Ligjet e Suedisë nuk mund të mbrojnë muslimanët dhe hebrenjtë

Përderisa Qeveria e Suedisë e konsideron djegien e Kuranit si “liri të shprehjes”, nga ana tjetër ajo nuk mund të parandalojë krimet e urrejtjes me bazë fetare që i shqetësojnë hebrenjtë dhe muslimanët në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të publikuar nga Këshilli Kombëtar i Parandalimit të Krimit (Bra), i cili punon nën Ministrinë e Drejtësisë në Suedi, thuhet se në vitin 2021, 51 për qind e të gjitha krimeve të urrejtjes kundër grupeve fetare janë krime antimuslimane, 27 për qind antisemite, 11 për qind antikrishtere dhe 11 për qind ndaj grupeve tjera.

Krimet antisemite të urrejtjes kryhen kryesisht në mediat sociale dhe burimet e disponueshme publikisht ndërsa krimet ndaj muslimanëvë më shumë kryhen me ngacmime dhe provokime.

Thuhet se gratë ishin objektiv më shumë sesa burrat në krimet e urrejtjes kundër muslimanëve dhe hebrenjve.

Duke potencuar këto të dhëna, në Raportin e Lirisë Fetare 2021 të publikuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së thuhet se shumë krime të urrejtjes nuk u raportuan në polici për arsye të ndryshme.

Në Suedi “po normalizohet antisemitizmi”

Sipas një sondazhi të Agjencisë për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian (FRA) i kryer me më shumë se 16 mijë persona në 12 shtete anëtare, mësohet se antisemitizmi po “normalizohet në mënyrë të pakëndshme” në Suedi.

Derisa 40 për qind e të anketuarve nga Suedia deklaruan se kanë përjetuar ngacmime antisemitike brenda 5 viteve para sondazhit, gati një e treta e të anketuarve thanë se kishin përjetuar ngacmime antisemitike brenda 12 muajve.

Përveç kësaj, 39 për qind e të anketuarve thanë se ishin të shqetësuar se do të jenë viktimë e abuzimit verbal ose ngacmimit antisemitik brenda 12 muajve ndërsa 27 për qind kishin frikë se do të sulmohen fizikisht në të njëjtën periudhë.

Me Partinë Demokratike të Suedisë rritet edhe antisemitizmi

Partia Demokratike e Suedisë e ekstremit të djathtë mori 17 për qind të votave në 2017 dhe 20 për qind në 2022, duke rritur incidencën e antisemitizmit në vend.

Në qytetin Malmö ku jetojnë 15 mijë hebrenj thuhet se është vendi ku përjetohen më së shumti rastet antisemitike. Antisemitizmi vazhdon të kryhet në intervale të rregullta në qytet.

Sipas hulumtimit të BE-së në vitin 2019, rastet antisemitike janë rritur me 70 për qind në 5 vitet e fundit në Malmö, një nga qytetet që njihet për antisemitizëm. Njoftohet se numri i anëtarëve në sinagogat në Malmö është ulur nga 2.500 në 500 brenda 20 viteve të fundit.

Qeveria e Suedisë u përpoq të përmirësonte imazhin e saj duke organizuar “Forumin e Përkujtimit të Holokaustit dhe Antisemitizmit” në qytet pas reagimeve për situatën në Malmö.

Në vitin 2021, derisa mbahej forumi antisemitist në qytet, fjalët “Holokausti ishte mashtrim” u projektuan në sinagogën e Malmö-s. Lëvizja Rezistenca Skandinave neonaziste mori përgjegjësinë për rastin në fjalë.

Suedia në sytë e hebrenjve

Zyrtarët e organizatave hebraike herë pas here shprehin shqetësimet e tyre në burime të hapura për situatën në Suedi.

Sipas kryetarit të Shoqatës Anti-Shpifje (ADL), Jonathan Greenblatt hebrenjtë suedezë janë të shqetësuar për antisemitizmin dhe nuk ndihen plotësisht rehat në vend për të deklaruar se janë hebre.

Brenda Katten, e cila punon në integrimin e emigrantëve dhe kryeson Shoqatën e Izraelit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth, gjithashtu e ka të vështirë të jetojë në Suedi si hebreje. Katten beson se anëtarët e komunitetit hebre përballen me një antisemitizëm në rritje në Suedi dhe jetojnë me frikën e abuzimit fizik ose verbal.

Ish-presidenti i Kongresit Botëror Hebre (WJC), i Këshillit Evropian për Tolerancën dhe Pajtimin dhe i Forumit Botëror të Holokaustit, Moshe Kantor thekson se në vende si Suedia në vitet e fundit një pjesë e madhe e komunitetit hebre është larguar nga qyteti për shkak të rasteve antisemite. Kantor citon një grua të moshuar suedeze të ketë thënë se “Suedia nuk ka qenë aspak antisemite më parë, ajo ka ndryshuar”. Ai tha se problemi është raportuar në Suedi, janë sugjeruar zgjidhje dhe tani duhet parë zbatimi i këtyre planeve.

Siyavosh Derakhti, i cili punon kundër antisemitizmit dhe ksenofobisë, raporton se rabini i sinagogës në Malmö, Shneur Kesselman, ishte pështyrë teksa ecte dhe iu hodh një shishe ujë në kokë. Duke deklaruar se hebrenjtë u larguan nga Suedia sepse hasën në raste të tilla antisemitike, Derakhti thekson se komuniteti hebre në Malmö është ulur me 50 për qind në 10 vitet e fundit. Sipas Derakhtit, antisemitizmi kërcënon ekzistencën e pakicave në Malmö.

Një nga rastet e fundit në Suedi, i cili është përshkruar si antisemitik, ishte në lidhje me Rebecka Fallenkvist, një nga figurat e larta të Partisë Demokratike Suedeze të krahut të djathtë. Fallenkvist, e cila përdori shprehjen “e pandershme” për Anne Frank, e cila vdiq në kampin nazist të përqendrimit si fëmijë dhe njihet për ditarin që mbante, mori reagime të ashpra nga brenda dhe jashtë vendit. Pas kësaj, partia e saj u detyrua të largonte Fallenkvistin nga detyra duke nisur procedurat disiplinore.

Një nga rastet që ishte në agjendën e ditës në vend ishte rasti i mjekëve hebrenj, i cili filloi në vitin 2019 dhe vazhdoi deri në fund të vitit të kaluar. Sipas raporteve në shtypin suedez, tre neurokirurgë hebrenj që punonin në Spitalin Universitar Karolinska u ngacmuan nga shefat e tyre, të njohur për retorikën e tyre antisemitike në llogaritë e tyre në mediat sociale. Administrata e spitalit shkarkoi shefin pas ankesave dy vjeçare. Megjithatë, mjekët hebrenj argumentuan se ngacmimet në spital vazhduan. Ndërkaq Gjykata Suedeze e Punës më 1 shtator 2022 vendosi se nuk kishte asnjë justifikim ligjor për shkarkimin e shefit të akuzuar për antisemitizëm.

OKB-ja paralajmëron se “Suedia duhet të shtojë përpjekjet për të luftuar racizmin sistematik”

Një delegacion i ekspertëve të pavarur të emëruar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vizitoi Suedinë më 4 nëntor 2022. Ekspertët e të drejtave racore dhe barazisë, Tracie Keesee, Yvonne Mokgoro dhe Juan Mendez zhvilluan bisedime në Stokholm, Malmö dhe Lund.

Ekspertët e pavarur nga këshilli i kërkuan Suedisë të shtojë përpjekjet për të luftuar racizmin sistematik dhe të përqendrohet në strategjitë për të rivendosur besimin midis policisë dhe pakicave në vend.

Ekspertja Tracie Keesee shprehu shqetësimin që kanë shumë njerëz kur bëhet fjalë për ndërveprimet e komunitetit të tyre me policinë. Keesee theksoi se policia e Suedisë duhet të diversifikojë stafin e saj për të pasqyruar shoqërinë multikulturore.





Story i mëparshëm

Android 14 do të bllokojë instalimin e disa aplikacioneve të jashtme

Story i radhës

Vodhi paratë që ishin mbledhur për bamirësi, arrestohet i riu në Kosovë

Të fundit nga