Liderët e Perëndimit shfaqin unitet për situatën në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur unitet “të plotë” në mesin e fuqive të Perëndimit, pas video-thirrjes që ka realizuar me liderët evropianë për të diskutuar si të ndalet Rusia nga pushtimi i Ukrainës.

Biseda 80-minutëshe, e realizuar më 24 janar, ka ndodhur në kohën e rritjes së shqetësimeve se Rusia mund të bëjë së shpejti lëvizje ushtarake në Ukrainë.

Pentagoni ka thënë se 8,500 trupa amerikane janë në pritje për angazhim të mundshëm në vendet anëtare të NATO-s.

“Kam pasur takim shumë, shumë, shumë të mirë – unitet i plotë me të gjithë liderët evropianë”, u ka thënë Biden gazetarëve pasi ka përfunduar thirrjen me liderë të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe NATO-s.

Uashingtoni është duke tentuar të mbajë unitet transatlantik për të ndërtuar një kërcënim kredibil të sanksioneve, si masë parandaluese kundër Moskës, prej së cilës blloku evropian siguron rreth 40 për qind të furnizimeve me gaz natyror.

Qeveria e re e Gjermanisë është përballur me kritika nga Kievi, pasi ka refuzuar të dërgojë armë për mbrojtje në Ukrainë.

Pas bisedës me Bidenin, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se Rusia përballet me “pasoja shumë të rënda” nga Perëndimi nëse sulmon Ukrainën, dhe ka thënë se “i takon Rusisë që të ulë tensionet”.

Qeveria franceze ka njoftuar se zyrtarët rusë dhe ata ukrainas do të takohen bashkë me zyrtarët francezë dhe ata gjermanë më 26 janar në Paris, për të gjetur zgjidhje për krizën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron “beson se ka hapësirë për diplomaci dhe rrugë për ulje tensionesh”, ka thënë një këshilltar i tij për agjencinë e lajmeve AFP, duke konfirmuar se Macron do të bisedojë me Putinin në “ditët në vazhdim”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka bërë paralajmërime tjera duke thënë se inteligjenca tregon që “është shumë e qartë se rusët nuk synojn të ulin tani tensionet”.

Kirby ka thënë se rreth 8,500 ushtarë amerikanë janë gati për angazhim të mundshëm.

Disa njësite do të urdhërohen që të jenë gati për angazhim me vetëm pesë ditë paralajmërim.

“Kjo ka të bëjë me sigurim të aleatëve tanë të NATO-s”, ka thënë Kirby.

“Kjo dërgon mesazh të qartë për Putinin se ne i marrim shumë seriozisht përgjegjësitë tona në kuadër të NATO-s”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara janë duke përshkallëzuar tensionet dhe se Rusia po i shikon veprimet e saj me “shqetësim të thellë”.

“Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë tensionet”, u ka thënë Peskov gazetarëve në Moskë.

NATO-ja nuk ka marrë ende vendim për të aktivizuar Forcën e Përgjigjes, e cila përbëhet nga 40,000 mijë trupa nga kombe të ndryshme.

Kirby ka thënë se nëse NATO-ja dëshiron të aktivizojë këtë Forcë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojnë në njësitet ushtarake.

Aleanca veriatlantike ka thënë se do të dërgojë aeroplanë ushtarakë dhe anije për të rritur sigurinë në anën lindore.

Danimarka, Spanja, Franca dhe Holanda, janë duke planifikuar apo shqyrtuar mundësinë e dërgimit të trupave, aeroplanëve apo anijeve në Evropën Lindore.

Tensionet kanë nxitur jostabilitet në tregjet globale.

Banka Qendrore e Rusisë ka pezulluar blerjen e valutave të huaja, pas rënies së vlerës së rublës.

Raporte të inteligjencës tregojnë se Rusia ka pozicionuar më shumë se 100,000 trupa afër kufirit me Ukrainën, duke rritur shqetësimet për pushtim të shpejtë.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i kanë thënë Putinit që të tërhiqet nga kufijtë e Ukrainës, duke paralajmëruar se sulmi rus do të nxisë sanksione ekonomike, si dhe prezencë të madhe të NATO-s në Evropën Lindore.

Rusia ka aneksuar Krimenë më 2014 dhe mbështet separatistët në rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

Rusia mohon se synon të pushtojë Ukrainën dhe akuzon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për provokim të situatës.

Kremlini ka shfrytëzuar pozicionimin e trupave për të prezantuar një listë me kërkesa për të ridizajnuar arkitekturën e sigurisë në Evropë.

Moska dëshiron që NATO-ja të braktisë ndonjë plan eventual për t’iu bashkuar aleancës dhe kërkon largim të konsiderueshëm të aleancës nga Evropa Lindore.

Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë thënë se disa kërkesa të Rusisë nuk janë të diskutueshme, mirëpo kanë treguar gatishmëri për të diskutuar për kontrollin e armëve, raketat dhe masa për ndërtim të besimit.

Katër runde të nivelit të lartë të diplomacisë këtë muaj mes Rusisë dhe Perëndimit, kanë dështuar të rezultojnë me një pikë kthese./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Komuna e Strugës nënshkroi memorandum bashkëpunimi me EuroStep-Shkup

Story i radhës

Dashuria, 3 shenjat që tregojnë se lidhja nuk po funksionon

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish