Ku është Kosova pas një viti me Vjosa Osmanin presidente dhe Albin Kurtin kryeministër?

Si sot para një viti, më 14 shkurt 2021, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe ajo “GUXO” e Vjosa Osmanit fituan 51 për qind të votave dhe morën shumicën absolute në parlamentin e Republikës. Ishte një fitore e përmasave të atyre rezultateve që Ibrahim Rugova pati në vitin 2000, 2003 dhe 2004! Për herë të parë pas 17-18 vitesh Kosova shprehu besimin e saj të përqendruar te dy protagonistë të politikës së saj, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Zonja Osmani mori mbi 300 mijë vota të drejtpërdrejta.

Të dy këta politikanë të rinj dhe të pakorruptuar e të pakapur erdhën në pushtet me votën e sovranit, sepse kishin dëshmuar në mënyrën e vet se ata nuk pajtoheshin me kastën e politikanëve të së shkuarës, të cilët në shumicë kishin marrë pjesë në luftën çlirimtare të vendit dhe e përdorën këtë luftë për t’i kërkuar haraç atdheut! Vjosa Osmani dhe Albin Kurti morën besimin e qytetarëve me bindjen e tyre se këta të dy nuk do të ishin si politikanët e së shkuarës.

Nga e shkuara duhen veçuar natyrisht politikanë që nuk qenë njësoj me ata që plaçkitën Kosovën dhe e shndërruan atë në një feud të tyre. P.sh unë veçoj Avdullah Hotin si të tillë, pavarësisht se ai ishte i paaftë për t’u shkëputur nga ndikimi i kastës së vjetër politike. Veçoj edhe Ramush Haradinajn në kuptimin e pozicionit të tij kundër ndarjes së Kosovës. Por shumica e atyre që e drejtuan Kosovën para Albinit e Vjosës, janë shkaktarë të rezultatit spektakolar të zgjedhjeve parlamentare të para një viti.

Pas një viti duhet bërë një lloj bilanci. Një vit nuk është shumë që një qeveri dhe një qeverisje të dëshmojë aftësitë e plota të saj për administrimin e rezervave materiale e njerëzore të shtetit. Por nuk është pak për të kuptuar trendin e zhvillimit politik të Kosovës. Sigurisht që qeveria dhe qeverisja e re e Kosovës nuk e drejton vendin gjatë një viti. Ato janë konstituar diku para 10 muajsh. Megjithatë 14 shkurti shënon ditën e “dashurisë së qytetarëve të Kosovës me dy liderët politikë”, të cilëve ata ua besuan fatet e vendit të tyre.

Ku është Kosova pas një viti me Vjosa Osmanin presidente dhe Albin Kurtin kryeministër? Kjo pyetje është e natyrshme të marrë një lloj përgjigjeje në këtë kohë.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes së lartshënuar, si në çdo aspekt të kërkimit dhe hulumtimit, duhet përdorur metoda krahasuese. Krahasuar me periudhën e qeverisjes së politikës së shkuar, Kosova është sot më e organizuar. Ajo ka qartësuar më mirë perspektivën e saj. Ka rrit buxhetin e të ardhurat. Ka forcuar subjektivitetin shtetëror. Është në një pozicion aktiv në dialogun me Serbinë. Madje ka mundur që ta ndryshojë agjendën e diskutimeve në këtë dialog në favor të saj, një akt i paimagjinueshëm me elitën e vjetër servile të politikës kosovare. Kosova ka marrë një rol shumë më aktiv në iniciativat rajonale. Trajtohet me më shumë seriozitet në BE e në SHBA, madje edhe në Serbi. Shkurt, imazhi i saj është rritur deri diku në dimensionet e pritshme edhe nga qytetarët e vendit.

Por Kosova e pas një viti me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin nuk i plotësoi pritshmëritë e qytetarëve në disa aspekte. Së pari, ende qytetarët e vendit nuk e dinë nëse do t’u kthehet ose jo pasuria e grabitur prej politikanëve të së shkuarës. U fol për një lloj vettingu në drejtësi, por kjo eksperiencë shqiptare është e padobishme. Ndërkohë nuk po gjendet një formulë tjetër e reformimit të drejtësisë, si kusht i domosdoshëm për t’i rikthyer vendit ato pasuri që i janë grabitur nga klanet politike. Çdo ditë që kalon e dëmton procesin e drejtësisë në vend!

Së dyti, reformat në ekonomi janë të ngadalshme. Pandemia dhe kriza energjetike ka shkaktuar probleme dhe e ngadalëson edhe ritmin e reformave. Por pritshmëritë e qytetarëve të vendit janë përtej kësaj. Nëse ka rritje të të ardhurave, kjo është produkt i pakësimit të korrupsionit dhe vjedhjeve, por jo edhe rezultat i reformave ekonomike e financiare. Njerëzit duan më shumë vende pune, më shumë të ardhura, më shumë mirëqenie. E gjitha kjo vjen si nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu edhe nga reformat që zhvillohen. Por në aspektin e kryerjes së reformave duket se ka një ngërç midis nevojës për zgjerimin e ekonomisë së tregut dhe modeleve ideologjike për të ruajtur ndikimin e shtetit në ekonomi.

Së treti, qytetarët e Kosovës prisnin nga qeveria Kurti më shumë rezultate në rivendosjen e autoritetit shtetëror në veri të Kosovës dhe integrimin e plotë të kësaj pjese me pjesën tjetër të saj. Disa rezultate janë dhënë. Por është shumë pak në krahasim me atë që duhej realizuar. Deri më sot duhej zgjidhur çështja e furnizimit me energji elektrike dhe pagesën e saj. Duhej integruar më shumë shoqëria, subjektet dhe institucionet e pushtetit lokal te institucionet qendrore. Duhej patjetër të kufizohej në maksimum ndikimi i Beogradit në këtë pjesë të vendit. Bota e qytetëruar duhej të shihte në praktikë se veriu i Kosovës është pjesë integrale e shtetit të Kosovës. Fakti që Bamir Topi kishte frikë të shkonte së bashku me Stipe Mesiq në veri të vendit, dëshmon se kjo pjesë e territorit të Kosovës ende konceptohet si pjesë e diskutueshme midis dy vendeve në konflikt.

Në të ardhmen përveç këtyre sfidave, qeveria e zotit Kurti do të përballet gjithnjë e më shumë me sfidën e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë përmes një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë. Por do të dalin edhe çështje të tjera, të parashikueshme e të paparashikueshme.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Coinbase’s Volatile Weekend: Security Threat, Service Paused & Restored, Site Crash

Story i radhës

Protesta kundër vaksinës me detyrim / 1300 makina nisen drejt Brukselit

Të fundit nga