Kosovë, pushteti dhe opozita me konsensus për reformën në drejtësi

Partia politike në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës janë në konsensus për zhvillimin e reformës në sistemin e drejtësisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu kanë thënë deputetë të partisë në pushtet dhe nga opozita në tryezën “Reforma në drejtësi: Roli i Kuvendit të Kosovës”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në këtë tryezë, Violeta Haxholli nga KDI tha se në një anketë të bërë nga KDI, qytetarët e anketuar në shumicë kanë kërkuar që të ketë reformë në drejtësi.

Haxholli tha se sistemi i drejtësisë ende ka mangësi dhe nevoja për reformë është e dukshme.

“Qytetarët kërkojnë reformë në drejtësi pasi ata janë të pakënaqur me kualitetin e sundimit të ligjit në vend dhe me kualitetin e institucioneve të drejtësisë dhe mënyrën se si zhvillohen proceset në gjyqësorë. Kështu mbi 70 për qind e qytetarëve përkrahin reformën në drejtësi”, theksoi Haxholli.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, tha se synim i përgjithshëm është krijimi i një sistemi të drejtësisë që është i besueshëm, i drejtë, i pavarur, profesional dhe i orientuar drejt shërbimit të hapur, të përgjegjshëm dhe efikas.

Kryeziu-Hyseni tha se deri më tani sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë i ballafaquar me mungesën e besimit të opinionit publik dhe kritikën e vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile përfshirë raportet ndërkombëtare dhe kjo e ka bërë të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme të thellë në drejtësi.

“Tashmë siç edhe e përmendëm është krijuar Komisioni ad-hoc dhe është e rëndësishme që ka konsensus nga i gjithë spektri politik për realizimin e këtij procesi jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm. Komisionin do ta drejtojë opozita dhe pronësinë mbi këtë proces e ka marrë Kuvendi”, tha Kryeziu-Hyseni, e cila shtoi se puna e këtij komisioni do të bazohet në opinionin e Komisionit të Venecias për realizimin e vetingut me ndryshime kushtetuese apo edhe ligjore.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, tha se për procesin e vetingut Kosova ka nevojë të bashkërendojë veprimet me partnerët strategjikë, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë ata që e ndihmojnë një proces të tillë për të siguruar ndryshimet e kërkuara.

Deputetja Deliu-Kodra tha se për një proces të tillë Kosova nuk i ka votat e kërkuara (2/3) të komuniteteve për ndryshimet në Kushtetutë, për shkak të refuzimit të serbëve dhe për këtë aryse ajo thotë se do të shihet në vijim nëse do të ketë reforma vetëm në bazë ligjore apo kushtetutese.

“Për ne ka qenë tepër e rëndësishme që procesi i vetingut të sistemit të drejtësisë në Kosovë i ka kaluar Kuvendit si institucion titullar. Ky ka qenë edhe rekomandim i Komisionit të Venecias dhe i jemi gëzuar faktit që ky proces kaq i rëndësishëm i reformimit të sistemit të drejtësisë të kthehet në Kuvend”, theksoi Deliu-Kodra.

Kuvendi i Kosovës së fundmi formoi komision ad-hoc parlamentar për hartimin e Projektligjit për zhvillimin e procesit të vlerësimit vetingut i cili u mirëprit me unanimitet politik.

Qeveria e Kosovës, më 13 tetor 2021, kishte miratuar koncept-dokumentin për vetingun në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit në vend.

Vetingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.





Story i mëparshëm

Grubi: 200 milionë denarë për përfundimin e projektit të ujësjellësit në komunën e Likovës

Story i radhës

Këto vende do të mbesin pa rrymë nesër dhe pasnesër

Të fundit nga