Koalicioni saudit intercepton 3 dronë të rebelëve Houthi

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen njoftoi se ka rrëzuar tre dronë të ngarkuar me eksploziv të leshuar nga rebelët Houthi drejt territorit të mbretërisë saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, koalicioni tha se “interceptoi dhe rrëzoi një dron të ngarkuar me eksploziv të leshuar nga milicia terroriste Houthi drejt qytetit Khamis Mushait (në jug të Arabisë Saudite)”.

Ngjarja u zhvillua menjëherë pasi u rrëzuan dy dronë të nisur nga rebelët e lidhur me Iranin drejt të njëjtit qytet.

Në një deklaratë tjetër, koalicioni bëri të ditur se shkatërroi dy anije të rrëmbyera nga rebelët Houthi në Detin e Kuq, duke akuzuar grupin për “kërcënim të linjave të transportit dhe tregtisë globale” në Detin e Kuq.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga grupi Houthi në lidhje me deklaratën e koalicionit.

Lëvizja rebele, nga ana tjetër, njofton rregullisht për sulme me raketa dhe dronë në territoret saudite, duke thënë se sulmet janë reagime ndaj sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga sauditët ndaj Jemenit.

Në javët e fundit, rebelët kanë intensifikuar sulmet me raketa balistike dhe dronë në rajonet saudite, pavarësisht thirrjeve të administratës amerikane drejtuar grupit Houthi që t’i ndërpresë operacionet ushtarake dhe t’i kthehet negociatave.

Javën e kaluar, Arabia Saudite propozoi armëpushim të mbikëqyrur nga OKB-ja midis qeverisë jemenase të mbështetur nga sauditët dhe rebelëve Houthi, rihapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Sanas dhe fillimin e negociatave.

Jemeni është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, i cili synon rivendosjen e qeverisë së Jemenit, përkeqësoi situatën, duke bërë një nga krizat më të rënda në botë të shkaktuara nga njeriu, ku 30 milion njerëz, që përbëjnë 80 për qind të popullsisë, kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare.



. .

Ngjarja paraprake

Çmenduri si e nokauton

Ngjarja e ardhëshme

Kapaciteti i energjisë së erës do të rritet për 469 gigavatë gjatë 5 viteve

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian