Kush i bllokoi kufijtë me Kosovën?

September 14, 2024
min lexim

“Të vetorganizuar” dhe në prani të policisë serbe, për pak sa nuk shkaktuan një bllokadë njëditore të dy pikave kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 6 shtator, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri, zonë e banuar me shumicë serbe.

Grupe të vogla njerëzish vendosën bllokada në anën serbe të kufirit në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdarë dhe pas bllokadës, Qeveria e Kosovës mbylli për qarkullim pikëkalimet në Bërnjak dhe Merdarë.

Nëse në polici të Serbisë është raportuar vendosja e bllokadave në pikat kufitare me Kosovën dhe se si pjesëmarrësit mund të vendosin se kush mund të kalojë dhe të kontrollojnë dokumente personale, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk janë përgjigjur për Radion Evropa e Lirë.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike beson se shoqatat nuk i kanë organizuar vetë bllokadat.

“Është pjesë e strukturës së shtetit”, thotë ai dhe shton se pjesëmarrësit në bllokadat e vendosura në kufi, nuk jetojnë më në veri të Kosovës.

“Këta janë persona të zhvendosur nga Kosova. Kemi rreth 40 organizata joqeveritare. Këto tri organizata nuk janë spikatur në dhjetë vjetët e fundit“, thotë Janjiq.

Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë dhe Mal të Zi, më 8 shtator u organizua një bllokadë e shkurtër në rrugën kryesore drejt kufirit me Shqipërinë në zonën e komunës së Tuzit.

Grupi që bllokoi këtë rrugë kishte vendosur edhe pankartën “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, gjë e cila nxiti një reagim të ashpër nga drejtuesit e komunës së Tuzit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Reagim të ashpër pati edhe nga të gjitha partitë shqiptare në Mal të Zi.

Subjektet politike shqiptare në Mal të Zi kërkuan përgjegjësi nga policia dhe prokuroria malazeze për këtë akt dhe kërkuan identifikimin e grupit që, siç thanë ata, vendosën pankartën nacionaliste.

Subjektet politike thanë se nuk kanë marrë përgjigje për këto kërkesa nga autoritetet.

Bllokadat në Serbi “të vetëorganizuara”, policia në rolin e vëzhgueses

Gjatë bllokadave në pikat kufitare, policia serbe nuk ka ndërhyrë për të parandaluar vendosjen e tyre.

Makinat me targa serbe kaluan nëpër kufi pa problem, por ato me targa të Kosovës u ndalën nga organizatorët e bllokadave, të cilët kontrollonin nëse personat që udhëtonin me këto makina kishin dokumente serbe.

Kamionët nuk u lejuan të kalonin kufirin.

Në përgjigje të deklaratës se policia nuk i ka penguar që të bllokojnë, përfaqësuesi i Shoqatës për Kultivimin e Traditave të Atdheut, Radomir Rojeviq, thotë se kanë njoftuar autoritetet për bllokadat, duke shtuar se bllokada të ndryshe po organizohen edhe në Beograd.

I pyetur nëse kanë pasur mbështetjen e shtetit për bllokimin e pikave kufitare dhe ndihmën financiare të dikujt tjetër, ai thotë se nuk kanë pasur një ndihmë të tillë.

“Jo, për fat të keq jo. Po të kishim, do të kishim ndoshta 1 mijë njerëz atje. Jo, nuk na dhanë asnjë dinar. Gjithçka që kërkuam prej tyre ishte që [pjesëmarrësit ] të mos shpërndaheshin nga policia. Nëse shteti do të donte të na ndihmonte, nuk do të ishim në bllokada”, thotë Rojeviq.

Të njëjtën përgjigje jep edhe Dragisha Miriq.

“Çfarë vendi, ne jemi aq të inatosur me shtetin sa nuk po marrin asnjë masë diplomatike. Jemi organizuar në mënyrë të pavarur, nuk kemi pasur asnjë ndihmë financiare”, pohon Miriq.

Të grumbulluarit në bllokadat në pikat kufitare kërkuan që të zhbëhej vendimi i Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri, vendimi për përdorimin e dinarit serb dhe të dokumenteve serbe.

Po ashtu, ata kërkuan edhe që Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it për qëndrimin e tyre për bllokadat dhe nëse kanë qenë në kontakt me organizatorët.

Policia në Mal të Zi pretendon se nuk ka pasur “asnjë” bllokim të rrugëve drejt Shqipërisë

Një grup i paidentifikuar personash bllokoi autostradën drejt Shqipërisë dhe shpalosi pankartën “Kur ushtria kthehet në Kosovë” dhe publikuan fotografi në rrjetet sociale.

Policia e Malit të Zi nuk është përgjigjur zyrtarisht në pyetjet e REL-it nëse është raportuar për bllokimin e rrugës Tuzi-Bozhaj dhe nëse po, cila organizatë ka organizuar këtë bllokim.

Jozyrtarisht, REL-it iu tha se në tubim morën pjesë më pak se 20 persona, që është më pak sesa kërkohet me ligj për të raportuar një tubim publik. Po ashtu ata jozyrtarisht thanë se në këtë rast prokuroria nuk ka konstatuar elemente të veprës penale.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, thotë se kjo ishte një shfaqje skandaloze që vënë në pikëpyetje veprimet e organeve kompetente, veçanërisht të policisë, për të cilën pretendon se ka ofruar siguri gjatë këtij tubimi.

“Edhe pse policia ofroi siguri gjatë tubimit, fakti është se para syve tanë, hordhitë provokuese të keqbërësve shpërndanin lirshëm mesazhe që bënin thirrje për konflikte”, thotë Gjelaj.

Gjelaj thotë për REL-in se edhe pesë ditë pas kësaj ngjarjeje, policia nuk është përgjigjur se kush e organizoi tubimin dhe nëse ishte marrë leje nga autoritetet për të.

Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente, para së gjithash drejtorisë së policisë, që të marrin masa të menjëhershme dhe të sigurojnë që incidente të tilla të mos e kërcënojnë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Tuzit në të ardhmen.

“Provokime të tilla mund të kishin pasoja fatale… Mesazhe të tilla luftënxitëse, të cilat haptazi bëjnë thirrje për gjakderdhje të re në rajon, nuk kanë vend në një komunitet si ky”, thotë ai.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikolla Camaj, thotë se ngjarje të tilla nuk kanë vend në Mal të Zi, veçmas në Malësi, zonë e banuar me shumicë shqiptare, ku gjendet edhe komuna e Tuzit.

“Provokimi ka kaluar pa incidente vetëm në sajë të rrethanave fatlume, pasi vendasit nuk kanë qenë të informuar dhe nuk kanë ditur për këtë ngjarje”, thotë ai.

Forumi Shqiptar u bëri thirrje autoriteteve që, siç thonë ata, mundësuan organizimin e “kësaj loje shoviniste”, të marrin përgjegjësinë dhe të japin dorëheqjen.

Partia shqiptare Forca, e quajti ngjarjen pranë kufirit me Shqipërinë një demonstrim të politikës së “Serbisë së Madhe” dhe një përpjekje për të destabilizuar situatën në Mal të Zi.

Kjo parti i bëri thirrje kryeministrit Millojko Spajiq, që të distancohet nga veprime të tilla. Spajiq nuk ka reaguar për këtë rast.

Partitë shqiptare bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës të Spajiqit, së bashku me partitë populiste dhe proruse në Mal të Zi.

Këtë ngjarje e ka trajtuar Qendra e forenzikës digjitale, që na njoftuar se ka identifikuar një pjesë të personave që u tubuan pranë kufirit me Shqipërinë.

Kjo qendër tha se ata ishin anëtarë të të ashtuquajturit Batalioni i shtatë i ish-Ushtrisë Jugosllave dhe anëtarë të vëllazërisë Tvrdosh Nikshiq, të cilët janë të afërt me Kishën Ortodokse Serbe.

Batalioni i shtatë i ish-ushtrisë jugosllave ishte formuar më 1999 dhe u shërbeu autoriteteve të atëhershme në Beograd, gjegjësisht regjimit të Sllobodan Millosheviqit për aktivitete hibride në territorin e Malit të Zi dhe shkaktimin e incidenteve, provokimeve dhe konflikteve.

Tvrdosh Nikshiq është organizatë që përfaqëson vlera antiperëndimore dhe proruse dhe ka elemente të dukshme të konservatorizmit fetar dhe kombëtar.

Kjo organizatë e vlerëson misionin e saj si patriotik dhe humanitar, ndërsa përdor ikonografi që janë karakteristikë të grupeve të djathta.

Slogani “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, ishte shfaqur për herë të parë më 2023, kur ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës.

Përveç ngjarjeve në skenën politike malazeze, ngjarjet rajonale shpesh janë shkas për aktivizimin dhe veprimin e organizatave dhe individëve të ekstremit të djathtë.

Kush mori pjesë në bllokadat kufirin mes Serbisë dhe Kosovës?

Shoqatat e regjistruara në Serbi, përfaqësuesit e të cilëve ishin në bllokada, janë pak të njohura për publikun.

Organizatorët e bllokadës deklarojnë se aksioni nuk ka qenë i koordinuar me autoritetet në Serbi.

Ndër organizatat e cituara në media si organizatore të bllokadave janë edhe “Asociacioni i qytetarëve të Rrethit Kosovë-Mitrovicë” dhe shoqata “Koreni Nish”.

“Asociacioni i qytetarëve të Kosovës-Rrethi i Mitrovicës” është themeluar në fillim të vitit 2010 dhe ka selinë në Beograd.

Me termin rrethi Kosovë-Mitrovicë, Qeveria e Serbisë i referohet komunave në veri të Kosovës.

Ajo është e regjistruar si shoqatë që synon të ushqejë traditat serbe dhe përfaqësues i saj është Radomir Rojeviq.

Emri i Rojeviqit ishte në mesin e pjesëmarrësve në prezantimin e librit “Gjyqtar në luftë dhe paqe” të autores Danica Marinkoviq, i cili u mbajt në tetor 2023 në Moskë.

Marinkoviq ishte gjyqtare hetuese në Kosovë gjatë luftës dhe njihet për mohimin e masakrës kundër civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Kosovës më 1999.

Në media, emri i tij gjendet edhe gjatë viteve ’90, pasi Rojeviq ka qenë zyrtar i lartë i Majtës së Bashkuar Jugosllave (JUL), partisë së Mirjana Markoviqit, gruas të Sllobodan Millosheviqit.

Zëvendëskryeministri aktual i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka qenë zyrtar i kësaj partie.

Rojeviq, i cili ishte në vendkalimin në Jarinjë, deklaron për Radion Evropa e Lirë se shoqatat serbe që kanë familjet e tyre në Kosovë kanë marrë pjesë në bllokda.

“Situata për serbët në Kosovë e Metohi çdo ditë e më shumë po vështirësohet. Është e qartë se shteti nuk po bën asgjë dhe ne kemi dashur të themi që këtu do të bllokojmë me kaq pak njerëz. Arritëm atë që ne donim”, shprehet ai.

Radomir Rojeviq ka jetuar në Mitrovicën e Veriut. Por, sot ai nuk jeton më në Kosovë.

Edhe Dragisha Miriq, i cili ishte në pikën kufitare në Merdarë, nuk jeton më në Kosovë, por në Nish, në jug të Serbisë.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se për vendosjen e bllokadave në pikat kufitare janë pajtuar 19 shoqata.

Miriq udhëheq shoqatën “Koreni Nih”, e cila është themeluar në fillim të vitit 2020. Qëllimet e shoqatës, siç thuhet, janë “decentralizimi i pushtetit” dhe përmirësimi i kushteve të jetesës, si dhe mbrojtja shëndetësore dhe sociale e qytetarëve.

Sipas Miriqit, shoqata ka më pak se 500 anëtarë dhe në të bëjnë pjesë persona të zhvendosur nga Kosova, refugjatë nga ish-Jugosllavia, si dhe qytetarë të Nishit.

Dragisha Miriq ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2006 deri në vitin 2011. Ai për dy vjet ka qenë edhe këshilltar i ministrit të atëhershëm të Kosovës për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Agim Veliu.

Ai ka udhëhequr Partinë Serbe Kosova Metohia, emri i së cilës më vonë u ndryshua në Partinë e Re të Kosovës.

Ai ka qenë edhe kandidat për kryetar të Graçanicës në vitin 2015, duke garuar në kuadër të Lëvizjes Popullore për Kosovën.

Në vitin 2019 ai u largua nga koalicioni Liria, të udhëhequr nga Nenad Rashiq, ministri aktual për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, për shkak të mesazheve që Rashiq përcolli përmes një videoje në gjuhën shqipe. Miriq ka deklaruar ato mesazhe “madhërojnë pavarësinë e Kosovës”.

Ai atëherë ishte anëtar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Deçanit, institucion nën kontrollin e Serbisë, që Kosova e konsideron paralel dhe të paligjshëm. Ai u shkarkua nga kjo pozitë nga Qeveria e Serbisë në qershor të vitit 2023.

Po ashtu, në Nish nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka qenë këshilltar në komunën e qytetit të Medianës në kuadër të Lëvizjes “Mjaft është mjaft”.

Gazetarët e REL-it panë nisjen e një autobusi nga Beogradi për në kufirin me Kosovës në prag të bllokadës, me Sllavica Vujaçiq nga “Shoqata e Grave nga Kosova dhe Metohia”.

Në mars të këtij viti, zyrtarë të lartë të partisë në pushtet në Serbi, Partia Progresive Serb të presidentit Aleksandar Vuçiq, kur deklaruan se ajo ishte sulmuar gjatë rrugës për në Beograd, thanë se ajo ishte aktiviste e kësaj partie.

Vujaçiq refuzoi t’i tregonte REL-it nëse ajo është aktiviste politike dhe nëse po, a ka lidhje me bllokadat. Paria e Vuçiqit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të REL-it.

“Shoqata e Grave nga Kosova dhe Metohia”, përfaqësuese e së cilës është Vujaçiq sipas Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve është themeluar më 2007 dhe ka selinë në Beograd.

Mbrojtja e personave të zhvendosur nga Kosova dhe refugjatëve nga territori i ish-Jugosllavisë është përmendur si synim i kësaj shoqate në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve.

“Shoqata e Grave nga Kosova dhe Metohia” është e regjistruar në të njëjtën adresë me Asociacionin e Qytetarëve të Rrethit Kosovë-Mitrovicë.

Kush ishin personat e maskuar në Bërnjak?

Autoritetet e Kosovës mbyllën për qarkullim pikëkalimin në Bërnjak në mbrëmjen e 6 shtatorit për shkak se, siç bëri të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, “janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”.

I pyetur se cilët janë fytyrat e maskuara, njëri nga organizatorët e bllokadave, Radomir Rojeviq, thotë se ata ishin studentë të fakultetit në Mitrovicën e Veriut.

“Kanë vënë maska sepse mbi kokat e tyre ka pasur dron, kanë qenë 10, 15, nuk ka pasur problem, kanë vënë maska që të mos identifikoheshin e të mos arrestoheshin kur të shkonin nesër në universitetin në Mitrovicë”, thotë ai.

Janjiq: Bllokadat janë dështim i organizatorëve

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike e sheh bllokimin e pikëkalimeve si “dështim serioz të organizatorëve”.

Janjiq beson se qëllimi kryesor i bllokadave ishte largimi i vëmendjes dhe ikja nga tema e litiumit, për të cilën temë autoritetet serbe kanë hasur në kundërshtimin e disa qytetarëve.

“Dhe nëse do të transferohej në Kosovë si tani, kemi disa radikalë, kështu që Beogradi, Qeveria do t’i largojë, tashmë i ka hequr [bllokadat]. Mendoj se është një vetëgoditje [për Serbinë] sepse Qeveria e Kosovës e përdori mirë”, thotë ai.

Veprimet e Prishtinës në veri të Kosovës dhe bllokadat në anën serbe të kufirit ndodhën në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me kritika nga bashkësia ndërkombëtare për veprime “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

Një ndër këto veprime është edhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.

Më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës.

Institucionet e mbyllura ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

VLEN: BDI ka përdorur buxhetin publik si sirtar privat për të ushtruar ndikim politik

Story i radhës

“Të pabaza akuzat për tabelat” – BDI i thotë VLEN-it: Cenimi i gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar, janë rezultat i hyrjes në qeveri si humbës

Të fundit nga

Vullneti-Gjestit: Foli pak Xhenetës

Banori i shout më të madh në vend, Vullneti i ka kërkuar diçka Gjestit. Me seriozitet të madh, Vullneti i thotë Gjestit që t’i flas Xhenetës lidhur me sjelljet e saj. Ajo
ShkoLartë