Kumanovë, Lagja e Trimave 7 vjet pas, qetësi që flet shumë

Në 9 majin e vitit 2015 në rrugicën e Lagjes së Trimave, me orë të tëra u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave të shumta të armatosura të sigurisë së Maqedonisë dhe grupit të armatosur. Si pasojë e luftimeve të ashpra 8 pjestarë të policisë maqedonase dhe 10 pjestarë të grupit të armatosur humbën jetën, kurse shumë të tjerë u plagosën. Përveç humbjes së jetërave të njerëzve, u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale të banorëve lokal, të cilëve tërësisht apo pjesërisht iu shkatërruan rreth 70 shtëpi.

Shtatë vite pas, në fillim të rrugës në një mural gjendet portreti i madh i Fadil Fejzullahut – “Kumandant Dunavit”, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Qytetarët e këtushëm ende i kanë të freskëta kujtimet nga ato ngjarje të të rënda.

“Ishte gati ora 5 e mëngjesit, u zgjuam nën zhurmën e të shtënave të armëve, ka qenë sinqerisht tragjedi e madhe, dëgjoheshin britma, ulërima, nuk kemi mund as në telefon të flasim pasiqë familajrët i kishim në shtëpi, nuk di si t’ua përshkruaj atë ditë, kishte shkattrrime të mëdhaja sidomos pasdite ka qenë tmerr pasiqë ishim shumë afër zonës së luftimeve. Shtëpitë u ndërtuan shumë më mirë, por rehatia, kënaësia që ka qenë më heret nuk është askund, humbi kënaqësia, humbi lumturia e fëmijëve, fqinjëve pothuajse e gjithë lagjes.”, tha mes tjerash, një banor.

“Si nuk më kujtohet ngjarja e para 7 vjetëve, hala më vlon kryt, sot kur u zgjova në mëngjes ende me ato traumat e para 7 vjetëve nuk harrohet kjo kurr, po flejn njerëzit në burg të përjetshëm pa asnjë faj vetë se kanë qenë në shtëpi të vet.”, u shpreh një banor.

“I kam pas prapa shtëpisë gjithë policinë, atë ditë isha në shtëpi dhe krejt plumbat kan ra në shtëpinë time, ajo ditë nuk harrohet, kam ndejt vet në dy shtëpi që mos t hyn naj kush.”, tha mes tjerash një banor.

Në shtëpinë e tij takuam edhe Besnik Ajdinin, i cili kaloi 2 vite e gjysëm burg, për tu liruar më pas si i pafajshëm.

“Dolëm nga shtëpia me familje, këtu ishte policia aty na kontrolluan, na malltretuan, pastaj më lidhën arrestuan dhe më dërguan në polici, aty na mbajtën 2 ditë, mandej në Gjykatën Themelore 1, më denuan 2,5 vjet shkova ndejta i pafajshëm. Çdo herë që i kujtoj ato moment, merrohem, kush i ka përjetu e din, e ata që se kan përjetu munden me e pa vetëm në filma, familja jonë ka qenë ndërmjet 2 fronteve në mes të zjarrit. Kur më arrestuan, filloi edhe kompenzimi I dëmeve, por 4 vetëve të mahallës na ndanë pasiqë edhe na quajtë terrorist dhe nuk na kompenzuan dëmet, e tani për ndërtimin e shtëpisë duhet tua dijmë për nderë mërgimtarëve por edhe gjithë shqiptarëve që na ndihmuan jo vetëm mua por edhe gjithë lagjes.”, deklaroi, Besnik Ajdini.

Pas shkatërrimit të tërësishëm të pjesës dërmuese të shtëpive nga luftimet e ashpra, të njejtat u ringritën me mjetet e ndara nga Qeveria në emër të dëmshpërblimit, por edhe nga mjetet e grumbulluara nga popullata shqiptare nga të gjitha trojet dhe nga diaspora shqiptare nga mbarë bota.

Në lagje sot mbretëron qetësi. Qetësi, e cila fletë shumë për ngjarjet e para shtatë viteve të ndodhura në këtë rrugicë të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sonte mysafir i emisionit “Debat” në Tv Klan Maqedoni

Story i radhës

Guvernatori i Kalifornisë urdhër ekzekutiv për rregullimin e kriptomonedhave

Të fundit nga