Krasniqi: Energjia u shtrenjtua me bekimin e Kurtit, do ta kundërshtojmë me çdo mjet ligjor

min lexim

Sipas Memli Krasniqit, shtrenjtimi i energjisë elektrike me vendim të ZRRE-së, në fakt është bërë në bashkërendim dhe me bekimin e kryeministrit Albin Kurti. Vendimin e ZRRE-së, Krasniqi thotë se PDK do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor, dhe ndoshta, edhe me peticion qytetar.

Zyra e Rregullatorit Energjik mori vendim sot që të ndryshohet struktura tarifore, që i bie se shtrenjtohet energjia elektrike dhe qytetarët që harxhojnë mbi 800kWh në muaj, paguajnë më shumë. Vendimi i sotëm i ZRRE-së përngjan me kërkesën që Lëvizja Vetëvendosje e bëri, kur në ZRRE po dorëzoheshin nga të gjitha palët komentet lidhur me shtrenjtimin e rrymës.

Ky vendim për shtrenjtimin e çmimit të energjisë, sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, u mor në bashkërendim të plotë dhe me bekimin e kryeministrit Kirti.

“Në koordinim direkt dhe me bekimin e plotë të qeverisë dhe Kryeministrit Albin Kurti, sot ZRRE zyrtarizoi vendimin e paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vulosur rëndimin e mëtejmë të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Që nga fillimi i mandatit të saj, Qeveria Kurti ka dështuar të ndërmarrë çfarëdo hapi për të zhvilluar ekonominë e vendit, të rënduar shumë gjatë pandemisë, duke qenë e paaftë të adresojë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, shumë prej të cilave i solli në prag të falimentimit. Për më shumë, qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa, të parandalojë përkeqësimin dhe të lehtësojë barrën sociale për familjet kosovare, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve në çdo produkt esencial”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së e lidh situatën e krijuar me kërkesat për largim nga Kosova dhe për këtë i vë fajin Qeverisë Kurti.

“Kjo është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, e cila sot ua shtoi edhe një barrë të padrejtë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi paralajmëruar me kohë krizën energjetike dhe e kemi ftuar qeverinë që të ndërmarrë masat e duhura, por qeveria kishte tjetër agjendë. Kemi thirrur debat në Kuvendin e Kosovës për t’i sqaruar këto pozicione të dyshimta të saj, por aty u pa qartë se s’kishte kurrfarë dyshimi, pasi që deputetët e Vetëvendosjes, kundër vullnetit të qytetarëve, njëzëri u deklaruan në favor të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Qeveria kishte marrë drejtim qysh herët, cakun e të cilit e pamë sot me vendimin skandaloz të ZRRE-së, e peshën e të cilit, në fund të këtij muaji do ta paguajnë familjet kosovare me pagat e tyre, të cilat pas rritjes enorme të çmimeve, sot s’mjaftojnë as për të mbuluar nevojat dhe shërbimet më elementare”, tha Krasniqi.

Ai ka paralajmëruar se Partia Demokratike e Kosovës, siç e ka kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar, do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor vendimin e ZRRE-së.

“Në të njëjtën kohë, PDK po diskuton mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar, në mënyrë që tandemi Qeveri-ZRRE ta kuptojë se rritja e çmimeve të energjisë nuk është një betejë politike opozitare përballë një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme, por është një kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në betejë për mbijetesë, e të cilët nuk munden dhe nuk duhet ta bartin mbi supe koston e paaftësisë së qeverisë Kurti”, tha Krasniqi./express

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Tri kombinimet më të këqija martesore në Zodiak

Story i radhës

6 marsi, Kryemadhi në Lushnje: Të zgjedhim një kryetar që s’i nënshtrohet bandave

Të fundit nga