Kryeparlamentari turk Şentop takon në Shkup homologun e tij Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes (TBMM), Mustafa Şentop, në kuadër të vizitës së tij zyrtare dyditore në Shkup, është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, raporton Anadolu Agency (AA).

Şentop dhe delegacioni i tij, i përbërë nga disa deputetë të TBMM-së, kanë zhvilluar një takim me Xhaferin, ku kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Hysni Ismaili dhe sekretarja e përgjithshme, Cvetanka Ivanova.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Kuvendi, Xhaferi u shpreh i kënaqur për vizitën e sërishme të kryeparlamentarit Şentop, e cila përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke.

“Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Türkiyes ruajnë miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi bilateral midis të dy vendeve është dinamik në të gjitha nivelet dhe veçanërisht në nivelin parlamentar. Xhaferi e uroi Şentop-in për kryesimin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi – PABSEK, që përkon me 30-vjetorin e formimit të kësaj asambleje ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Xhaferi iu referua edhe bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke theksuar se Republika e Türkiyes është vazhdimisht ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar të vendit të tij dhe vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë drejtim, siç tha ai, kontribut të veçantë jep Oda Ekonomike MATTO.

“Xhaferi theksoi se e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e suksesshëm me Republikën e Türkiyes në kuadër të NATO-s dhe mbi të gjitha në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak, donacionet e pajisjeve për nevojat e armatës sonë, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet paqësore”, thuhet në kumtesë.

Kryetari i TBMM-së, Şentop, nga ana e tij, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është vend vëllazëror dhe miqësor dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Türkiyes dhe se gjithmonë i kushtohet vëmendje e madhe marrëdhënieve midis të dy vendeve të cilat zhvillohen në korniza multidimensionale.

Şentop u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjellë në periudhën e ardhshme, me të njëjtin vullnet dhe sinqeritet si më parë.

“Kryetari Şentop iu referua bashkëpunimit të frytshëm ndër-parlamentar në më tepër fusha dhe vlerësoi se është i nevojshëm thellimi i konsultimeve të ndërsjella për sfidat rajonale dhe globale. Ai uroi sukses në agjendën intensive të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimeve të ardhshme me OSBE-në dhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ndërsa mjaft të rëndësishëm e vlerësoi procesin e përmbylljes së institucionalizimit të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së me formimin e sekretariatit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

“FETO nuk është një problem serioz vetëm për sigurinë kombëtare të Türkiyes, por edhe të Maqedonisë së Veriut”

Ndërkaq, sipas njoftimit nga TBMM-ja, Şentop gjithashtu tërhoqi vëmendjen edhe për strukturat e organizatës terroriste FETO në Maqedoninë e Veriut.

Ai mes tjerash përcolli pritshmëritë e Türkiyes që strukturat e lidhura me FETO-n të mbyllen dhe personat e lidhur me organizatën të deportohen nga Maqedonia e Veriut. Sipas tij, FETO nuk është një problem serioz vetëm për sigurinë kombëtare të Türkiyes, por edhe të Maqedonisë së Veriut.

Şentop theksoi se Republika e Türkiyes mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, ai uroi për fillimin e negociatave të Shkupit për anëtarësim në BE dhe u shpreh i bindur se vendi do të bëhet anëtar i BE-së brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Ai theksoi se vizita e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut është në kuadër të shënimit të Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke dhe theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që komuniteti turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut ta gëzojë të drejtën e arsimimit në gjuhën amë.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Şentop shprehu kënaqësinë për rritjen e tregtisë dhe theksoi se Türkiye inkurajon biznesmenët turq që të investojnë në Maqedoninë e Veriut.

Bashkëbiseduesit iu referuan nevojës së rishikimit dhe përmirësimit të “Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë” dypalëshe ndërmjet dy vendeve, në drejtim të liberalizimit më të madh të produkteve tregtare, për të cilën negociatat janë në fazën përfundimtare.

Xhaferi dhe Şentop shprehën besimin se partneriteti afatgjatë mes dy vendeve dhe trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh do të vazhdojë të përmirësohet.





Story i mëparshëm

Ish-presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, pranon përgjegjësinë për grusht shtetin e vitit 1989

Story i radhës

Për një javë, KEDS zë 163 konsumatorë duke vjedhur rrymë

Të fundit nga