Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar “simbolin e flamurit”, Fazli Grajçevcin në përvjetorin e tij të vdekjes.
Krasniqi, në një postim në facebook, shkruan për peripecitë e Grajçevcit që i kaloi në duart e policëve në vitin 1964.
Po ashtu, Krasniqi shprehet se jeta dhe vepra e Fazliut u bënë inspirim jo vetëm për gjeneratën e tij, por edhe të brezave që do të vinin më pas.
“60 vjet pa “simbolin e flamurit”!
Në vitin 1964, kur iu burgosën shokët e lëvizjes për bashkimin e shqiptarëve, në krye me Adem Demaçin, mësuesi i mirë, poeti autentik e atdhetari i vërtetë nga Drenica, Fazli Grajçevci, u vetëdorëzua në polici. Para se të dorëzohej, motrës Hatixhe i kishte lënë vetëm një porosi: “I gjallë nuk dalë nga burgu. Do të vdes për Shqipëri. Gruan e kam shtatëzënë. Nëse më lindë djalë, emrin linjani Flamur”.
Në burgun e Prishtinës, Fazliun do ta torturonin çnjerëzisht, por asnjëherë nuk do të arrinin ta thyenin e ta bënin të tregonte ndonjë gjë. Për 14 ditë me radhë, përveç gjamave, siç i rrëfejnë shokët e lëvizjes, Fazliu kishte pëshpëritur vetëm një emër: Flamur – Flamur.
Në ditën e 14-të, Fazliu nuk u qëndroi më plagëve të rënda që kishte marrë dhe ndërroi jetë – për të fituar përjetësisht epitetin më të lartë që kishte aspiruar, “Simboli i Flamurit”.
Jeta dhe vepra e Fazliut u bënë inspirim jo vetëm për gjeneratën e tij, por edhe të brezave që do të vinin më pas, si Burim Grajçevci, i cili ende pa përfunduar shkollën e mesme bie heroikisht në betejen e lavdishme të UÇK-së në Koshare.
“Se nuk ka ma ambël se
n’qëllim me vdekë,
kah gjurmave ke lanë shkëndija,
atëherë blerohet vorri,
kurr s’ke m’u zbe, mekë,
n’zemra rinore ke breznija”
Lavdi e përjetshme!”, shkroi ai.