Liderja e opozitës në Bjellorusi hetohet për “terrorizëm”

Prokurorët në Bjellorusi nisën hetime për terrorizëm kundër udhëheqëses së opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Tsikhanouskaya është arratisur nga Bjellorusia pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të gushtit të kaluar.

Prokurori Andrei Shved tha përmes një deklarate se Tsikhanouskaya dhe disa njerëz të tjerë kanë bërë komplot për të kryer sulme me zjarr dhe me eksplozivë në Minsk dhe qytete të tjera.

Ai nuk dha më shumë detaje, por njoftimi vjen disa ditë pasi zyrtarët thanë se kanë arrestuar një person, të akuzuar për përpjekje për të organizuar shpërthime në Minsk dhe qytetin afër Barisau.

Bjellorusia është përfshirë nga protestat pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.

Alyaksandr Lukashenka pretendon se këto zgjedhje i kanë siguruar atij mandatin e gjashtë si president, por grupet e opozitës dhe disa punonjës zgjedhorë thonë se votimet janë përcjellë me mashtrime.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë refuzuar t’i njohin rezultatet e shpallura.

Menjëherë pas zgjedhjeve, mijëra bjellorusë kanë dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Lukashenkës, pas gati tri dekadash në pushtet.

Më shumë se 33,000 njerëz janë arrestuar gjatë javëve të protestave.

Shumë prej tyre janë rrahur nga policia, ndërsa disa kanë pohuar se janë torturuar derisa kanë qenë në paraburgim.

Në përgjigje të represionit, Perëndimi ka sanksionuar disa zyrtarë bjellorusë.

Javën e kaluar, Tsikhanouskaya ka bërë thirrje për një valë të re të tubimeve kundër Lukashenkës.

Policia ka arrestuar qindra mbështetës të opozitës në Minsk, të cilët kanë bërë përpjekje të nisnin tubimet.

Ngjarja paraprake

“Dukesh sikur ke dal nga burgu i grave në takime”, Arjani i drejtohet Sarës pas takimit me Shkëlqimin

Ngjarja e ardhëshme

Sa persona morën sot dozën e parë të vaksinës, Manastirliu tregon shifrën

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian