Kombëtaret gjymtojnë Realin e Madridit dhe Barcelonën

Ndeshjet e ekipeve kombëtare shihen gjithnjë si një rrezik potencial për klubet, në lidhje me dëmtime të mundshme të lojtarëve të tyre. Kështu ka ndodhur të enjten në mbrëmje, teksa në takimin mes Francës dhe Austrisë, janë dëmtuar dy lojtarë të Barcelonës dhe Realit të Madridit, një muaj përpara “Klasikes”.

Mbrojtësi i Francës, Zhyl Kunde (Barça) dhe ai i Austrisë, David Alaba (Real) kanë lënë fushën e lojës të dëmtuar, me francezin që duket se ka probleme më serioze.

Sipas mediave spanjolle, Kunde ka lënë menjëherë grumbullimin e Francës dhe ka udhëtuar drejt Barcelonës për t’iu nënshtruar analizave më të hollësishme. Sipas raportimeve të para, Kunde rrezikon takimin me Interin në Ligën e Kampioneve, por ka dyshime edhe për “Klasiken” kundër Realit të Madridit.

Por problemet për trajnerin e Barcelonës, Ksavi Hernandez, nuk përfundojnë këtu.

Edhe sulmuesi Memfis Depaj është zëvendësuar nga ndeshja e Holandës kundër Polonisë. Sulmuesi holandez ndjeu një problem muskulor në kofshë në minutën e 50-të të ndeshjes dhe iu drejtua menjëherë dhomës së zhveshjes për t’u trajtuar nga fizioterapistët.

Klubi katalanas ka parë dje të dëmtohet edhe mbrojtësi Ronald Arauho me Uruguain. Ai ishte titullar në sfidën miqësore ndaj Iranit që zhvillohet në Austri, por la fushën pas vetëm 40 sekondash, pasi ndjeu probleme muskulore.

Edhe ai pritet që të udhëtojë sa më shpejt drejt Barcelonës për të parë gjendjen fizike, duke alarmuar jo trajnerin, i cili është informuar se edhe De Jong e Dembele kanë shfaqur probleme të vogla.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Lufta mes Joshua dhe Furyt mund të dështoj

Story i radhës

Goditja e korrupsionit dhe shkatërrimi i Rusisë, dy shtyllat që sigurojnë të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan

Të fundit nga