Futbollisti ganez i Tiranës, Unful Kobina ka marrë pasaportë shqiptare.
Tirana pak ditë më parë i kishte bërë një kërkesë presidentit Ilir Meta, ku i kërkonin t’i jepej nënshtetësi shqiptare, për shkak se sapo ishte kthyer nga Gana dhe mund të kishte probleme për të kaluar në Zvicër, aty ku Tirana luajti në “play off” të Ligës së Europës ndaj Jang Bojsit.
Pas kërkesës më 25 shtator nga Tirana, presidenti Meta e pranoi atë dhe i dha nënshtetësi sulmuesit ganez.
Megjithatë pavarësisht se Kobina mori pasaportën shqiptare, ai nuk ka asnjë shans të luajë me Shqipërinë. Kjo ka të bëjë me faktin se sulmuesi ka luajtur 3 ndeshje zyrtare me Ganën dhe për këtë arsye rregullorja e FIFA-s nuk e lejon të luajë me tjetër kombëtare.