Lavrov: Konflikti në Libi duhet të zgjidhet përmes diplomacisë

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, pas takimit me homologun e tij italian, Luigi Di Maio, ka deklaruar se konflikti në Libi mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë dhe se të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje duhet të shkojnë në të njëjtin drejtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën e përbashkët për media me homologun italian, kryediplomati rus tha se ata arritën në përfundim se nuk ka asnjë alternativë tjetër për tejkalimin e konfliktit libian përveç me mjete politike dhe diplomatike.

“Ne ishim të interesuar për një zgjidhje të hershme të krizës libiane, që nga fillimi i këtij konflikti i cili pasi nuk duhet harruar u shkaktua nga një veprim agresiv, një aventurë e NATO-s në shkelje të rënda të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2011 kur NATO bombardoi Libinë”, tha Lavrov.

Ai theksoi se ata ende janë “duke u përpjekur të mbledhin së bashku fragmentet e kësaj vaze”.

“Që nga fillimi, Rusia mbajti marrëdhëniet me të gjitha palët libiane pa përjashtim, përfshirë ato në lindje dhe në perëndim si dhe me përfaqësuesit e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) dhe të parlamentit në Tobruk, me udhëheqjen e Ushtrisë Kombëtare Libiane dhe me përfaqësues të tjerë”, tha Lavrov.

Duke vënë në dukje se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Libinë duhet të zbatohet, Lavrov tha se të gjitha përpjekjet ruse synojnë të garantojnë që kjo rezolutë të zbatohet dhe se për këtë qëllim “ndërmjetës të shumtë po përpiqen të kontribuojnë këtu”.

Këta ndërmjetës, tha Lavrov, janë Italia, Rusia dhe vendet e tjera në rajon, përfshirë Egjiptin, Marokun, Tunizinë si dhe Gjermaninë si iniciatore e Konferencës së Berlinit.

“Tani detyra më e rëndësishme është të sigurojmë që të gjitha këto përpjekje të ecin në të njëjtin drejtim”, tha Lavrov, duke shtuar se me rëndësi është që të gjitha palët libiane të përfshihen në procesin politik për të siguruar ekuilibrin e interesave të të gjitha rajoneve të Libisë.

Duke theksuar se e gjithë puna në këtë drejtim duhet të kryhet nën kujdesin e OKB-së, Lavrov tha se pas takimit të mbajtur midis palëve libiane në Kajro, përgatitjet po zhvillohen për një të takim në Gjenevë.

Ai theksoi se është i rëndësishëm emërimi urgjent i një të dërguari të posaçëm të OKB-së për Libinë, një pozicion i cili ka qenë i lirë që nga muaji marsi, duke shtuar se “nuk është sekret se pengesa kryesore që e pengon atë pozicion është qëndrimi i SHBA-ve”. 

Bashkëpunim i fortë ndërkombëtar

Ndërsa kryediplomati italian, Di Maio tha se është shumë me rëndësi për të përforcuar bashkëpunimin midis Libisë, Italisë dhe Rusisë duke theksuar nevojën për mbështetje ndërkombëtare për të organizuar forumin tjetër të dialogut politik libian.

Di Maio kujtoi mbështetjen e Italisë për rifillimin e furnizimeve të naftës nga Libia.

Ai tha se tashmë ka “përparim” me rivendosjen e prodhimit të naftës në disa pjesë të Libisë, duke shtuar se shpresojnë se do të përhapet në pjesën tjetër të vendit.

Më 21 gusht, qeveria libiane shpalli një armëpushim dhe urdhëroi ushtrinë të ndalojë operacionet kundër milicive të komandantit renegat, Khalifa Haftar. Megjithatë, që nga ajo kohë ushtria ka raportuar disa shkelje të armëpushimit nga milicët.

Javëve të fundit, janë zhvilluar përpjekje diplomatike për të zgjidhur konfliktin pas fitoreve nga ushtria kundër forcave të Haftarit.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit, Muammar Gaddafi në vitin 2011.

GNA u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike kanë dështuar për shkak të një sulmi ushtarak nga forcat besnike të Haftarit.

OKB-ja e njeh qeverinë e GNA-së të drejtuar nga Fayez al-Sarrah si autoritet legjitim të vendit, pasi Tripoli ka luftuar me milicitë e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka marrë mijëra jetë.

Turqia mbështet qeverinë legjitime të udhëhequr nga Al-Sarraj. 

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Di Maio po ashtu falënderoi homologun e tij rus për “përpjekjet e bëra për arritjen e një ndërprerjeje të armiqësive” në konfliktin e Malësisë së Karabakut midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Ai tha se Italia është “shumë e shqetësuar” për rrezikun e një përshkallëzimi në konflikt dhe e shqetësuar për viktimat midis civilëve.

“Vetëm një zgjidhje politike mund të çojë në paqe dhe stabilitet në rajon. Është e pamundur të zgjidhet ky konflikt me mjete ushtarake. Ngjarjet aktuale tregojnë se ‘status quo’-ja nuk mund të ruhet më. Prandaj, është e nevojshme që palët të rinisin negociatat pa parakushte nën kujdesin e bashkë-kryesuesve të Grupit të Minskut”, tha Di Maio.

Përleshjet shpërthyen më 27 shtator kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.

Sipas autoriteteve të Azerbajxhanit, të paktën 43 civilë azerbajxhanas janë vrarë në sulmet e forcave armene dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur.

Di Maio tha se vendi i tij “vlerësoi shumë” pozicionin e ekuilibruar të Moskës, duke shtuar se ata besojnë se Rusia po ashtu si një bashkë-kryesuese e Grupit të Minskut mund të luajë një “rol vendimtar” në promovimin e dialogut duke “përdorur ndikimin e saj” në Armeni dhe Azerbajxhan.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit për rreth tre dekada ka mbetur nën pushtimin e paligjshëm të Armenisë.

Të dy shtete u pajtuan për një armëpushim humanitar që hyn në fuqi të shtunën për shkëmbimin e të burgosurve në Malësinë e Karabakut.

Armëpushimi erdhi pas një takimi trepalësh në Moskë midis kryediplomatëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Por, forcat armene filluan një sulm raketash të dielën në qytetin azerbajxhanas Ganja, pavarësisht se qyteti ishte jashtë zonës së vijës së frontit, duke lënë të vrarë 10 civilë dhe duke plagosur rreth 35 të tjerë.

Disa rezoluta të OKB-së dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese nga tokat e Azerbajxhanit.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Rusia, Franca dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani pa rezultate. Megjithatë, në vitin 1994 u ra dakord për një armëpushim.

Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe për sovranitetin e saj mbi territoret e pushtuara. 



. .

Ngjarja paraprake

Skandali/ Denoncimi i ish-ministrit: Në spitalin e Durrësit qëndrojnë pacientë me Covid!

Ngjarja e ardhëshme

Zoom lançon një platformë eventesh, integron aplikacione

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian