Kryebashkiakja e Uashingtonit aktivizon Gardën Kombëtare për protestën

Kryebashkiakja e kryeqyetit amerikan Uashington, bëri thirrje për qetësi të hënën ndërsa rreth 340 trupa të Gardës Kombëtare po aktivizoheshin në prag të përgatitjes së qytetit për protesta që mund të kthehen të dhunshme, ndërsa Kongresi pritet të votojë për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, Kryetarja e Bashkisë Muriel Bowser bëri kërkesën ditën e Vitit të Ri që trupat e Gardës Kombëtare të vendosen në rrugët e Uashingtonit nga 5 janari deri me 7 janar, për të ndihmuar qytetin me protestat. Zyrtari tha se anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit do të përdoren për kontrollin e trafikut, por nuk do të jenë të armatosur apo me mburoja ushtarake.

Kongresi po mblidhet këtë javë për të çertifikuar rezultatet e Kolegjit Elektoral ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka mbështetur protestat.

Gjatë një konference shtypi të hënën, zonja Browser u bëri thirrje njerëzve që të qendrojnë larg kryeqytetit amerikan dhe të mënjanojnë konfrontimet me këdo që “kërkon ngatërresa”. “Ne nuk do të lejojmë njerëzit që të nxisin dhunë, të frikësojnë banorët tanë apo të shkaktojnë shkatërrime në qytetin tonë.”

Qyteti do të ketë nëpër rrugë 115 trupa të gardës, tha zyrtari i mbrojtjes, i cili dha detaje në kushte anonime. Zyrtari tha se pjesëtarët e Gardës do të përdoren për të ngritur pika kontrolli përreth qytetit dhe do të bashkëpunojnë me policinë e qytetit në të gjitha stacionet e metrosë. Shefi i policisë në detyrë Robert Contee tha se trupat e gardës do të përdoren për të menaxhuar turmat.

“Të dhënat tona të zbulimit sugjerojnë se do të ketë rritje të numrit të pjesmarrësve në protestë,” tha zoti Contee. “Ka njerëz që synojnë të vijnë në qytetin tonë të armatosur.”

Meqenëse kryeqyteti amerikan nuk ka guvernator, komandanti i Gardës Kombëtare të qytetit është Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy. Çdo kërkesë e Uashingtonit për dislokimin e gardës duhet të marrë miratimin e tij.

Zyrtari i mbrojtjes tha se nuk do të ketë trupa ushtarake në qytet dhe se ushtria amerikane nuk do të ofrojë mjete ajrore apo të dhëna të zbulimit. Garda e Uashingtonit do të ofrojë ekipe të specializuara që do të jenë të përgatitura të reagojnë ndaj incidenteve të mundshme kimike apo biologjike. Zyrtari tha gjithashtu se garda nuk do të ketë pjestarë të saj në parkun kombëtar të Uashingtonit apo në zonën përreth Kongresit amerikan. /VOA

Ngjarja paraprake

Akil Gjakova së shpejti do të bëhet baba

Ngjarja e ardhëshme

Suma: 70 përqind e qytetarëve të Hanit të Elezit e kanë kaluar koronavirusin

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian