​KMDLNj: Situata në veri e rëndë, barrikadat po cenojnë të drejtat e njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) konsideron se situata në veri është e rëndë dhe qytetarëve po u kushtëzohet liria e lëvizjes. Kryetari Behxhet Shala thotë se barrikadat e vendosura nga serbët lokalë po pengojnë procesin mësimor, furnizimin, qasjen në shërbime publike e shëndetësi. Sipas tij, çdo veprim i institucioneve të vendit mund të konsiderohet si i dhunshëm, por një gjë të tillë nuk do ta lejojnë as ndërkombëtarët.

Mëngjesin e sotëm është vendosur edhe një barrikadë tjetër prej dy kamionëve të mbushur me zhavorr në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zveçan, përtej vendit të quajtur “Kërshi i Dudës”.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala thotë për KosovaPress se barrikadat e vendosura po menaxhohen nga Beogradi.

“Realisht është një situatë e rëndë, është një situatë e cila kushtëzon lirinë e lëvizjes për gjthë qytetarët atje, shqiptarë, serbë e të tjerë. E pengon procesin e arsimit, furnizimit, qasjes në shërbime publike e shëndetësi. Është një situatë krejtësisht e padurueshme, mirëpo barrikadat janë vendosur nga një qendër, nga Beogradi, menaxhohen nga Beogradi dhe ato janë vendosur me qëllim që ta vënë Kosovën në para një akti të kryer në mënyrë që ata ta forcojnë pozitën negociuese. Ndërkaq, Kosova e dobëson pozitën negociuese, për faktin që tash në qoftë se hyhet në bisedime apo pashmangshëm do të hyhet në bisedimeve për ato barrikada, ata do të kenë kërkesa të reja që më parë nuk i kanë pasur”, deklaron Shala për KosovaPress.

Për barrikadat e vendosura nga serbët lokalë, Shala shton se bashkësia ndërkombëtare nuk po bën presion.

“Është një gabim i madh në qoftë se mendohet që të drejtat e njeriut janë të rrezikuara në veri dhe nuk iu ka mbetur tjetër rrugë përveç barrikadave. Barrikada është një testim që kanë bërë serbët qysh nga lufta e Kroacisë edhe për fat të keq gjithmonë ju ka dhezur”, shton kryetari i KMDLNj-së.

Kryetari i KMDLNj-së thekson se kjo situatë mund të shpërthejë nëse nuk bëhet vlerësimi i duhur nga palët.

“Meqë kemi hyrë në një cak të mbyllur është bukur problem të intervenohet sepse çdo intervenim i PK-së apo institucioneve të Kosovës do të merrej si një veprim i dhunshëm dhe do ta provokonte reagimin e palës tjetër, por mendoj që edhe ndërkombëtarët që janë shumë opurtunist në këtë çështje, as ata nuk do të lejonin që me një veprim të pamatur qoftë të njërës palë, e qoftë të tjetrës të kontribuohet në përshkallëzimin e situatës”, përfundon Shala.

Tash e më shumë se dy javë, në veri të vendit janë vendosur barrikada nga serbët lokalë. Në fillim, barrikadat u vendosën për të kundërshtuar arresimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Story i mëparshëm

Protestë para Ambasadës serbe në Tiranë për shkak të situatës në veri të Kosovës

Story i radhës

Netanyahu pranë krijimit të një prej qeverive më të djathta në historinë e Izraelit

Të fundit nga