Koreja e Veriut tha se SHBA-ja qëndron pas afrimit të Japonisë me NATO-n dhe kërkimin e saj për “aleancë të fshehtë”, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA) të Koresë së Veriut, SHBA-ja po punon të formojë një bllok ushtarak në rajonin Azi-Paqësor.
Kim Sol-hwa nga Instituti i Studimeve Japoneze të Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, tha se plani i NATO-s për të hapur për herë të parë zyrë ndërlidhëse në Tokio, është një prej “shembujve të “aleancës së fshehtë” të Japonisë me NATO-n.
“Lidhjet ushtarake të Japonisë me NATO-n kanë shkaktuar shqetësime të mëdha”, tha Sol-hwa duke pretenduar se SHBA-ja qëndron pas afrimit të Japonisë me NATO-n dhe se duke formuar në këtë mënyrë versionin aziatik të NATO-s po përpiqet të ruajë “hegjemoninë” e saj në rajonin Azi-Paqësor.
Ai theksoi se është një e fshehtë që dihet nga të gjithë se SHBA-ja me pretekstin për të “mbrojtur vendet perëndimore nga agresioni i vendeve komuniste” po punon që të formojë një bllok ushtarak në rajonin Azi-Paqësor pas Luftës së Dytë Botërore.
“SHBA-ja duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut në blloqet e bashkëpunimit përpiqet të lidh të dy vendet me NATO-n”, tha Sol-hwa duke shtuar se ky është tregues se SHBA-ja po punon që të vendosë nën një rrethim të madh Kinën dhe Rusinë.
Ai dënoi Japoninë për përpjekjen e saj për t‘u bërë një me SHBA-në si “gjigandi ushtarak” i NATO-s dhe paralajmëroi se “Tokio do të përballet me një shkatërrim të dytë për sa kohë që vazhdon këto lloj lidhjesh ushtarake me të huajt”.
Ambasadori i Japonisë në Washington, Koji Tomita ka deklaruar se NATO ka planifikuar të hapë zyrë ndërlidhëse në Tokio me qëllimin për të forcuar bashkëpunimin me vendin e tij.
NATO e sheh Japoninë si vend partner. Kryeministri japonez Fumio Kishida në qershor 2022 vizitoi Madridin dhe u bë “kryeministri i parë japonez” që ka marrë pjesë në një Samit të NATO-s.
Në janar, në Tokio Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vuri në dukje marrëdhëniet e forta dypalëshe. “Do të ketë një rrugë për të forcuar edhe më tej partneritetin mes NATO-s dhe partnerit tonë të çmuar Japonisë”, tha Stoltenberg.