LDK-ja të kthehet në rrugën e Rugovës ose do të shuhet

Ishte 23 dhjetori i vitit 1989 kur me iniciativën e disa shkrimtarëve dhe intelektualëve të Kosovës u themelua partia e parë antikomuniste në trojet shqiptare e më gjerë. Përderisa në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë u krijuan disa shoqata politike, në Kosovë në shtator dhe tetor të 1989-ës një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh fillojnë të punojnë për bashkimin rreth një force politike shqiptare, e cila më vonë do të emërohet Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton Liri, Pavarësi dhe Demokraci, mbërthyer brenda kodit të drejtës për shtet të pavarur dhe sovran.

Intelektualët e kohës në krye me Dr.Ibrahim Rugovën, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, filluan misionin historik për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

Fal vizionit, urtësisë së Rugovës, Kosova bëri miq që ju gjenden në momentet vendimtare. E udhëhequr nga djali i një ballisti, LDK-ja mbarti mbi vete proceset më të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës për një dekadë.

Pas vdekjes së presidentit historik dhe udhëheqësit të LDK-së, fatkeqësisht LDK-ja përfundoi tek një ish-komunist i regjur, duke vënë në pah metodat e një regjimi partiak dhe shtetëror, LDK-ja u katandis aq sa humbi besimin e qytetarëve duke përfunduar në debakël në zgjedhjet e vitit 2021.

LDK-ja për shumë kohë ishte shpresa e qytetarëve për të ndryshuar kursin qeverisës të instaluar nga PDK-ja, është bërë një ndjekëse e keqe e kësaj të fundit. Sot, LDK-ja ka kryetar një djalë të ri nga mosha, jo edhe nga vizioni, pak i dallueshëm nga ish-kryetari Mustafa. Me reforma të pakta e vështirë të shihet në horizont perspektiva e kësaj force politike e keqtrajtuar padrejtësisht nga vet udhëheqësia e saj.

Edhe ky përvjetor e gjen këtë forcë politike larg rrugës së trasuar nga Ibrahim Rugova, në kërkim të ADN-së së saj, e përhumbur që nga 21 janari i 2006-ës. Rikthimi i LDK-së në gjenezën e saj është i favorshëm për opozitarizmin, skenën politike dhe vet Kosovën. Aktualisht indikacionet nuk janë shpresëdhënëse, por besimi s’duhet humbur. LDK-ja ka njerëz të zgjuar dhe të përgatitur nga të gjitha sferat e jetës, vetëm duhet të largohet nga diktakti i PDK-së, të rikthehet në vlerat rugoviane. Sa më shpejt aq më mirë.

Story i mëparshëm

Rusia: Raketat”mjaft të vjetra” amerikane në Ukrainë nuk do të na pengojnë

Story i radhës

Türkiye, arrestohen 8 të dyshuar të FETO-s gjatë tentimit për të ikur në Greqi

Të fundit nga