Letër publike për Viola von Cramon – raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën

Zonjë e nderuar Viola, e drejta dhe e vërteta për Kosovën duhet parë dhe gjykuar me korrektësi dhe sinqeritet.

Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke folur për raportin e saj për Kosovën për vitin 2021, veç tjerash theksoi solidarizimin me Ukrainën, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike dhe antidiskriminimin, kërkesën për zbatimin e vendimit të Kushtetueses së Kosovës për Manastirin e Deçanit, liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi, informon “Bata Sot”.

Zonjë e nderuar Viola, për ta kuptuar si duhet dhe realisht qasjen ndaj çështjes së Manastirit të Deçanit, Ju rekomandaj ta lexoni si vijon, “Nëse në vitin 1999 bashkësia ndërkombëtare intervenoi për të liruar Kosovën nga dominimi serb , kjo nënkupton edhe çmontimin e të gjithë infrastrukturës uzurpuese ligjore serbe, ku bën pjesë edhe prona e Manastirit të Deçanit. Sipas kësaj logjike të mbrapshtë që po e praktikojnë ndërkombëtarët në Kosovë, Amerika dhe shumë shtete latinoamerikane asnjëherë nuk mund të liroheshin nga kthetrat e legjislacionit britanik, spanjoll, dhe as shpalljes së pavarësisë së këtyre shteteve.

Presionet e diplomatëve të huaj që e vizitojnë Kosovën por edhe të atyre që i kanë zyrat në Prishtinë, janë shpeshtuar muajve të fundit kur është në pyetje zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi pronat e Manastirit të Deçanit. Por, në anën tjetër, të njëjtit diplomatë bëhen indiferentë ndaj të njëjtës Gjykatë kur është në pyetje vendimi i saj që konteston disa nene të projekt- ligjit mbi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me rastin e Manastirit të Deçanit nuk marrin mundin të analizojnë gjendjen paraprake pronësore-juridike, ku del thjeshtë një arbitraritet i Beogradit për të uzurpuar pronat e Kosovës sipas ligjeve të mëparshme të Millosheviqit. Tokat që tani Manastiri I Deçanit pretendon se janë të tijat, deri më 1997 ishin pronë e një kooperative bujqësore të Deçanit, të cilat me ligje arbitrare serbe u uzurpuan dhe i ndërruan në prona kishtare serbe.

Kështu u veprua edhe me kishën e papërfunduar që ndodhët në kampusin e Universitetit të Prishtinës, e cila është ngritur në kundërshtim me të gjitha normat ligjore të Kosovës, duke e shndërruar këtë kishë politike në një ishull uzurpues mbi pronat e Universitetit të Prishtinës”, shkruan veç tjerash publicisti Emin Azemi në opinionin e tij me titull, “Ndërkombëtarët me standard të dyfishta ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës!”, botuar në “Bota Sot” në rubrikën Opinione të datës 1 korrik 2022.

Zonjë e nderuar Viola, sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe vetë e keni kuptuar se problem qëndron te burokracia dhe shantazhet e BE-së, pasi që Kosova që moti i ka përmbushur kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave, dhe turpi e mëkati bie mbi BE-në.

Ndërkaq, lidhur me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Albin Kurtit po bën hapat e duhur në reformën në drejtësi, prokurori dhe gjyqësi, duke përfshirë edhe vetingun.

Qeveria e Albin Kurtit me të njëjtin angazhim dhe përkushtim po punon edhe në pastrimin e administratës publike nga burokracia e instaluar në 21 vitet e kaluara.

Qeveria e Albin Kurtit, lidhur me çështjen e antidiskriminimit është e angazhuar që dispozitat e përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës të zbatohen me përpikëri.

Ju edhe vetë e shihni që në Kosovë pakica serbe i ka të garantuara me Kushtetutë të drejtat dhe liritë e pakicave më shumë se çdo pakicë tjetër në botë, megjithatë pakica serbe në Kosovë është e instrumentalizur nga Beogradi dhe Moska për të bërë ç’rregullime në Kosovë, me qëllim të shtrirjes së ndikimit serbo-rus në Kosovë.

Mund ta bëni një krahasim me të drejtat dhe liritë që gëzojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët i janë nënshtruar një represioni të ashpër nga Serbia për t’i detyruar të shpërngulen nga trojet denbabaden shqiptare.

Zonjë e nderuar Viola, sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, jam i sigurt se e keni kuptuar qëndrimin pro serb të Ketrin Eshton, Frederika Mogherini dhe të Johanes Hahn, të cilët Serbisë agresore gjenocidale në Kosovë nuk i vendosën asnjë kusht, duke i vënë në një rrafsh Serbinë agresore gjenocidale dhe Kosovën viktimë.

Të njëjtin pozicion e vazhduan edhe Josep Borrell-Shef për politikë të Jashtme të BE-së dhe Miroslav Lajçak- emisar i BE-së, të cilët u dëshmuan me qëndrimet e tyre pro serbe dhe me favorizimet që po ia bëjnë Serbisë agresore gjenocidale karshi Kosovës viktimë.

Vizita ditë më parë e Miroslav Lajçakut në Prishtinë dhe në Beograd, i ngjante më shumë një propagande të tij personale për tu rizgjedhur në këtë post, pasi së shpejti i kalon mandati, se sa interesimi i mirëfilltë dhe serioz për ta çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe Josep Borrell edhe Miroslav Lajçak me punën e tyre të gjertanishme në dialogun Kosovë-Serbi, kanë treguar destruktivitet, dhe nëse dëshirohet që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses dhe drejtësi, edhe Borrell dhe Lajçak duhet të zëvendësohen me dy persona të tjerë korrektë dhe dinjitozë.

As Josep Borrell dhe as Miroalav Lajçak, nuk e kritikuan asnjëherë Serbinë kriminale për strukturat paralele serbe në Veri të Kosovës, për krimin e organizuar dhe kontrabandën në Veri të Kosovës, për bllokimin e rrugëve, për sulmet e bandave kriminale serbe ndaj policisë së Kosovës që përpiqet për vendosjen e rendit dhe të sigurisë, për mospagesën e rrymës, të ujit dhe të shërbimeve komunale nga serbët tashmë 20 vite në Veri të Kosovës, për diskriminimin që u bëhej shtetasve të Kosovës me targat e automjeteve dhe me dokumentet e identifikimit gjatë kalimit të kufirit për në Serbi.

Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak asnjëherë nuk e kritikuan Serbinë kriminale për kolonizimin që po e bën në Veri të Kosovës, duke ndërtuar koloni serbe, ku në shtëpi të reja e të mobiluara po i vendosën serbët që asnjëherë më parë nuk kanë banuar në Kosovë, ndërsa Serbia i ka dëbuar me forcë, më shumë se 14 mijë shqiptarë autoktonë nga trojet shqiptare në Veri të Kosovës.

Zonjë e nderuar Viola, këto gabime dhe lëshime të qëllimshme që i bënë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, duhet të evidentoheshin edhe në raportin T’uaj të vitit 2021 për Kosovën.

Jashtë çdo logjike demokratike e njerëzore është tolerimi që po i bëhet Serbisë kriminale lidhur me mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë kriminale dhe lidhur me lidhjet vëllazërore që është duke i mbajtur Serbia me Rusinë kriminale.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“E paskeni marrë rrogën me ba shoping”/Adriana Matoshi i kundërpërgjigjet ndjekëses

Story i radhës

Samsung zhvendos vëmendjen nga Galaxy A dhe S në seritë me ekran me palosje

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish