Kuvendi miratoi Planin e punës për vitin 2021

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Planin e punës së Kuvendit për vitin 2020.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.

Me propozimin e këshilltarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti, mbledhja e sotme e Kuvendit ka filluar duke nderuar me një minutë heshtje eprorin e lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-ushtarin të UÇK-së, Gyner Murati, i cili ndërroi jetë tri ditë më parë.

Para se të procedohej me rendin e ditës dhanë betimin dy këshilltarët e rinj të Kuvendit, Kasib Bashota nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Bahri Blakçori nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët zëvendësuan ish-këshilltarët Pajtim Balaj dhe Avni Fetahu, të cilët janë zgjedhur drejtorë në ekzekutivin e Komunës. Këshilltari Bahri Blakçori, pas dhënies së betimit, njoftoi Kuvendin se mandatin e tij do ta ushtrojë si pjesë e Grupit të Këshilltarëve të LVV-së.

Kuvendi, duke miratuar rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa, ka hequr nga rendi i ditës i informatën lidhur me gjendjen financiare të Komunës së Podujevës për vitin fiskal 2020.

Lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Fevzi Jetullahu, ka arsyetuar propozim vendimin e Listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2021.

Kundër miratimit të këtij vendimi është shprehur shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, i cili tha se lista e pronave të palujtshme ka mangësi dhe se aty duhet të hyjnë edhe pronat e uzurpuara.

Ndërsa, Bajram Ajeti në emër të Grupit të Këshilltarëve të LVV, kërkoi që Kuvendi ta miratojë Listën e veçantë të pronave, duke thënë se të njëjtën listë, Kuvendi e ka votuar njëzëri vitin e kaluar.

Mrika Thaçi-këshilltare e AAK, e cila tha se do ta votojnë Listën e veçantë të pronave.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi kërkoi nga këshilltarët që ta votojnë Listën e veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2021, sepse ky dokument përmban, arsyetimin e interesit publik dhe zhvillimit ekonomik të Komunës, të dhënat kadastrale, qëllimin e dhënies në shfrytëzim, destinimin e secilës pronë dhe periudhën kohore për dhënien në shfrytëzim të pronës përkatëse të paluajtshme të Komunës.

“Me dhënien në shfrytëzim të pronave të palujtshme të Komunës ne synojmë të sjellim investitorë nga jashtë, në mënyrë që krahas zhvillimit ekonomik, të kontribuojmë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha kryetari Bulliqi.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë, Propozim vendimin e Listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2021, nuk mori votat e mjaftueshme për miratim.

Kuvendi në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e përbërjes së Këshillimit Komunal për Siguri në Bashkësi- KKSB

Kuvendi gjithashtu miratoi Planin eë punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2021, i hartuar dhe përgatitur nga Grupi punues përkatës.

Në pikën të ndryshme këshilltarët komunalë shtruan pyetje dhe bënë propozime të ndryshme. Këshilltarja e LVV, kërkoi nga drejtori për Buxhet e Financa, ta informojë Kuvendin lidhur me gjendjen financiare të Komunës së Podujevës për vitin fiskal 2020. Atëherë kur drejtori i për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, doli në foltore për të paraqitur informatën lidhur me gjendjen financiare të Komunës së Podujevës për vitin fiskal 2020, këshilltarët komunalë të LDK-së dhe PDK-së e lëshuan mbledhjen e Kuvendit.

Pyetjeve dhe propozimeve të këshilltarëve i është përgjigjur kryetari Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive përkatëse.

Këshilltari komunal njëherësh edhe shef i Grupit të Këshilltarëve të LVV, Vendenis Lahu, njoftoi se kjo është seanca e fundit e tij në këtë legjislaturë, pasi do ta dorëzojë mandatin e këshilltarit.

Ngjarja paraprake

“Lash të dashurën që e dua shumë për t’u kthyer tek familja ime!” 41-vjeçari: Mendoj se kam bërë një gabim të madh

Ngjarja e ardhëshme

MSH: Në shkurt dozat e para të vaksinës Fajzer

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian