Letër e hapur kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka

Përveç bërllokut që ta zë frymën gjithandej qytetit, përveç uzurpimit të shfrenuar të hapësirave të gjelbëruara publike, posaçërisht nga kafenetë e shumta, të cilat po hapen pothuajse në çdo ndërtesë të banimit kolektiv, gjë tjetër nuk mund të shihet në qytetin e Prizrenit tonë. Dikur, jo vetëm qytetarët e tij, por e gjithë Kosova krenohej me Prizrenin e pastër e të bukur.

Zotëri kryetar,

Qytetarët ju kanë dhënë votën për ndryshme. Edhe unë i kam besuar premtimeve tuaja, prandaj ju kam votuar. Me sloganin “erdhi dita” ju jeni zotuar se me ardhjen tuaj në pushtet do të bëni shumë. Keni dhënë fjalë të mëdha për hapësira të bollshme për parkimin e automjeteve, për shërbime cilësore publike, për largimin e mbeturinave, gjegjësisht për mbajtjen pastër të qytetit, e për shumë të mira të tjera. Mbi të gjitha, jeni votuar për atë që shumëkush ka shpresuar – “çkapja e shtetit”!

Zotëri Haskuka,

Duket se premtimet tuaja i latë mënjanë. Qyteti është plot e përplot me vetura të parkuara gjithandej nëpër trotuaret e këmbësorëve. Qytetarët rrezikojnë duke u detyruar të ecin rrugëve të automjeteve ngase zgjidhje tjetër nuk kanë. Kontejnerë ka e s’ka, por edhe nëse ka ato janë përlot me bërllok. Qyteti nuk është i pastër si dikur.

Zotëri kryetar,

Ju ndoshta e “çkapët” shtetin nga të tjerët, por duket se atë e kapët vetë! Mbase “erdhi dita” juaj, por iku ajo e qytetarit! Me këmbët tuaja i bëtë udhë gjurmët e paraardhësve tuaj, ata të cilët dikur i keni akuzuar aq shumë.

Në qoftë se zyra e pararendësit tuaj, kryetarit të komunës, është mbajtur hapur për qytetarët në nevojë, ju e keni mbyllur atë, për të mos thënë e keni kyçur fare. Katër herë kam bërë kërkesë me shkrim për t’u takuar me ju, në mënyrë që t’i qaj hallet përpara kryetarit tim. Mirëpo, ju më keni injoruar gjithmonë! Rrjedhimisht, më latë vetëm këtë mundësi, që t’ju drejtohem përmes kësaj letre, edhe pse këtë formë nuk e kam pëlqyer kurrë.

Sikur ju të më kishit pranuar në zyrën tuaj, unë do t’ju njoftoja rreth problemeve, dallavereve, padrejtësive, marrëzive, veprimeve të turpshme antiligjore e antinjerëzore, të cilat janë bërë dhe po bëhen hapur në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA). Ndaj, në këtë letër, do të shkruaj vetëm për çështjet e arsimit.

Zotëri Haskuka,

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) e ka shkatërruar arsimin në Prizren!

Nëse të tjerët që kanë qenë para jush, kanë bërë manipulime dhe padrejtësi të shumta në sektorin e arsimit, për të cilat “Vetëvendosje’ me të drejtë i ka kundërshtuar dhe akuzuar, ju “ua keni kapërcyer” atyre!

Zotëri kryetar,

A jeni në dijeni se çfarë po “zihet” në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA)? Dini apo nuk dini se “apartiakja” (siç e quan veten drejtoresha aktuale e DKA-së), Xhemile Thaqi-Vezgishi nuk njeh as ligj, as drejtësi? Dini apo nuk dini se drejtoresha e DKA-së, e cila duket se ka njohuri të mangëta rreth çështjeve të arsimit (pasi nuk ka bërë asnjë ditë përvojë pune në arsim), e ka “kapur” DKA-në!

Megjithëkëtë, ju e keni sjellë atë në krye të DKA-së. Sjelljet me plot cinizëm e arrogancë të drejtoreshës së DKA-së, nuk përkojnë me namin dhe respektin që duhet ta ketë një institucion i lartë arsimor e shtetëror, siç është DKA-ja. Kur është fjala për punësimin e mësimdhënësve, DKA-ja nuk e njeh parimin dhe kriterin e përvojës së punës në arsim, as atë të rezultatit të arritur nga testi me shkrim. Duket se i vetmi “kriter” për t’u punësuar është ai i të qenit familjar apo i afërm me grupin apo klanin që drejton komunën e Prizrenit.

Zotëri Haskuka,

DKA-ja po bën kërdi në punësim! DKA-ja shkel çdo rregull e normë ligjore. Drejtoresha e DKA-së është bërë vetë ligji! DKA-ja punëson mësimdhënës pa konkurs, paguan mësimdhënës pa punuar fare?! Ky është tmerr, është krim!

Ju, zotëri kryetar, duhet ta mbikëqyrni punën e drejtoreshës së DKA-së, të cilën, tek e fundit, ju vetë e keni sjellë aty. Drejtoresha e DKA-së shpallë konkurse për vende fiktive pune, dhe në fund (ri)“punëson” dikë që realisht është duke punuar. Përmes veprimeve të këtilla manipulohet dhe luhet me ndjenjat e 65 mësimdhënësve, të cilët duke mos ditur për “dallavaret” prapa perdeve, konkurrojnë kot për një vend “të lirë” pune, që realisht është “i rezervuar” për një mësimdhënëse të caktuar, gjegjësisht për një mësimdhënëse të cilën DKA-ja e ka pranuar pa konkurs, dhe ata para dy vitesh. Për më keq, pikërisht për këtë rast, DKA-ja është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

A ka njeri që nuk beson se çdo gjë rreth këtij rasti ka qenë e kurdisur që më parë? Pse vetëm kandidatja që “ishte shkruar” të pranohej, do ta bënte testin me shkrim “më mirë” se çdo kandidat tjetër?! Ose, pse asnjëri nga të tre anëtarët e Komisionit kukull për përzgjedhjen e mësimdhënësve, nuk më dhanë asnjë përgjigje pasi atyre u thashë se isha 100 % i sigurt se ai vend pune ishte i rezervuar për mësimdhënësen F.F. (emrin e plotë të cilës nuk po ia përmend për keqardhje personale dhe arsye të privatësisë)?! Megjithëkëtë, edhe Komisioni, edhe drejtoresha e DKA-së, e dinë shumë mirë se kush është mësimdhënësja F.F. E, si mos ta dinë derisa ata vetë e kanë punësuar atë pa konkurs (para dy vitesh), ose e kanë ri”punësuar” sërish tani “me konkurs” fiktiv! Për këtë kam bërë ankesë në DKA përpara se të shpalleshin rezultatet e konkursit, në të cilën e kam përmendur emrin e plotë të F.F.-së, për të cilën kisha thënë se vetëm ajo do të pranohej. Mirëpo, DKA-ja nuk më ka kthyer përgjigje, si gjithmonë më parë. E kuptoj, nuk ka pasur çfarë të më thoshte!

Zoti kryetar,

Në DKA-ja bëhen gjëra edhe më të tmerrshme. DKA-ja paguan mësimdhënës edhe nëse ata nuk punojnë fare. Të tillët rrinë në shtëpi ndërsa marrin paga nga shteti! Nëse ju nuk keni “dëgjuar” për raste të tilla “të pamundshme”, atëherë ju sugjeroj ta pyesni zëvendësin tuaj (të cilit nuk po ia përmend emrin) se çfarë lidhjesh familjare ka ai me mësimdhënësen A.C., (emrin e plotë të së cilës nuk po ia përmend për keqardhje dhe arsye privatësie), e cila ka marrë pagë pa punuar fare, dhe më pas është punësuar pa konkurs në një shkollë tjetër!

Zotëri Haskuka,

Kështu nuk “çkapet” shteti! Nëse ju personalisht nuk jeni i përfshirë në këto punë, sa të papastra, po aq edhe antiligjore, atëherë ju e keni autoritetin dhe fuqinë ligjore që t’i ndaluar veprimet e tilla. Ju mund t’ua tërhiqni vërejtjen nëpunësve tuaj, të cilët ju i mbikëqyrni, për çdo parregullsi eventuale brenda punës së tyre. Nëse tërheqja e vërejtjes është e pamjaftueshme, atëherë shkarkojini ata që keqpërdorin detyrën dhe autoritetin zyrtar! Mund të veproni njësoj siç keni vepruar edhe me drejtorin paraprak të DKA-së!

Zotëri Haskuka,

Veprimet e paligjshme dhe të turpshme në DKA-në e Prizrenit nuk mbarojnë me kaq. DKA-ja nuk zbaton asnjë vendim të organeve kompetente, siç janë Inspektorati i Punës dhe Gjykata Themelore, të cilat kanë dënuar dhe obliguar DKA-në që të rishpallë konkurse për vende të caktuara pune, në të cilat Gjykata ka gjetur prova dhe parregullsi.

Mirëpo, DKA-ja nuk brengoset as për vendimet e Gjykatës, as për ato të Inspektoratit të Punës. DKA-ja e ka kapur shtetin, apo më mirë me thënë DKA-ja është bërë “vetë shteti”. DKA-ja vazhdon të fsheh orë të shumta mësimore, dhe mban të fshehura shumë vende të lira pune. Mbase ato i ruan për mësimdhënës të caktuar! Nuk mërzitet DKA-ja nëse nxënësit e pafajshëm humbin orë të shumta mësimore, se sa për mësimdhënës të cilët detyrohen të bredhin rrugëve, as që bëhet fjalë.

Zoti kryetar,

Unë besoj se detyra juaj është që ju t’i dënoni dhe ndalni krimet e vazhdueshme që po ndodhin në DKA. Nëse veprimet antiligjore i ka dënuar Gjykata, ato duhet t’i dënoni edhe ju. Mos i heshtni krimet të cilat deri dje sa nuk kishit pushtet keni akuzuar shumë. Heshtja dhe mbështetja e krimit është vetë krim, apo jo?

Nëse “erdhi dita” juaj për të ardhur në pushtet, atëherë mbrojeni atë ditë duke çkapur pushtetin, dhe duke kapur popullin. Bëjeni këtë nëse keni për synim edhe një mandat tjetër!

Ngjarja paraprake

Dy Racione Kos në Javë – Përfitimet për Shëndetin e Zemrës

Ngjarja e ardhëshme

Manastir, foshnja dy muajshe rezulton pozitiv me koronavirus

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian