Klodiana Lala ka deklaruar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se njerëz shumë afër me kryeministrin Rama, shfaqen në një video me prokurorin Arjan Ndoji të cilit i bënë atentat, kur ndodhej në shoqërinë e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi.
“Nëse Prokuroria nuk do të zbardhë atentatin ndaj Plarent Dervishajt, nuk sqaron rolin e Arjan Ndojit, që ka lidhje shumë të forta me mazhorancën deri në nivelet më të larta të qeverisjes, është kapur edhe në video me eksponentë shumë të lartë të mazhorancës në këtë vend, njerëz shumë afër kryeministrit. Duhet të sqarohet”, tha Lala.
Gazetarja shpjegoi edhe përfshirjen e autoriteteve franceze në zbardhjen e atentatit në mbikalimin e Shkozetit.
“Prokuroria e Posaçme firmosi disa urdhër arreste në kuadër të operacionit “Komploti” që kishte të bënte me zbardhjen e atentatit mbi automjetin e prokurorit Arjan Ndoj, ku u plagos prokurori dhe Aleksandër Laho, Rrumi. Ndërroi jetë Andi Maloku, shoferi i prokurorit.
Në atë kohë u arrestua Redjan Rraja, një ish dentist në burgun e Fushë Krujës, nipi i deputetit Rrahman Rraja, që dyshohej si njëri nga atentatorët. Sigurisht ai nuk ishte i vetëm, sepse pamjet filmike tregonin për një person të dytë dhe një të tretë.
Gjatë hetimeve, autoritetet franceze që hetonin për një rrjet të trafikut të drogës, arritën të zbërdhejnë aplikacionin “Sky”, që përdoret nga grupet kriminale. Nga zbardhja e bisedave, rezultonte se Plarent Dervishaj kishte arritur që përmes anëtarëve të tij, të organizonte këtë atentat, sepse dyshonte se Aleksandër Laho, kishte realizuar një atentat ndaj tij në Shijak, para atentatit në mbikalimin e Shkozetit.
Problemi është se nëse çështja mbetet këtu është e paplotë. Duhet të sqarojë motivin Prokuroria. Ishte Arjan Ndoj një prokuror i goditur për shkak të detyrës? Apo u godit pasi këta persona kishin dyshime që ishte përfshirë në grupim kriminal? Kjo duhet të zbardhet. SPAK nuk jep motivin dhe mund të krijojë probleme.
Ka patur një hetim tjetër nga SPAK, që Aleksandër Laho ka tjetërsuar prona. Blinte zyrtarët dhe pastaj u merrte paratë mbrapsht me dhunë. Ke një moment tjetër, SPAK thotë ka zbardhur atentatin ndaj prokurorit, por nuk ka të dyshuar për atentatin ndaj Plarent Dervishajt. Këto grupe janë përplasur për pronat në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit, kjo është një luftë që nuk ka për të përfunduar këtu.
Nëse Prokuroria nuk do të zbardhë atentatin ndaj Plarent Dervishajt, nuk sqaron rolin e Arjan Ndojit, që ka lidhje shumë të forta me mazhorancën deri në nivelet më të larta të qeverisjes, është kapur edhe në video me eksponentë shumë të lartë të mazhorancës në këtë vend, njerëz shumë afër kryeministrit. Duhet të sqarohet”, deklaroi Lala.