Libianët ende e kujtojnë rolin e EBA-s në masakrën në akademinë ushtarake

Ka kaluar një vit që kur Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), një mbështetës i komandantit puçist libian Khalifa Haftar, kryen një sulm me dron mbi një akademi ushtarake në kryeqytetin Tripoli, në të cilën u vranë 26 kadetë të rinj.

Më 4 janar 2020, 26 kadetë libianë të paarmatosur, kryesisht nën moshën 20 vjeç, u masakruan në sulmin me dron të EBA-s gjatë një trajnimi rutinë ushtarak në oborrin e Akademisë Ushtarake “Al-Hadba” në jug të Tripolit.

“Ishim larg disa metra nga vendi i goditur nga raketa. Kur dolëm në oborr, dëshmuam një pamje të tmerrshme. Ishte tepër e tmerrshme të shihje raketat e shtëna mbi 30 studentë të paarmatosur”, tha për Anadolu Agency (AA) oficeri ushtarak Ahmed al-Rajhi, i cili ishte dëshmitar i masakrës.

“Disa nga studentët sapo kishin filluar shkollën 1 apo 2 ditë më parë. Ata ishin të gjithë të rinj me sjellje të mirë”, tha al-Rajhi.

Oficeri libian ishte njëri nga qindra studentët e akademisë ushtarake që u trajnuan në Turqi si pjesë e paktit për bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë të nënshkruar më 27 nëntor 2019 midis Ankarasë zyrtare dhe Qeverisë libiane të Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB.

“Pas rreth gjashtë muajsh nga sulmi brutal, ne u dërguam në Turqi nga Akademia Ushtarake për t’u stërvitur për komando në provincën Isparta”, tha al-Rajhi.

“Stafi i trajnimit në Isparta na priti me shumë ngrohtësi. Ne ishim si vëllezër me ta dhe fituam një trajnim shumë cilësor prej tyre”, shtoi ai.

Disa orë pas sulmit, një nga komandantët e Haftarit, Khalid al-Mahjoub, tha për një televizioni lokal se ata morën informacione se “grupet e milicisë të lidhura me fiset” po stërviteshin në akademi.

Pasi pamjet e studentëve të rinj të vrarë qarkulluan në mediat sociale dhe shkaktuan zemërim ndërkombëtar, zëdhënësi i Haftarit, Ahmad al-Mismari, tha se grupi terrorist DEASH qëndron pas sulmit.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA), me qendër në kryeqytetin Tripoli dhe e udhëhequr nga kryeministri Fayez al-Sarraj, u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB.

Por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate kanë dështuar për shkak të ofensivës ushtarake nga milicët besnikë të Haftar-it.

OKB njeh qeverinë e kryesuar nga kryeministri Fayez al-Sarraj, gjithashtu e mbështetur nga Turqia, si autoriteti legjitim i vendit pasi Tripoli zyrtar ka luftuar me milicitë e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka shkaktuar mijëra viktima.

Përpjekjet diplomatike janë duke u zhvilluar në muajt e fundit për të arritur një zgjidhje të konfliktit libian, pas fitoreve të bëra nga Ushtria Libiane kundër milicive të Haftarit.



. .

Ngjarja paraprake

Lëndohet Lukaku, mësohet sa do të mungojë

Ngjarja e ardhëshme

Mos u trembni nëse keni vënë re disa njolla të kuqe në lëkurë, zbuloni arsyen pse iu shfaqen

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian