Kritikët i kërkojnë Johnsonit të largohet menjëherë nga detyra e kryeministrit të Britanisë

Kryeministri Boris Johnson dha sot dorëheqjen, duke i dhënë fund një krize të pashembullt politike që paralizoi qeverinë britanike.

Kryeministri Johnson që hodhi poshtë thirrjet e kabinetit të tij për të dhënë dorëheqjen pas skandaleve të fundit, u dorëzua, pasi më shumë se 50 zyrtarë u larguan nga qeveria e tij duke i kërkuar dorëheqjen.

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi dorëheqjen e tij, duke e pranuar se vullneti i Partisë Konservatore është që të ketë një udhëheqës të ri.

Ai u tërhoq menjëherë nga posti i udhëheqësit të Partisë Konservatore, por planifikon të qëndrojë në rolin e kryeministrit derisa të zgjidhet pasuesi i tij. Zoti Johnson njoftoi se ka emëruar një kabinet të ri pas një serie dorëheqjesh.

“E di se shumë njerëz do të ndihen të çliruar dhe ndoshta shumë do të ndihen të zhgënjyer. Dua ta dini sa i pikëlluar jam që të heq dorë nga puna më e mirë në botë. Por kështu erdhën gjërat”, tha zoti Johnson në një konferencë shtypi.

“Dua t’u drejtohem miliona njerëzve që votuan për ne më 2019, shumë prej të cilëve votuan Partinë Konservatore për herë të parë. Faleminderit për mandatin e mrekullueshëm, shumicën më të madhe konservatore nga viti 1987”, shtoi ai.

Vendimi për dorëheqjen vjen pas skandaleve të fundit për shkelje etike të udhëheqjes së zotit Johnson dhe largimit të rreth 50 ligjvënësve të lartë nga ekzekutivi, duke ia pamundësuar atij qeverisjen e vendit.

Ai u mundua t’u rezistojë thirrjeve për largimin e tij, duke thënë se kishte një “mandat kolosal” nga votuesit dhe se synonte të vazhdonte qeverisjen.

Por ai u detyrua ta pranonte humbjen pasi dy anëtarë të tjerë të kabinetit të tij dhanë dorëheqje dhe një nga aleatët e tij më të afërt, shefi i Thesarit Nadhim Zahawi ia kërkoi publikisht dorëheqjen për të mirën e vendit.

“Arsyeja pse ditëve të fundit luftova kaq shumë për të vazhduar mandatin tim, nuk ishte thjesht sepse doja ta mbaja këtë post, por sepse ndjeva se ishte puna, detyra dhe detyrimi im të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi premtuar më 2019”, tha zoti Johnson.

Zgjedhjet e brendshme për udhëheqësin e ri të Partisë Konservatore, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i ri i vendit, ka të ngjarë të mbahen këtë verë.

Kjo është një humbje poshtëruese për zotin Johnson, i cili arriti ta largojë Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe u vlerësua lartë për një prej fushatave më të sukesshme të vaksinimit në botë në luftën kundër COVID-19. Por, ai ishte në qendër të kritikave si një udhëheqës që shkelte rregullat për të arritur synimet e tij.

58 vjeçari Johnson arriti të qëndronte në pushtet për gati tre vite, pavarësisht pretendimeve se ai ishte shumë i afërt me donatorët e partisë, se mbronte mbështetësit e partisë nga akauzat për korrupsion dhe se mashtroi Parlamentin rreth shkeljeve të masave të izolimit gjatë pandemisë nga zyrtarë të lartë qeveritarë. Kryeministri, gruaja e tij Carrie Johnson dhe Sekretari i Thesarit Rishi Sunak ishin gjobitur nga policia për shkelje të kufizimeve të pandemisë, gjatë viteve 2020-2021, në një periudhë kur ai vetë kishte vendosur futjen e vendit në izolim të plotë.

Zoti Johnson iu përgjigj ndaj kritikave duke kërkuar nga partia dhe vendi që të përqëndrohen tek ekonomia e rënduar.

Sulmi rus kundër Ukrainës më 24 shkurt u dha politikanëve dhe shtypit britanik një çështje më urgjente për t’u përqëndruar. Zotit Johsnon u lavdërua për mbështetjen e tij ushtarake, financiare dhe morale për Ukrainën. Ai shkoi dy herë në Kiev për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskyy.

Por, humbja në zgjedhjet e posaçme të Partisë Konservatore dhe akuzat për sjellje të pahijshme seksuale të një zyrtari të lartë të qeverisë së tij vulosën fatin e politikanit, që njihet për aftësitë e tij për të mbijetuar nga skandalet.

Zbulimi i fundit se zoti Johnson ishte në dijeni të akuzave kundër një ligjvënësi konservator për sjellje të pahijshme seksuale, para se ta ngrinte në detyrë, duke i dhënë një pozitë të lartë në qeveri, ishte një skandal shumë i madh.

Zoti Johsnon u përpoq të shmangte kritikat me shpjegime, që nuk përputheshin, gjë që ngriti shqetësime shtesë se kryeministri nuk ishte njeri i besueshëm.

Kjo, me sa duket, ishte goditja përfundimtare në karrierën e një prej politikanëve më përçarës në historinë e Britanisë.

Boris Johnson synonte që duke ecur në një linjë ekstreme, të ndiqte heroin e tij, Winston Churchill, që të udhëhiqte Britaninë në kohë krize, por që në fund u rrëzua nga krizat që i shkaktoi vetë.

Para detyrës së kryeministrit, zoti Johnson kishte mbajtur edhe poste tjera të rëndësishme, duke përfshirë atë të kryebashkiakut të Londrës dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar. Por, kishte edhe periudha larg politikës, për shkak të gafeve të vetëshkaktuara.

Për herë të parë ai u zgjodh si ligjvënës në parlament më 2001. Për vite me ardhë ai lëvizte mes gazetarisë dhe politikës, duke u bërë një opinionist i njohur gazetash dhe i ftuar në emisione komike televizive.

Ndonjëherë ai bënte komente fyese – duke i quajtur kanibalë banorët e Papua Guineas së Re dhe duke i krahasuar gratë myslimane që mbulojnë fytyrën me shami si kuti postare.

Kritikët e tij thonë se ai duhet të largohet menjëherë dhe t’ia dorëzojë detyrën e kryeministrit zëvendësit të tij, Dominic Raab./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shpallet në kërkim këngëtari i njohur, akuza që rëndon mbi të

Story i radhës

Shitjet e video lojërave pritet të bien pas 7 vitesh rritje konstante

Të fundit nga