Letra e trishtë e një babai në prag festash: “Ju dua bijtë e mi dhe lutem për ju, edhe pse më injoroni”

“Të dashur bijtë e mi!
Nuk e di nëse një ditë do ta keni mundësinë të më shihni të plakur e të pafuqishëm, por nëse më shihni, bëni durim dhe më kuptoni. Kujtohuni pak se sa herë ju kam lidhur këpucët, ju kam ushqyer, apo kam qarë me ju. Nëse duke folur me ju përsëris të njëjtat fjalë, nuk do të thotë se s’kam gjë për të thënë, por ju lutem më dëgjoni. Kur ishit të vegjël, duhet t’ju tregoja histori dhe të këndoja këngë çdo natë (edhe nga ato që i kishim konsumuar shumë herë), derisa juve t’ju zinte gjumi.

Kur të kuptoni injorancën time mbi shpikjet e reja, apo mbi modelet e reja të flokëve, kini durim dhe më jepni kohën e duhur për t’u përshtatur. Unë kam pasur një durim ekstrem ndërkohë që ju mësoja abetaren. Ndoshta nuk e mbani mend, por ju kam mësuar shumë gjëra. Të visheshit, të hanit, të përballeshit me jetën dhe të kishit guxim. Por jeta ndonjëherë të rrëshket nga duart dhe nuk është faji ynë që ajo nuk rrjedh siç e kishim ëndërruar. Kur në një moment të caktuar mundohem të kujtoj fytyrën tuaj, nuk arrij ta mbaj mend. Më duhet kohë për t’u kujtuar. Nëse më shihni teksa vonohem për ta kujtuar diçka, mos u mërzisni. Më jepni kohë, më dëgjoni dhe më përqafoni.

Nëse kjo letër ju bën të ndiheni keq, ju kërkoj falje, por më mungoni shumë. Unë nuk doja që gjërat të shkonin kështu. Kur them se nuk dua të jetoj më, unë nuk tallem. Një ditë do të më kuptoni dhe do ta kuptoni arsyen që më shtyn ta them. Duhet të kuptoni se në moshën time, edhe pse nuk jam shumë i moshuar, prapë nuk jetohet. Mbijetohet. Ama edhe mbijetesa është e vështirë pa pasur pranë njerëzit e dashur.

Një ditë do të kuptoni se, pavarësisht gabimeve të mia, kam dashur përherë më të mirën për ju. Jam munduar t’ju jap më të mirën, edhe pse ndonjëherë gjërat nuk kanë shkuar siç kam dashur. Më jepni pak kohë nga koha juaj, durim nga durimi juaj dhe një shpatull ku të mbështes kokën. Bëjeni këtë gjë, siç e bëja unë për ju, edhe pse ndonjëherë nuk e kam bërë ashtu siç duhej. Më ndihmoni të eci, më ndihmoni t’i mbyll ditët e mia me ju. Në këmbim, unë do t’ju jap një buzëqeshje dhe një dashuri të pafundme që e kam pasur përherë për ju.

Ju dua bijtë e mi dhe lutem për ju, edhe pse më injoroni.
Nga babi juaj”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

23 filma që nuk duhet ti humbisni në vitin 2023

Story i radhës

Tre ushtarakë të vrarë në Saratov të Rusisë

Të fundit nga