Kthimi në vendlindje i brezave të dëshpëruar mërgimtarësh

Brezi i parë i mërgimtarëve tanë të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar që mësynë Evropën, janë kthyer në vendlindje ose tashmë nuk janë në jetë. Ata, pasi lënë shëndetin në tokë të huaj, braktisën atë për të dhënë frymën e fundit aty ku lindën dhe, tashmë, eshtrat e tyre prehen qetë pranë të parëve. Këtë dhembje e ka ndier në lëkurën e tij autori i këtyre rreshtave, që edhe vetë është një mërgimtar nga vitet 1970-1980 dhe më se gjysmën e jetës e harxhoi jashtë vendlindjes, ndërsa tash e pret pensionimin, duke përcjellë një nga një shokët për në vendlindje, ashtu të molisur, pa busulle, pa takat e paksa të zhgënjyer. Ata që dhanë amanetin e shpirtit në vendlindje, për familjarët ishte e dhembshme. Por, dhembje mbi dhembje është ajo e atyre që nuk arritën të kthehen dhe u përshëndetën nga kjo jetë larg tokës atërore. Kështu ndodhi javët e fundit në qytetin Will të kantonit St. Gallen, ku në xhaminë e komunitetit mysliman shqiptar, imami Bekim Alimi, me një ritual fetar, i dha lamtumirën tre miqve tanë të moshës 50-70 vjeç.

* * *

Bashkëvendësit tanë në vendlindje mendojnë që ne mërgimtarët kemi siguruar jetë të begatë dhe të lumtur, por kjo nuk është e vërtetë. Kjo ka një kosto të lartë që s’kthehet e as korrigjohet, jetohet vetëm një herë. Mikut që më përkëdheli me këto fjalë, i paraqita disa sondazhe se zviceranët jetojnë mesatarisht 83 vjet, ndërsa mërgimtarët tanë 75 vjet. Një ndër shkaqet e vdekjeve të hershme është edhe puna e rëndë që kanë pasur brezat e parë të mërgimtarëve që shkuan në Perëndim. Ata shkonin vetë, duke lënë familjen në vendlindje dhe jetonin në grupe e me shumë vuajtje, jo vetëm shpirtërore.

PËRPLASJE MES KULTURAVE

Edhe në ish-Jugosllavi, shqiptarët punonin punë më të rënda fizike dhe ishin të diskriminuar, andaj morën rrugën e perëndimit, ku kushtet e punës dhe të pagave, megjithatë, ishin më të mira. Por ata ishin shumë të lidhur me familjet e tyre, më shumë se sa të tjerët, si serbë, kroatë, italianë, grekë e të tjerë, të cilët shkuan në ato vende për punë me gjithë familjet e tyre. Shqiptarët shkonin me mentalitetin patriarkal, ndërsa nga familja nuk kishin asnjë të punësuar dhe ata detyroheshin të kursenin shumë, që të mund të mbijetonin familjet e tyre. Punëtorët prej vendeve fqinje që kishin shkuar bashkë me familje, nuk dërgonin para në vendlindje dhe jetonin në mërgim me një standard më të lartë, për dallim nga shqiptarët. Kështu, shqiptarët ishin të vetmit, për dallim nga punëtorët e komuniteteve të tjera, që dërgonin më shumë para në valuta në vendlindje.

Integrimi i brezave të para ka qenë shumë i vështirë. Diversiteti i kulturave, mentaliteti, tradita patriarkale e rurale, ka shkaktuar vështirësi dhe sfida të ndryshme gjatë periudhës së adaptimit të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Lindjes. Pjesëtarët e shoqërive të integruara e kanë pasur shumë më lehtë ecjen në këtë proces, jetën dhe përparimin në punë. Integrimi nënkupton transformimin dhe evoluimin brenda një shoqërie, që është në kundërshti me konceptet tradicionale që kanë të bëjnë me jetën, punën, martesën, familjen etj.

Brezat e mëvonshëm të mërgimtarëve apo të atyre që kanë lindur në mërgim, kanë punuar dhe janë rritur mes dy kulturash. Sidomos ata që kanë lindur në mërgim, janë shkolluar dhe kualifikuar në më shumë fusha dhe janë bërë qytetarë të barabartë në shtetet ku jetojnë. Për atë brez të dytë, shteti zviceran, ku ka shumë shqiptarë, përjetohet si atdheu i tyre apo i prindërve të tyre. Këta breza tashmë të integruar e kanë shumë vështirë që të kthehen në vendlindjen e origjinës. Ata do të mbeten qytetarë dhe shtetas zviceranë apo gjermanë. Fëmijët e brezit të parë të mërgimtarëve nuk jetojnë me prindërit, ata janë pavarësuar, ndërrojnë vendbanimet apo qytetet. Jeta private dhe vizitat apo shëtitjet bëhen vetëm gjatë vikendeve. Për këto shkaqe, prindërit e tyre janë shumë të frustruar, të përbuzur dhe të zhgënjyer. Ankohen se i kanë humbur traditat, respektin, mikpritjen dhe shumë virtyte të tjera të kulturës kombëtare. Mbi të gjitha shqetësonte dukuria e martesave të përziera.

MËRGIMTARËT ME PALLATE TË ZBRAZËTA

Në anën tjetër, shumë pensionistë, mërgimtarë tanë, kanë menduar se pas pensionimit do të kthehen në vendlindje, për ta kaluar pjesën e jetës së mbetur. Ata kanë nostalgji të madhe për vendlindjen, por kur kthehen nuk i gjejnë miqtë e dikurshëm, nuk gjejnë atë dashuri të njerëzve si më përpara, andaj pas një qëndrimi të shkurtër, ata sërish kthehen të dëshpëruar atje ku kaluan një pjesë të jetës dhe të punës, pranë fëmijëve të tyre apo nipave e mbesave.

Këta mërgimtarë që punuan sa s’bëhet dhe kursyen mjaft nga fitimet e tyre, ndërtuan në vendlindje pallate luksoze, por ato mbetën të zbrazëta, pa njerëz e familjarë. Ata me dekada, duke dërguar para për familjarët në vendlindje, mbajtën gjallë ekonominë e vendit. Kanë dhënë shumë nga vetja, por nuk kanë marrë pothuajse asgjë. Të thuash asnjëherë, mërgimtarët gjatë kthimit në vendlindje për pushimet, nuk kanë gjetur ndonjë pankartë me mbishkrimin: “Mirë se erdhët, mërgimtarë të dashur!”. Nuk janë organizuar enkas për ta manifestime kulturore e të tjera. Ata janë përmendur vetëm gjatë fushatave zgjedhore, pastaj janë harruar.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Zbulohet çmimi i veshjes së Bora Zemanit

Story i radhës

Lëngu i krijuar lehtësisht në shtëpi thuhet se nxit rritjen e flokëve brenda dy javësh

Të fundit nga