Kryeministri italian: Çdo sanksion i BE-së ndaj Rusisë nuk duhet të godasë energjinë

Çdo sanksion që mund të vendoset ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian nuk duhet të përfshijë importet e energjisë, tha të premten, 18 shkurt, kryeministri italian Mario Draghi.

Draghi u tha gazetarëve se Bashkimi Evropian po studionte opsione të ndryshme sanksionesh nëse Rusia pushton Ukrainën.

“Ne po diskutojmë sanksionet me BE-në dhe gjatë këtyre diskutimeve kemi bërë të ditur qëndrimin tonë, se ato duhet të përqendrohen në sektorë të ngushtë pa përfshirë energjinë”, tha Draghi në një konferencë shtypi.

Italia importon 90 për qind të kërkesave të saj për gaz dhe Rusia është furnizuesi kryesor i saj.

Me intensifikimin e tensioneve mbi Ukrainën, Draghi tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte kërkuar ta takonte dhe ai shpresonte se do të ishte e mundur të organizohej një takim midis Putinit dhe udhëheqësit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Megjithëse Draghi tha se ishte e rëndësishme të shmangeshin sanksionet në sektorin e energjisë, ai shtoi se qeveria po shqyrtonte furnizime të tjera të mundshme me gaz nëse importet nga Rusia do të goditeshin për shkak të një konflikti.

“Putini ka folur për mundësinë që Rusia do të vazhdojë të garantojë furnizimet e saj (në Itali) dhe t’i rrisë ato nëse është e nevojshme,” tha Draghi.

Vendet perëndimore në javët e fundit e kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra në rast se pushton Ukrainën.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake të Rusisë gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.

Kremlini këmbëngul se NATO-ja nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dëshironi të hiqni dorë nga duhani por nuk dini se si, këto janë 5 këshillat

Story i radhës

“Fitoj 300 mijë euro brenda ditës”, dalin përgjimet e shqiptarit me bosin e Cosa Nostra-s

Të fundit nga