tjetër transmetimi.

Megjithatë kjo nuk është një sëmundje homoseksuale, pasi disa njerëz në mediat sociale janë përpjekur ta etiketojnë atë. Kushdo mund të infektohet me linë e majmunit përmes kontaktit të ngushtë.

Cilat janë simptomat dhe sa i rëndë mund të jetë infektimi me linë e majmunit?

Lija e majmunëve është pjesë e së njëjtës familje virusesh si lija, por zakonisht është një gjendje shumë më e lehtë, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Mesatarisht, simptomat shfaqen brenda gjashtë deri në 13 ditë pas ekspozimit, por mund të zgjasin deri në tre javë. Njerëzit që sëmuren zakonisht përjetojnë ethe, dhimbje koke, dhimbje shpine dhe muskujsh, ënjtje të nyjeve limfatike dhe rraskapitje të përgjithshme.

Rreth një deri në tre ditë pas ngritjes së temperaturës, shumica e njerëzve zhvillojnë gjithashtu një skuqje të dhimbshme që është karakteristikë e viruseve të lisë. Fillon me shenja të kuqe të sheshta që ngrihen dhe mbushen me qelb gjatë pesë deri në shtatë ditëve të ardhshme. Skuqja mund të fillojë në fytyrën, duart, këmbët e pacientit, në brendësi të gojës ose në organet gjenitale të pacientit dhe të përparojë në pjesën tjetër të trupit.

Sapo puçrrat e një individi të zgjerohen, në dy deri në katër javë, ato nuk janë më infektive, tha Angela Rasmussen, një virologe në Organizatën e Vaksinave dhe Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Saskatcheëan në Kanada.

Fëmijët dhe njerëzit imunitet të ulët mund të bëjnë raste më të rënda të sëmundjes, por lija e majmunëve është rrallëherë fatale. Ndërsa një lloj i gjetur në Afrikën Qendrore mund të vrasë deri në 10 përqind të individëve të infektuar, vlerësimet e deritanishme tregojnë se versioni i virusit që po qarkullon aktualisht ka një shkallë vdekshmërie prej më pak se 1 përqind.

Dhe skuqja lehtësisht e identifikueshme e lisë së majmunit, si dhe simptomat e saj të mëparshme, mund të konsiderohen të dobishme. “Një nga gjërat më sfiduese në lidhje me Covid-in ka qenë se ai mund të përhapet në mënyrë asimptomatike ose para-simptomatike, nga njerëz që nuk e kanë idenë se janë të infektuar,” tha Dr. Rasmussen. “Por me linë e majmunëve nuk duket se ka ndonjë transmetim para-simptomatik”.

Çfarë duhet të dini për virusin e lisë së majmunit

Çfarë është lija e majmunit? Lija e majmunëve është një virus endemik në pjesë të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore. Është një version më beninj i lisë. Ai u zbulua në vitin 1958, pasi u shfaqën shpërthime në majmunët e mbajtur për kërkime në laboratorë.

A ka një vaksinë?

Vaksinat kundër lisë dhe trajtime të tjera mund të përdoren për të kontrolluar një shpërthim.

A duhet të shqetësohemi?

Mundësia që virusi të përhapet gjatë kontaktit seksual është i lartë, por rreziku i transmetimit në mënyra të tjera është i ulët. Shumica e njerëzve kanë simptoma të lehta dhe shërohen brenda javësh, por virusi mund të jetë fatal në një përqindje të vogël të rasteve.

A duhet të shqetësohem për një kërcënim në rritje?

“Lajmi i mirë është se nuk ka ende prova që tregojnë se virusi i lisë së majmunit është zhvilluar ose është bërë më infektiv. Viruset e ADN-së si lija e majmunit janë përgjithësisht shumë të qëndrueshme dhe evoluojnë jashtëzakonisht ngadalë në krahasim me viruset ARN”, tha Dr. Sigal.

Cili është trajtimi i lisë së majmunit?

Nëse sëmureni, trajtimi i lisë së majmunit në përgjithësi përfshin menaxhimin e simptomave. Dy ilaçe antivirale – cidofovir dhe tecovirimat – dhe një trajtim intravenoz i antitrupave i zhvilluar fillimisht për linë mund të përdoren gjithashtu për të trajtuar linë e majmunëve, megjithëse ato janë studiuar vetëm në laborator dhe modele të kafshëve.

Ekziston gjithashtu një vaksinë që Administrata e Ushqimit dhe Barnave miratoi në 2019-ën, për njerëzit 18 vjeç e lart, që mbron nga lija dhe lija e majmunëve. Por zyrtarët shëndetësorë ndaluan vaksinimin rutinë të amerikanëve kundër lisë në vitin 1972, kur sëmundja u çrrënjos në Shtetet e Bashkuara, dhe vaksinat dhe trajtimet e lisë tani grumbullohen kryesisht për qëllime të sigurisë kombëtare.

“Shpërthimet sporadike të lisë së majmunëve që kanë ndodhur në të kaluarën nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar rifillimin e programit të vaksinimit të lisë”, tha Dr. Rasmussen.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjiknuri: PS sheh përtej interesit politik personal, do të na ndihmonte më shumë nëse presidenti do të ishte nga “barku” ynë i ngushtë

Story i radhës

Bie Instagram, përdoruesit të pamundur të aksesojnë rrjetin social

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish