Partia Demokratike ka reaguar lidhur kontratën e bërë me bashkëpunëtorët e fushatës së Donald Trump.
Më poshtë komunikimi i plotë:
Në lidhje me një informacion të shpërndarë në media për lobimin e Partisë Demokratike pranë qeverisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dëshirojmë të sqarojmë sa vijon:
Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë, për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i njohur gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si një antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij.
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe nga demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve për shkak të regjimit të Edi Ramës.
Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje.
Burimi: botasot.info