Kuqezinjtë lënë gjurmët e tyre në Europë, 5 gola e 2 asiste

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë një nga më pozitivet për pjesën më të madhe të lojtarëve të Kombëtares shqiptare që aktivizohen në kampionatet europiane. 5 gola, 2 asiste dhe super paraqitje nga kuqezinjtë, të cilët po tregojnë formën e tyre të mirë në prag edhe të ndeshjeve të Shqipërisë ndaj Spanjës e Gjeorgjisë.

Fillimisht ishte lojtari i Shpresave, Indrit Tuci, ai i cili hapi fundjavën me gol në Kroaci, ndërsa u fut në pjesën e dytë dhe shënoi golin e katërt për Lokomotivën e Zgrebit në fitoren 1-4 përballë Sibenikut. Futbollisti shqiptar u vlerësua me notën 7.4 nga faqja e specializuar për statistika “Sofa Score”, teksa të shtunën ishte radha e sulmuesit të Kombëtares, Rey Manaj për të realizuar golin e katërt në Serinë A për Spezian, ku u huazua nga Barcelona në fillim të sezonit. Djaloshi kuqezi u fut në minutën e 68-të, ndërsa iu deshën vetëm gjashtë minuta për të shënuar golin e dytë për Spezian në ndeshjen ndaj Cagliari-t.

Bomberi i Shqipërisë Sokol Cikalleshi performoi në mënyrë të shkëlqyer këtë të diel, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Kajserisporit, që u fitua me përmbysje nga Koniaspor nga 0-2 në 2-3. Me notën 8-4 e vlerësoi “SofaScore”, teksa në golin e dytë Cikalleshi u ndihmua nga një tjetër futbollist kuqezi, mesfushori Endri Çekici, i cili asistoi bukur, ndërsa sulmuesi u vendos në vendin e duhur dhe realizoi me kokë. 30 minuta pati nën këmbë Çekici për të dhënë më të mirën e tij në fushën e lojës, teksa u vlerësua me notën 7.3.

Moshat kuqezi nuk ndalen. Pas golit të Tucit të premten, dje ishte radha e Eljon Tocit të realizonte një tjetër gol në radhët e Fiorentinës U-19. Futbollisti kuqezi shënoi golin e parë për Fiorentinës ndaj skuadrës së Milanit në kampionatin për grupmoshën U-19 në Itali. Një lajm i mirë ky edhe për Kombëtaren, që ka në përbërje një sërë talentesh për të ardhmen.

Ivan Balliu është një tjetër lojtar mjaft në formë i Kombëtares. Balliu aktivizohet në La Liga në Spanjë me Rayo Vallecano, teksa këtë të diel ndihmoi skuadrën në barazimin ndaj Sevilla-s. Balliu dha asist për shokun e skuadrës, Bebe, i cili realizoi golin e epërsisë për momentin për Vallecanon. Ky është asisti i dytë për mbrojtësin kuqezi.

Torino – Inter ishte kryefjala e ditës së djeshme në Serinë A në Itali, që përfundoi me shifrat 0-0, teksa një nga lojtarët më të mirë të kësaj sfidë ishte gardiani i Shqipërisë, Etrit Berisha. Futbollisti kuqezi bëri disa pritje të shkëlqyera, duke shpëtuar skuadrën e tij dhe duke i dhënë siguri portës torineze. 7.7 ishte nota e Berishës në këtë sfidë ndaj kampionëve të Italisë.

Minuta nën këmbë këtë fundjavë ka pasur edhe për Armando Brojën në Premier League në Angli, Berat Gjimshitin në Serinë A në Itali, Keidi Baren e Myrto Uzunin në La Liga, Klaus Gjasulën në Gjermani, Ylber Ramadanin në Hungari, Lindon Selahin në Kroaci, Ena Mihaj në Greqi, Ermir Lenjanin e Amir Abrashin në Zvicër.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Intervistë me kryetarin e Komunës Qendër, Gerasimovski: Buxhetin komunal e trajtojmë si duhet, për përballimin më të lehtë të krizës ekonomike

Story i radhës

Jenson Button martohet me modelen e Playboy, Brittny Ward

Të fundit nga