Kuqezinjtë, të gatshëm kundër Spanjës

Armando Broja dhe Herdi Prenga ishin dyshja e radhës nga Kombëtarja që folën në prag të ndeshjeve kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë.

Dy lojtarët e përfaqësueses shqiptare dolën në një konferencë për mediat nga grumbullimi i Kombëtares në Barcelonë. Sulmuesi kuqezi, i cili është njeriu i momentit dhe një nga futbollistët më në formë të Kombëtares, ishte i pari që foli dhe thekson se janë gati.

Për Brojën ekipi do të luajë për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Spanjës, pavarësisht se luhet ndaj një prej skuadrave më të mira në botë.

Gjithashtu, talenti kuqezi ka komentuar edhe situatën me Southampton, rritjen e tij dhe të ardhmen, teksa ka edhe një mesazh për tifozët që e mbështesin aq shumë.

Armando Broja, tha: “Jemi gati fizikisht si ekip, e dimë se do të jetë ndeshje e vështirë kundër Spanjës. Grumbullimi po shkon shumë mirë deri, po stërvitemi mirë. Urojmë të fitojmë kundër Spanjës.

Kam luajtur kundër dy mbrojtësve të Spanjës, por është ndeshje ndryshe. Do jetë shumë e vështirë nesër, Spanja ka ekip të fortë, por edhe në jemi ekip i mirë. Kemi kualitetin tim si ekip. Po stërvitemi mirë dhe uroj të fitojmë”.

Kalimi nga Holanda në Premier League është një hap i madh: “Jam rritur ma shumë si djalë, kam mësuar më shumë te Southampton. Deri tani po më shkon shumë mirë.

Duhet të vazhdoj kështu përpara, të ndihmoj ekipin dhe të luaj më mirë për veten time dhe të shkoj përpara. Ka qenë një kapërcim i mirë, një hap i madh kaloja nga Vitesse te Southampton, është kapërcim i madh nga Holanda në Premier League.

Kam besuar te vetja, jam i lumtur për këtë kapërcim. Dua të vazhdoj përpara, e ardhmja do ketë ulje-ngritje, por dua të eci përpara duke u stërvitur mirë dhe fort. Me këmbë në tokë e duke punuar arrihen shumë gjëra”.

Ne futemi në fushë për të fituar ndeshjet, ndaj kujtdo. Spanja ka ekip të fortë. Kemi ekip të mirë dhe të fortë, nuk kemi frikë asnjë ekip. Do luajmë me taktikat tona dhe shpresoj të fitojmë. Miqësoret janë të mira për të marrë eksperiencë, uroj të fitojmë ndaj Spanjës. Edhe e prisja dhe nuk e prisja ta nisja kaq mirë. E dija se ishte e vështirë në sezonin e parë në Premier League, por kam pasur besim te vetja. E dija se me stërvitje dhe këmbë në tokë do bëja mirë. Shpresoj të vazhdoj përpara.

Tani jam i fokusuar vetëm te Southamptoni, dua ta mbyll mirë sezonin. Dua të fokusohem të vetja dhe ekipi. Jam lojtar i Chelsea, nuk dua të shoh shumë përpara, thjesht dua të vazhdoj të luaj mirë dhe të stërvitem mirë. Të shohim në fund të sezonit.

Faleminderit shumë për mbështetjen tifozëve. Vazhdoni të më mbështesni mua, FSHF-në dhe shpresoj me fitore kundër Spanjës. Kemi një grup shumë të mirë, trajner të mirë. Si grup dhe duke marrë rezultate dhe eksperiencë, mendoj se kemi një shans të mirë të futemi në Europian ose Botëror. Uroj ta arrijmë atë nivel, do ishte një gjë shumë e mirë për Shqipërinë”.

Më tej, fjalën e mori mbrojtësi Herdi Prenga, një nga lojtarët e rikthyer pas një shkëputjeje në Kombëtare e që po kalon një formë mjaft të mirë me klubin në Hungari, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit elitar hungarez me Kisvardas. Prenga uron që të ketë mundësi të luajë në këto dy miqësore, për të shpërblyer edhe besimin e stafit teknik me paraqitjet e tij në fushë.

HERDI PRENGA, tha: “Kam qenë në kombëtare para katër vitesh, kur ishte trajner Panuçi. Sigurisht jam i kënaqur që jam sërish me çunat dhe kombëtaren. Falënderoj trajnerin për ftesën, do të jap maksimumin dhe do të mundohem të ndihmoj ekipin. Minutat që kam pasur në Hungari më kanë ndihmuar të jem sërish në kombëtare. Jam paraqitur mirë aty dhe mora ftesën.

Sigurisht, ata janë lojtarë që luajnë në një nga kampionatet më të fortë në botë, kanë eksperiencë, kualitet dhe mund të mësoj shumë gjëra nga ata. Unë do të jap maksimumin në stërvitje, pastaj e vendos trajneri sa minuta do të më japë ose nuk do të më japë. Të shohim.

Nuk ka qenë e lehtë. Panuçi dhe Reja kanë pak ndryshime. Atmosfera është shumë e mirë sërish. Stërvitjet janë pak të ndryshme në anën teknike, por secili trajner ka stilin e vet.

Me klubin në Hungari ndihem shumë mirë, e kam gjetur veten aty. Ekipi është i mirë dhe rezultatet janë shumë të mira. Kam qenë mirë, në gjysmësezonin e parë isha mbrojtësi më i mirë dhe në formacionin ideal. shpresoj të vazhdoj ashtu dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Duhet pritur fundi i sezonit, unë do të jap më të mirën dhe të shohim çfarë do të ndodhë”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Nga nesër mbyllet rruga Prishtinë-Mitrovicë në fshatin Smrekonicë

Story i radhës

Forcat Ajrore të Ukrainës kanë nevojë për teknologji më të avancuar

Të fundit nga